
Përjashtimi i Kosovës nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) është rezultat i politizimit të arsimit dhe kjo i ka kushtuar shtrenjtë vendit. Kështu ka vlerësuar për “Front Online” eksperti i Arsimit, njëherit ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj.
“Kjo është një goditje e madhe për arsimin e lartë dhe është rezultat i ndërhyrjes së Qeverisë, të cilat i kanë kushtuar shtrenjtë Kosovës, prandaj është shumë vështirë që të anëtarësohemi sërish në ENQA”, ka theksuar Salihaj, duke shtuar se kur arsimi politizohet, atëherë ky mund të jetë rezultati.
Sipas Salihajt, që arsimi të mos politizohet është mirë që partitë politike të arrijnë një pakt kundër politizimit të këtij sektori, duke e nënshkruar një dokument që arsimi i lartë të jetë i depolitizuar apo departizuar.
I pyetur se kush është fajtor për përjashtimin e Kosovës nga kjo Organizatë, Sliahj e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për ndërhyrjet politike që ka bërë në Këshillin Shtetërorë të Cilësisë (KSHC) në kuadër të Agjencionit të Akreditimit të Kosovës.
“Përjashtimi është rezultat i ndërhyrjes së Qeverisë në institucionet e pavarura. Ndërhyrja direket në institucionet e pavarura të arsimit, ndërhyrja direkte në autonominë e Universitetit, nepotizmi këto janë ato shkaqet e përjashtimit nga ENQA” deklaroi Salihaj.
Ai poashtu është shprehur i pakënaqur me debatet televizive që po bëhen për fushën e arsimit gjatë fushatës elektorale, pasi që, sipas tij, nuk ka një platformë të qartë për të dalë nga kjo situatë.
“ Jam shumë i pakënaqur me debatet për arsim që po zhvillohen në fushatë, sepse nuk po shoh një platformë të qartë për të dalur nga kriza. Kjo është një gatitje e rëndë për arsimin në Kosovës”, tha ai.
Qehaja: S’ka garanci pwr sigurim tw mirwfilltw tw cilwsisw nw arsim
Rinor Qehaja nga instituti “Edguard” tha se emërimet e anëtareve të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë (KSHC-së) kanë kontribuuar në reagimin e ENQA-S për mungesë të pavarësisë së këtij institucioni që Kosova të përjashtohet nga ENQA,
“Mosvazhdimi i anëtarësimity nga ENQA paraqet rezultat të ndërhyrjes së politikës në AKA, dhe atë qysh nga themelimi i këtij Agjencioni. Nuk është vetëm shkarkimi akt i ndërhyrjes, por edhe emërimet e anëtareve të KSCH-së vlerësoj që kanë kontribuuar në reagimin e ENQA për mungesë të pavarësisë së këtij institucioni. Përtej kësaj, pjesa kyçe e përgjigjes së ENQA vënë në pah mangësitë operative dhe menaxhuese të vet AKA-së, që nuk ofrojnë garanci në sigurim të mirëfilltë të cilësisë në arsimin e lartë”, ka thënë Qehaja për “Front Online”.
Lidhur me përjashtimin e Kosovës nga kjo Organizaë, sot, gjatë ditës kanë reaguar edhe disa profesorë universitarë, të cilët e kanë cilësuar si dëmin më të madh që i është bërë arsimit të lartë në vend.
Profesori Blerim Rexha përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se përjashtimi tani në shtator 2019 nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) paraqet konsekuencën fatale të radhës së keq menaxhimit në arsimin e lartë.
“Ky është një lajm i keq për të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe për të gjithë studentët e Kosovës. Pas përjashtimit Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) në shkurt të vitit 2018, përjashtimi tani në shtator 2019 nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) paraqet konsekuencën fatale të radhës së keq menaxhimit në arsimin e lartë! Por, ky debakël ka qenë i pritur, pas gjithë atyre ndërhyrjeve politike që ndërmori ish-qeveria për të përfituar edhe më shumë nga arsimi i lartë! Qeveria dhe Ministria e Arsimit korrën atë çka kanë mbjellë”, ka thënë Rexha.
/Front Online/