×
  • Lajme
  • Lajme

    Edi Rama i uron ditëlindjen Pacollit: Luli i Vocërr i Marecit u bë bos i madh i Mabeteksit

    FrontOnline
    28 Gusht 2020

    Edi Rama e ka uruar për ditëlindje Behxhet Pacollin. Ani pse në Ëikipedia figuron që ditëlindja e Pacollit është me 30 gusht, kryeministri shqiptar e ka bërë një shkrim të gjatë për “Bacin”.

    Kryeministri shqiptar për Pacollin ka thënë se Luli i Vocërr i Marecit u bë bosi i madh i Mabeteksit, falë një fuqie për të ëndërruar.

    “The sky is the limit, qielli është kufiri, do të ishte përkufizimi më i sigurtë për jetën e tij, që edhe do ta shpëtonte këdo që do të rrekej t’ia kornizonte historinë, qoftë nga detyrimi i pamundur për t’ia rrokur atë krejt dhe qoftë nga pamundësia për të mos gabuar në leximin e këtij personazhi sa tokësor e të vërtetë, po aq ajror e romanesk”, tha ai.

    Rama e ka vlerësuar kreun e AAK-së si një person special, i cili tha se “sikur të mos e kisha pasur fatin ta njoh, po me siguri do kisha gabuar, keq, siç gabojnë me sa kam parë ata që kujtojnë se ai është një pasanik si ca të tjerë”

    Postimi i plotë:

    #EDHE100?

    BEHGJET PACOLLI bën sot plot 69 vite të jetuara në një fluturim të vazhdueshëm, qëkur u dha krahëve e u shkëput nga “pista” e oborrit të shtëpisë së tij shumë të varfër të lindjes, në fshatin Marec, për të vijuar të fluturojë nëpër një hartë koordinatash gjithnjë e më të çuditshme… nga Luganoja e pasanikëve të mbrojtur prej sekretit të vjetër bankar zviceran, në Moskën e klientëve pasanikë të pushtetit të dalë nga gryka e tankut mbi parlamentin e sovjetëve; nga zyra e Jelsinit në zyrën e Sllobos e nga Kremlini për firmosjen e kontratës së restaurimit, në Prishtinë për vendosjen e firmës mbi dokumentin e pavarësisë së Kosovës; nga Astanaja e kantiereve guliveriane të Sulltan Nazarbajevit, në Shën Tropenë e pushimeve luksoze të Brizhidë Bardosë e të qenve të saj të dashur; gjithnjë me ca ndalesa të befta e gjithnjë më të shpeshta në Shqipëri, nga koha kur këtu hante pula gurë e Bexheti donte t’i vinte Hotel “Dajtit” 5 yje në ballë, në kohën kur guri këtu hante pulat dhe Bexhetit ia morën Hotel “Dajtin” në mëngjes, pasi ia dhanë në darkë… e kështu deri sot e gjithë ditën, ai ndalet në Shqipëri, sa herë i duhet të prekë tokën e të shohë detin.

    Luli i Vocërr i Marecit u bë bosi i madh i Mabeteksit, falë një fuqie për të ëndërruar, një kurajoje për të guxuar e një aftësie për të fluturuar, që e bëjnë Bexhet Pacollin një fenomen unikal suksesi të llojit të vet në botën shqiptare. The sky is the limit, qielli është kufiri, do të ishte përkufizimi më i sigurtë për jetën e tij, që edhe do ta shpëtonte këdo që do të rrekej t’ia kornizonte historinë, qoftë nga detyrimi i pamundur për t’ia rrokur atë krejt dhe qoftë nga pamundësia për të mos gabuar në leximin e këtij personazhi sa tokësor e të vërtetë, po aq ajror e romanesk.

    Çfarë historie fluturimi i tij nga krahët e vdekjes në morgun e akullt, ku e futën si trup të pajetë pas aksidentit të tmerrshëm apo rënia e tij pikiatë në dashurinë e llahtarisur me Anën dhe ringritja në fluturim për të ikur prej saj! Çfarë historie ngjitja e tij në Presidencën e Republikës së Kosovës dhe rënia prej asaj maje sa hap e mbyll sytë! Çfarë historie rishfaqja i tij në Marecin e braktisur nga të gjithë, për të ndërtuar shtëpitë e mëdha për krejt vëllazërinë dhe shpërngulja e kompanisë së tij në Kazakistan, për të ndërtuar një kryeqytet nga e para!

    Nuk e di ç’do të kisha menduar për Bexhetin sikur të mos e kisha pasur fatin ta njoh, po me siguri do kisha gabuar, keq, siç gabojnë me sa kam parë ata që kujtojnë se ai është një pasanik si ca të tjerë, që mund të kyçet kollaj në kornizën klishe të biznesmenit politikan. Pa lidhje!

    Bexhet Pacolli është një njeri shumë special dhe të gjitha ato që i kanë ndodhur, megjithë pasurinë e tij, janë si shtëpia e tij mbresëlënëse në Hajvali, me faltoren e bukur të nënës së vdekur ngjitur me banesën ku mungon ai vetë, Bexheti, djali harrakat që s’është në shtëpi po gjetkë, në një fluturim që vazhdon. Sepse as pasqyra e tij më besnike dhe as vlera e vet më e madhe s’është as ajo që ka, as ajo që bën, po është ai vetë, si njeri, të cilit ia uroj megjithë zemër të rrojë sa më gjatë, për veten, familjen, fëmijët e mrekullueshëm, e për këdo ka fatin ta njohë siç është, boll që të mos synojë ta kornizojë.

    #TëRRALLË

    Nga Rubrika
    Lajme09 Janar 2025
    Një veturë është përfshirë nga zjarri mbrëmjen e sotme në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, e që fatmirësisht nuk ka të lënduar....
    Lajme09 Janar 2025
    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar qeverinë aktuale të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje duke e...
    Lajme09 Janar 2025
    Eksperti i Sigurisë, Burim Ramadani, ka thënë në “Pressing” të T7, se para Vitit të Ri, edhe Bondsteel është përfshirë në ndërprerjen...
    Të tjera
    Vip09 Janar 2025
    Artistja e njohur, Rina Balaj ka publikuar një fotografi me ish-reperin Fero. Ajo këtij imazhi ia ka bashkëngjitur edhe një mbishkrim të...
    Bota/Rajoni09 Janar 2025
    Dy persona kanë përfunduar në spital pas një sherri të ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë. Policia ka njoftuar se një...
    Sport09 Janar 2025
    Rezistuan deri në minutën e 63-të. Vedat Muriqi me shokë nuk patën më shumë forcë për ta përballuar Real Madridin. Këta të...
    Lajme09 Janar 2025
    Nesër do të jetë dita e fundit e legjislaturës së 8-të në Kuvendin e Kosovës, e rrjedhimisht të premten do të shpërndahet...
    Vip09 Janar 2025
    A mendon se publiku të ka marrë inat për nominimin e Drilonit me Gjesti? Ishte pyetja e parë për Leo-n  në darkën...
    Bota/Rajoni09 Janar 2025
    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se arsyeja e vetme pse nuk ka shkuar të takojë Ilir Metën në burg...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.