×
  • Opinione
  • Opinione

    E kemi rrejtë veten

    Imer Mushkolaj
    17 Qershor 2023

    Shkruan Imer Mushkolaj

    Për një dekadë, që nga arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e kemi rrejtë veten se serbët në veri janë integruar. Ngjarjet e fundit atje dëshmojnë se gjithë procesi ka qenë veç një farsë.

    Serbë që dikur ishin pjesë të strukturave paralele të sigurisë dhe të tjerave në veri të vendit u përfshinë në sistemin kosovar pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur më 2013 në Bruksel. Për një dekadë ata u paguan nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe formalisht vepruan në kuadër të institucioneve kosovare. Por, pas kaq vjetësh u vërtetua se këta serbë janë të gatshëm t’i braktisin institucionet kosovare me një urdhër prej Beogradit. Gjashtë muajt e fundit dëshmuan se procesi i ashtuquajtur i integrimit të tyre ishte veç një farsë që i erdhi përshtati politikës, por asnjëherë nuk ishte një proces i qëndrueshëm.

    Formalisht pjesë e institucioneve kosovare, por realisht në shërbim të politikës së Beogradit, një pjesë e madhe e “të integruarve” më tepër kanë punuar për Serbinë, se për Kosovën. Në fakt, gjatë dekadës së fundit, politikanët e Listës Serbe atje kanë pasur mundësi të bëjnë çfarë të duan, pa e pasur frikën e kontrollit nga Prishtina. Njësoj kanë vepruar edhe kontrabandistë e njerëz me të kaluar kriminale, të cilët e kanë shfrytëzuar situatën e krijuar për ta mbajtur veriun e vendit gjithnjë në një situatë të paqëndrueshme e të gatshme për shpërthim.

    Kështu ndodhi javët e fundit, kur elementë të dyshimtë, që u identifikuan si protestues të dhunshëm, sulmuan ushtarë të NATO’s, policë të Kosovës dhe gazetarë. Të gjithë patën mundësinë të shohin se kush e bën ligjin vërtet në veri.

    Lista Serbe nuk është gjë tjetër veçse një subjekt parapolitik, në të cilin bëjnë pjesë njerëz të rrezikshëm që nuk kanë të bëjnë asgjë me politikën, njerëz që janë padronët e vërtetë të verit të vendit dhe që kanë vepruar atje vite me radhë pa u trazuar nga askush. Andaj, reagimet nga serbët së fundi dhe jo vetëm duhet kuptuar edhe si prishje komoditeti për struktura kriminale atje.

    * * *

    I ashtuquajturi integrim i serbëve në veri nuk ka prodhuar atë që pritej ose që, të paktën, shpresohej – kthimin e tyre kah institucionet e shtetit të Kosovës. Për më keq, ata vetëm sa i kanë forcuar edhe më tej lidhjet me Beogradin por, në të njëjtën kohë, duke i shfrytësuar benefitet financiare dhe të tjera nga Prishtina.

    Grupet kriminale në veri kanë vazhduar aktivitetin, ndërkohë që komunat kanë funksionuar “kokë më vete” – formalisht duke iu përgjigjur Prishtinës por, në realitet, duke vepruar si të jenë në Serbi. Për më tepër, në objektet e komunave kanë kryer punët e veta edhe të ashtuquajturat “organe të përkoshme”, që janë komuna paralele sipas sistemit të Serbisë.

    Një dekadë pas marrëveshjes për normalizim dhe integrim të serbëve në institucione pyetja që duhet shtruar është: si është e mundur që gjithë investimi lokal e ndërkombëtar të rrëzohet si një kullë prej letre, me një shenjë të bërë nga Beogradi? Pse është dashur të vazhdohet deri më tash kjo “status quo”, e cila nuk ka prodhuar integrim, përkundrazi, ka shërbyer për betonimin e kundërshtive ndaj Republikës së Kosovës? A ka qenë qasja e Prishtinës e duhura, apo gjërat janë bërë vetëm formalisht, në letër, sa për të thënë se diçka po funksionon?

    Tash, kur dëgjon partitë opozitare duke alarmuar se veprimet e qeverisë e paskan çuar poshtë investimin dhjetëvjeçar për integrimin e serbëve, pyetja që duhet bërë është: cilin integrim?

    Po që se integrimi do të ishte i vërtetë, atëherë serbët nuk do t’i braktisnin institucionet sapo t’i urdhërojë Aleksandër Vuçiqi. Po të ishte integrim përnime, atëherë do të ishte krijuar një vetëdije e atillë ndër serbë atje se ata i takojnë këtij shteti dhe duhet të punojnë në të dhe për të.

    Është e vërtetë se Prishtina asnjëherë nuk i është qasur seriozisht veriut dhe qytetarëve serbë shumicë atje. Andaj farsat, si kjo e integrimit, nuk bëjnë punë.

    Nëse vazhdohet me qasjen e njëjtë, ka pak shpresa që gjendja do të ndryshojë për të mirë. Pyetja thelbësore tash është: Asociacioni do të krijohet për t’i afruar serbët me Prishtinën apo me Beogradin?

    Ndërprerje të rrymës për shkak të punimeve
    Nga Rubrika
    Opinione15 Maj 2024
    Nga Adri Nurellari Në botën tonë të trazuar, ku konfliktet dhe tensionet gjeopolitike shpesh dominojnë titujt e mediave, dialogu dhe përpjekjet për...
    Opinione15 Maj 2024
    Nga Albert Prenkaj  Me Deklaratën e Göttweigut të 23 qershorit 2023 të shtat (7) vendeve të BEsë, dalin angazhime shtesë për bashkëpunim...
    Opinione14 Maj 2024
    Shkruan: Kenan Malik (The Guardian) Kryetari i komitetit të biznesit dhe tregtisë në Parlament, Liam Byrne, të martë e kaluar e pyeti...
    Të tjera
    Lajme15 Maj 2024
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka mohuar se ka pasur ndonjë marrëveshje me kryeministrin Albin Kurti në takimin e fundit të tyre,...
    Sport15 Maj 2024
    Tifo grupi i Kosovës, “Dardanët” kanë dalë me një njoftim në faqen e tyre në Facebook. Ata kanë njoftuar se po synojnë...
    Vip15 Maj 2024
    Meritoni është shprehur se në këtë pikë të lojës nuk do kishte dashur të kishte këtë përjetim, ku mes tij dhe Juli...
    Lajme15 Maj 2024
    Qeveria e Kosovës ka lëshuar komunikatë në lidhje me takimin e sotëm të zv/kryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e BE’së, Miroslav Lajçak...
    Bota/Rajoni15 Maj 2024
    Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA përmes një postimi në “X” ka njoftuar se sa persona janë larguar nga Rafah. Kjo...
    Bota/Rajoni15 Maj 2024
    Kanë mbetur edhe dy ditë deri në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, e anëtarësimi i Kosovës në këtë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.