×
  • Opinione
  • Opinione

    E ke ditë, e ke ditë…

    Imer Mushkolaj
    21 Shtator 2023

    Nga Imer Mushkolaj

    Për dy vjet e gjysmë në pushtet, Albin Kurti jo që nuk i ka zhbërë marrëveshjet e arritura me Serbinë, por i ka konfirmuar ato. Ai ka ndryshuar vetëm qëndrimet e tij në raport me dialogun. Është banal arsyetimi që tek tash i paska kuptuar se si rrjedhin disa gjëra në proces. I ka ditë, i ka ditë.

    Për një dekadë në opozitë, që pas nisjes së dialogut për normalizim raportesh me Serbinë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti ashpër dhe pa u ndalë e kanë kritikuar këtë proces. Vite me radhë ai premtonte se, sapo të vijë në pushtet do të ndryshonte edhe dialogun me Serbinë, edhe disa marrëveshje. Teksa prezantonte programin qeveritar në Kuvendin e Kosovës, në mars të vitit 2021, ai zotohej t’i zhbënte disa nga marrëveshjet.

    “Pjesa më e madhe e punës dhe energjisë time në dialog është në zhbërjen e dëmit që keni shkaktuar ju. Marrëveshjen për Asociacionin, marrëveshja për fusnotën, marrëveshjet për gjykatat e universitetin paralel në veri të Mitrovicës, hapjen e çështjes së statusit, krijimin e diskursit për shkëmbime territoriale e marrëveshje të tjera të dëmshme ju na i latë trashëgimi”, iu kishte thënë Kurti ish-qeveritarëve.

    Ai e ftonte opozitën që të punojnë bashkë për përmirësimin e marrëveshjeve.

    “Tash kemi qeveri e cila jo vetëm që nuk do të sjellë marrëveshje të dëmshme, por është e angazhuar që të zhbëjë edhe dëmet që keni shkaktuar ju”, iu thoshte ai.

    Por, pas dy vjetësh në pushtet, Kurti nuk ia ka dalë që të zhbëjë ndonjërën nga marrëveshjet. Për më tepër, ai e ka konfirmuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit, si pjesë e planit të BE’së. Madje, në një intervistë, e konfirmoi vetë praninë e Asociacionit në marrëveshje. “Ka Asociacion, neni 10 thotë që të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara, të cilat ngelen valide dhe të obligueshme”.

    Pas pajtimit me presidentin e Serbisë që marrëveshja e Ohrit të zbatohet, ka gjashtë muaj që nuk ka përparim. Ditën kur u takua në Bruksel me Aleksandar Vuçiqin, Kurti njoftoi se e paska marrë vesh pse po ndodh kjo zvarritje. “Unë sot e kam kuptuar pse ka gjashtë muaj që nuk ecë puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes, sepse i është vënë një pengesë kapitale qysh në fillim, e që është kushtëzimi i Serbisë. Unë këtë dokument nuk e kam pasur më herët, nuk e kam ditur, unë kam besuar që janë qëndrime të njërës palë, mirëpo për mua tash është e qartë se kushtëzimi i Serbisë është shëndrruar në qëndrim të ndërmjetësit Lajçak. Për të ecur përpara duhet të tejkalohet kjo”, iu tha ai gazetarëve.

    * * *

    Kryeministri kosovar foli për kushtëzimin e Serbisë, por një gjë e tillë është edhe kushtëzim i europianëve dhe amerikanëve. Të thuash se nuk ke pasur ide për diçka të tillë është mashtrim, sepse muajt e fundit është thënë vazhdimisht nga ndërmjetësit e dialogut se Kosova urgjentisht duhet të nis procedurat për themelimin e Asociacionit. Në çdo takim, në çdo deklarim publik europianët dhe amerikanët e kanë përsëritur të njëjtën gjë. Madje, edhe në marrëveshjen e Ohrit thuhet qartazi që ky process duhet të nis menjëherë.

    Këtë ujdi Kurti e ka pranuar, madje e ka cilësuar të mirë. Pra, ai e di që Asociacioni është kusht dhe e ka pranuar një gjë të tillë. Është tjetër që tash ai, për konsum të brendshëm politik, deklarohet ndryshe.

    Kurti ka thënë një një rast që aleatët ia kujtojnë që marrëveshjet janë arritur ndërmjet qeverive të shteteve dhe se nëse Kosova dëshiron të trajtohet si shtet dhe të njihet si i tillë, ai nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare.

    Kurti e ka pasur të qartë një gjë të tillë edhe sa ka qenë në opozitë, por ka zgjedhur që dialogun me Serbinë ta përdor si “armë” kundër opozitës, ta paraqesë si një gogol që i sjell vota dhe ia siguron pushtetin. Tash, kur ka përgjegjësi shtetërore, është banale të pretendohet se disa gjëra në proces i paska kuptuar vonë. E vërteta është që i ka pasur të qarta gjithnjë, por është shtirë ndryshe. Ndonjë hoxhë kontravers do të thoshte: “e ka ditë, e ka ditë”.

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Lajme10 Janar 2025
    Ekipet e specializuara të kërkim-shpëtimit të Gardës Kombëtare të FSK-së kanë nisur operacionin e kërkim-shpëtimit malor dhe ujor në kërkim të një...
    Lajme10 Janar 2025
    Qeveria e Kosovës sot mbajti mbledhjen e saj të rregullt ku mori disa vendime. Në këtë mbledhje Lyra Osmani u emërua në...
    Lajme10 Janar 2025
    Kreu i PDK-së, ka takuar sot strukturat e PDK-së të degës së saj në Prishtinë, shkruan FrontOnline. Krasniqi, pas takimit në Facebook,...
    Sport10 Janar 2025
    Liverpool ishte i detyruar të ulte avionin në Birmingham të mërkurën në mbrëmje pasi fluturimi i tyre nga Londra u kthye për...
    Vip10 Janar 2025
    Gjatë këtij mëngjesi, banorja e shtëpisë më të madhe në vend, Xheneta i ka thënë Rovenës se ajo e ka bërë gjoksin....
    Vip10 Janar 2025
    Vullneti i ka kënduar Rovenës një këngë kushtuar tradhtisë. Ai i këndoi para fytyrës, ndërsa iu bashkuan edhe disa nga banorët tjerë,...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.