Një përplasje jo e vogël po zhvillohet në gjirin e fituesve të zgjedhjeve të Malit të Zi, të cilët sot mblidhen sërish pas një dështimi për të ndarë postet.
Siç bën të ditur gazeta serioze malazeze Vjiesti, e cila ka përkrahur opozitën në zgjedhje, përplasja është për postet e ashtuquajtura të “sigurisë”, pra ministrin e Brendshëm, ministrin e Mbrojtjes dhe kreun e Agjencisë së Inteligjencës.
Siç mësohet Ura e Dritan Abazoviqit i ka kërkuar që të jetë ajo që të propozojë drejtuesit e këtyre institucioneve në mënyrë që të garantohet orientimi euroatlantik i Malit të Zi.
Por partia kryesore e koalicionit, Fronti Demokratik që ka orientim proserb ka kërkuar që agjencinë e Inteligjencës ta mbajë kjo forcë. Kjo ka sjellë një diskutim të fortë që ka bërë që palët të mos arrijnë në një marrëveshje për qeverinë e re.
Siç bën të ditur agjencia malazeze e lajmeve MINA, i vetmi akord që kanë rënë është që kryetar i Parlamentit të jetë kreu i grupit të dytë politik në koalicion, Aleksia Beçiq.
Ndërkaq, mediat pro Gjukanoviqit kanë bërë të ditur se koalicioni proserb synon që të vendosë në agjencinë e Inteligjencës një personazh politik që ka afërsi me Moskën.
Parlamenti i ri konstituohet më 27 shtator, ndërkohë që pritet që qeveria e re të zgjidhet në ditët e para të tetorit. Kreut të opozitës, Zdravko Krivokapiq, mandatin do t’ja dorëzojë Presidenti i vendit, Milo Gjukanoviq.