×
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Dosja ekskluzive/ Keqpërdorimi 1.6 milionësh për Autostradën e Gjilanit, deklaratat e Pal Lekajt në Polici (Dokumente) -II

    FrontOnline
    09 Qershor 2021

    Me kërcënime e shantazhe të ndryshme u përballën anëtarët e komisionit vlerësues në Ministrinë e Infrastrukturës, puna e të cilëve ishte të vlerësonin ofertat për një tender 88 milionë eurosh. Presionet lidheshin me shtrimin e autostradës Prishtinë – Gjilan. Ato erdhën më 2018 nga Betim Reçica, dikur drejtor i Prokurimit në këtë dikaster qeveritar, në drejtim të tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, që të gjithë anëtarë të komisionit vlerësues të tenderit. Kështu të paktën pretendojnë këta të fundit, raporton “Front Online”.

    Gjithë pjesën tjetër të përgjegjësisë e heqin nga vetja. Thonë se ata rekomanduan kompaninë më të përgjegjshme, atë më të lirën, për tenderin në fjalë. Por përkundër kësaj, Reçica që për ta është fajtori kryesor, zgjodhi një kompani tjetër për shtrimin e autoudhës, oferta e të cilës ishte për 1.6 milionë euro më e shtrenjtë.

    Sidoqoftë ndaj të gjithë këtyre zyrtarëve “tok” së bashku rëndon akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Aktakuzën e ka ngritur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK). E gjithë “pasqyra” e problemit u dokumentua në serinë e parë të “Front Online”. Aty thuhet se gjithçka ndodhi madje në sytë e Ministrit Pal Lekaj. Seria e dytë, kjo e sotmja, nga tri sosh sa do t`i publikojë “Front Online”, ka për protagonist pikërisht këtë të fundin.

    Në procesverbalin e datës 17 prill 2019, i ftuar nga Policia në cilësinë e dëshmitarit, Ministri Pal Lekaj e pranon të ketë takuar në zyrën e tij treshen e komisionit vlerësues, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini. Të njëjtëve, thotë, se u pati kërkuar të mos e stërzgjatin projektin.

    Por kush ishte kumbara i këtij takimi mes palëve?

    “Takimin e ka kërkuar Betimi, u/d i drejtorit të Prokurimit. Po anëtarët e komisionit kanë qenë në zyrën time. I kam lutur që të vazhdojnë procedurat në bazë të përgjegjësisë dhe që projekti të mos stërzgjatet”, thuhet në dëshminë e Lekajt.

    Kjo mbledhje sy me sy, ish-ministri Lekaj thotë të ketë zgjatur jo më shumë se 5 minuta. Kurse siguron se në të pos tyre nuk ka marrë pjesë askush tjetër.

    Version tjetër jep Leonora Limani, njëra nga anëtarët e komisionit vlerësues të tenderit.

    Gjatë marrjes në pyetje para organeve të rendit, ajo në dëshminë e saj tregon se i pranishëm në mbledhin që patën me atë kohë Ministrin Pal Lekaj, ishte edhe shefi kabinetit të tij.

    E njëjta nxjerr edhe detaje tjera nga biseda “5 minutshe”.

    “Reçica na ka kërcënuar se puna duhet të kryhet për dhjetë ditë. Koha prej 10 ditësh është shumë e shkurtë, meqë komisioni ka pasur kohë prej 45 ditësh”, deklaroi Limani.

    Lekaj thotë se nuk e di se pse Reçica nuk e ka kërkuar takimin me të direkt nëpërmjet sekretarit, por i ka shkuar vetë në zyrë.

    “Unë jam i hapur ndaj të gjithë zyrtarëve të MI-së, por edhe të tjerëve për çështjet që janë në kompetencat e mia“, vazhdon Lekaj dëshminë e tij.

    Kështu edhe nuk po del

    Transparencën që e premtoi, ish-Ministri nuk e tregoi në rastin kur anëtarët e komisionit rivlerësues, tash përmes sekretarit, i kërkuan edhe një takim tjetër, të dytë.

    Ai e refuzoi diskutimin me ta, ndonëse qëllimi i zyrtarëve, bazuar në deklarimet e tyre, ishte të shprehnin para Ministrit presionet që po merrnin nga shefi i prokurimit, Betim Reçica për tenderin 88 milionë eurosh.

    “Herën e dytë nuk i kam pranuar sepse kam menduar që mund ta keqpërdorë pozitën time për interesa të dikujt dhe kështu nuk kam pranuar të komunikojë me askënd për këtë çështje”, u shpreh Lekaj.

    Lekajt nuk i kujtohet nëse sekretari i përgjithshëm i Ministrisë që drejtonte, Nebi Shatri, ia ka prezantuar ose jo hallet e komisionit.

    Mohon se ka përpiluar një listë me emrat e kompanive që duhet të rekomandohen për kontratë sa i përket tenderit për autostradë.

    “Nuk qëndron kjo. Nuk është në domenin tim që të krijoj lista apo gjëra të tilla”, përfundon dëshmia e Lekajt që u intervistua si dëshmitar/ministër.

    Vijon…

    LEXO EDHE:

    Ekskluzive: Presione, shantazhe e kërcënime për tenderin 88 milionësh për autostradën e Gjilanit (Dokument)-I

     

     

    Nga Rubrika
    Hulumtime26 Mars 2025
    Shërbimi Klinik Spitalor Universitar i Kosovës (SHSKUK) e ka shpërblyer me tender prej hiç më  pakë se 2,5 milionë euro kompaninë Meditech,...
    Hulumtime13 Janar 2025
    Rreth dhjetë milionë euro të buxhetit të shtetit të Kosovës janë shpenzuar vetëm për pagesa të qerave për objektet publike gjatë periudhës...
    Hulumtime19 Nëntor 2024
    Një tender në vlerë prej 15 milionë €, të cilin ia kishte dhënë Ministria e Punëve të Brendshme që udhëhiqet nga Xhelal...
    Të tjera
    Bota/Rajoni12 Prill 2025
    Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha çeli sot fushatën për zgjedhjet e 11 majit. Basha tha se ajo që e mban...
    Bota/Rajoni12 Prill 2025
    Partia Socialiste çeli sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit me një tubim të madh në sheshin “Skënderbej” në Tiranë,...
    Lajme12 Prill 2025
    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është përgjigjur sërish në pyetjet e gazetarëve se a i ka siguruar votat për krijimin e...
    Bota/Rajoni12 Prill 2025
    Në një lëvizje të madhe dypartiake, senatorët amerikanë Thom Tillis (R-NC) dhe Jeanne Shaheen (D-NH), së bashku me 12 senatorë të tjerë...
    Lajme12 Prill 2025
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot dëshmorët e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” dhe martirët e Lubizhdës së Hasit, në përvjetorin...
    Lajme12 Prill 2025
    Në pikën kufitare të Bllacës, mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është mbajtur ceremonia hapëse e projektit të pikëkalimit të përbashkët kufitar...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.