Një numër i madh sektesh operojnë në Serbi, ndërsa mediat lokale japin alarmin se mes tyre fshihet një numër i madh sektesh satanike, të cilat po shkatërrojnë shoqërinë.
Siç raporton “Kurir”, në Serbi operojnë sekte të tilla si Kisha e Djallit, Urdhri i Tempullit të Lindjes, Trëndafili i Zi, Kalorësit e Djallit apo Zjarri i Ferrit, të cilët fshihen pas organizatash të tjera, ndërkohë që ushtrojnë aktivitet të plotë.
“Kurir” thekson duke iu referuar ekspertëve se dhjetra mijëra serbë janë anëtarë të këtyre sekteve duke u ndikuar në mënyrë totalitare nga drejtuesit e tyre.
“Ata kanë ndikim totalitar tek anëtarët duke i bërë që të ndryshojnë rrenjësisht sjelljen dhe raportin me shoqërinë”, shkruan media serbe duke dhënë alarmin në lidhje me situatën e krijuar.
“Sekte të rrezikshme janë edhe ato që ndalojnë transfuzionin e gjakut edhe pse rrezikon jetën, apo ato që të kërkojnë që të largohesh nga familja apo shoqëria duke i patur vetëm ata si pjesë të shoqërisë tëndë dhe t’i dëgjosh me kujdes”, shprehet Sladjan Mijaljeviç.