Bota po e shikon agresionin e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Veprimet e Rusisë paraqesin kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën dhe për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Synimet tona janë të thjeshta. Qëndrojmë me aleatët dhe partnerët tanë në mbështetje të kohezionit evropian, për të fuqizuar marrëdhëniet transatlantike dhe për të forcuar shtetet dhe institucionet demokratike. E bëjmë këtë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qytetarëve të Kosovës.
Dhe e bëjmë këtë së bashku. Sekretari i Shtetit, Antoni Blinken, ka qenë i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të negociojnë për Evropën pa Evropën. Nuk do të negociojmë për Ukrainën pa Ukrainën.
Kërcënimi i vërtetë
Gjatë dy dekadave të kaluara, Rusia i ka pushtuar dy vende fqinje, ka ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera, ka përdorur armë kimike për të kryer atentate në tokë të huaj, ka përdorur dërgesën e gazit si vegël politike dhe ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare të kontrollit të armëve.
Në vitin 2014, pasi miliona ukrainas protestuan me kërkesën për të ardhme demokratike, Rusia shkaktoi një krizë, pushtoi dhe okupoi Krimenë, territorin e Ukrainës, dhe orkestroi luftë në Ukrainën lindore me personel rus dhe me mbështetësit e saj që i drejton, stërvit, furnizon dhe financon. Në këtë luftë kanë humbur jetën më shumë 14.000 ukrainas. Rusia edhe sot vazhdon të okupojë pjesë të Gjeorgjisë dhe Ukrainës dhe nuk iu ka përmbajtur zotimeve për t’i tërhequr forcat nga Moldova. Veprimet e Rusisë tani, duke përfshirë përqendrimin e më shumë se 100.000 trupave në kufirin e Ukrainës, po shkaktojnë krizë të përtërirë jo vetëm për Ukrainën, por për tërë Evropën.
Presidenti Putin në mënyrë jo të sinqertë fajëson Ukrainën për agresionin e paprovokuar të Rusisë. Por, për nga natyra, qëndrimi ushtarak i Ukrainës dhe i aleancës së NATO-s gjithmonë ka qenë vetëm mbrojtës. Për dallim nga Rusia, Ukraina ka respektuar zotimet e saj në përputhje me marrëveshjet e Minskut, të arritur ndërmjet Rusisë, Ukrainës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që synonin për të siguruar armëpushim në Donbas.
Putini në të vërtetë frikësohet se vlerat demokratike dhe ushtrimi i të drejtave themelore të njeriut do të vazhdojnë që gradualisht të gërryejnë kontrollin e tij të pushtetit. Në reagim ndaj kësaj frike, Rusia ka qenë e paepur në përpjekjet e saj për të minuar demokracinë ukrainase përmes dezinformimit dhe frikësimit ushtarak. Shkurtimisht, veprimet e Rusisë janë të rrezikshme dhe destabilizuese.
Mbështetja për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova janë të përkushtuara për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, ne do ta ndihmojmë Ukrainën në përpjekjet e saj për tu mbrojtur nga agresioni i mëtejmë rus. Do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Ukrainës për avancimin e reformave demokratike dhe kundër korrupsionit dhe rikthimin dhe sigurimin e kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Interesat e sigurisë të Evropës dhe të ShBA-së janë në rrezik
Siç e ka thënë sekretari Blinken kur foli në Berlin më 20 janar, shumë gjëra janë në rrezik. Njëmend po flasim për të ardhmen e Ukrainës, por edhe për parimet që e kanë bërë botën më të sigurt dhe më të qëndrueshme për dekada me radhë.
Ne jemi thellësisht të investuar në atë që po ndodh në Ukrainë, sepse i respektojmë parimet, të cilat mbështesin paqen dhe sigurinë ndërkombëtare: që kufijtë dhe integriteti territorial i një shteti nuk mund të ndryshohen me forcë; se është e drejta e natyrshme e qytetarëve në një demokraci të marrin vendime për vendin e tyre dhe të përcaktojnë të ardhmen e vendit të tyre; se të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare duhet t’iu përmbahen rregullave të përbashkëta dhe duhet të përballen me kosto nëse nuk i përmbushin zotimet solemne që i bëjnë.
Nëse Rusia lejohet që t’i shkelë ato parime pa u ndëshkuar, atëherë kjo do t’ju dërgonte të tjerëve porosinë se këto parime janë pavlerë.
Thirrja për veprim
Shtetet e Bashkuara duan të vazhdojnë ndërtimin e koalicionit ndërkombëtar të partnerëve në Evropë dhe gjetkë, të cilët e shohin këtë kërcënim me sy të qartë. Miqtë tanë në Kosovë janë thelbësorë në këtë përpjekje. Uniteti dhe vendosmëria jonë e përbashkët transatlantike janë mjeti më efektiv që kemi për të kundërshtuar agresionin rus. Jemi të përkushtuar ndaj diplomacisë dhe e kemi bërë të qartë se rruga diplomatike mundëson zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për të gjithë.
Por, nëse Rusia zgjedh atë rrugën e dytë dhe pushton edhe më thellë Ukrainën, jemi të gatshëm dhe në vijë me partnerët dhe aleatët tanë për të vënë pasoja masive ndaj Rusisë, siç është konfirmuar së fundmi nga G7, BE-ja dhe NATO-ja. Këto do të ishin sanksione të rëndësishme – financiare, ekonomike dhe të tjera që nuk i kemi vënë në të kaluarën. Sipas nevojës, ne gjithashtu do të forconim mbrojtjen e Ukrainës dhe NATO-s, duke bërë pikërisht atë që Putini pretendon se nuk e dëshiron.
Kërcënimi i Rusisë ndaj Ukrainës është kërcënim ndaj vlerave demokratike kudo. Amerikanët dhe kosovarët duhet të qëndrojnë së bashku me Ukrainën për të siguruar një Evropë të lirë dhe të qëndrueshme, e cila është në interesin më të mirë të popujve të demokracive, qofshin ata amerikanë, kosovarë apo të tjerë anembanë globit.