Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e radhës për rastin e Ekrem Likës, ndaj të cilat është ngritur aktakuzë për veprën penale Mashtrimi në muajin prill të këtij viti. Ai kishte qenë i përfshirë së bashku me Rrahim Hashimin e Kadri Rexhepin edhe në rastin e biznesmenit Faton Dalladaku, që i ka paditur për mashtrim, por, që i njëjti duke u larguar nga Kosova, ka shpëtuar pa aktakuzë.
Krejt këto Lika do t’i bënte duke u paraqitur si dhëndri i kreut të PDK-së, Kadri Veselit, e duke deklaruar se nga ai po merrte siguri për të marrë e dhënë shuma të mëdha të parave. Avokati mbrojtës i Likës, Visar Rrecaj, tha për gazetën Objektiv se e kanë shqyrtuar mundësinë e pranimit të fajësisë për veprën që i vihet në barrë Likës.
“Mbrojtja ka shqyrtuar mundësinë e pranimit të fajësisë pasi që që procesi ka filluar rishtazi dhe duke tentuar që të marrim benificionet që sjellë pranimi i fajësisë në seancën e parë e kemi diskutuar, por nuk kemi marr indice të forta prej gjykatës që pranimi në këtë seancë do të merrej rrethanë lehtësuese nga gjykata”, tha Rrecaj.
Rrecaj tha se gjykata e ka neglizhuar këtë rast pasi i mbrojturi i tij që tetë muaj gjendet në paraburgim, ani se kanë kërkuar që ky të lirohet në procedurë të rregullt. Po ashtu kanë vërejtje edhe në ndërrimin gjyqtarit pasi tani procesi ka filluar rishtas.
Ndërkohë avokati i biznesmenit Faton Dalladaku, Skender Musa tha për Objektivin se do të kërkojë dëmshpërblim për të mbrojturin e tij.
“Pranimi i fajësisë është bërë në provat që nuk kanë mundur me u rrëzu prej mbrojtës së të akuzuarit. Gjykata me rastin e marrjes së vendimit duhet me pas parasysh që i akuzuari ka qenë në arrati. Ne do të kërkojmë edhe dëmshpërblim në kuadër të procedurës penale, ne do ta përpjesëtojmë shumë e mjeteve financiare së bashku me dy të dënuarit me një proces tjetër gjyqësor”, potencoi Musa.
Gjykata e Prishtinës i kishte dënuar Kadri Rexhepin dhe Rrahim Hashimin në akuzat për mashtrim të Faton Dalladakut lidhur me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.
Rrahim Hashimi është dënuar me 3 vjet e 9 muaj, ndërsa i akuzuari Kadri Rexhepi me 3 vjet burgim. Sipas aktakuzës, Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi së bashku me Ekrem Likën, në vitin 2011-2012 kanë mashtruar Faton Dalladakun, prej të cilit kanë marrë 290.810.00 Euro, duke u prezantuar rrejshëm si njerëz të afërt të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit.