×
  • Opinione
  • Opinione

    Dështimi në Afganistan: Turp të na vijë të gjithëve!

    FrontOnline
    17 Gusht 2021

    Nuk ka një zgjidhje të mirë për dilemën afgane, të cilën presidenti amerikan, Joe Biden, e ka trashëguar nga paraardhësit e tij. Donald Trump bëri të ditur, si një nga vendimet e fundit si president, tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani. Paraardhësi i tij, Barack Obama, e humbi mundësinë ta përgatiste tërheqjen me argumentin e vlefshëm se invazioni pas eliminimit të Osama bin Ladenit kishte humbur kuptimin.

    Joe Biden ndodhet nën një presion të madh politik të brendshëm, që t’i japë fund kësaj lufte. Shumica e amerikanëve nuk duan më të rrezikojnë jetë njerëzish dhe të japin miliarda të tjera për një vend ku shumica e popullsisë nuk i sheh ShBA-në dhe aleatët si çlirues, por i lufton si pushtues. Dhe, Biden ka nevojë urgjente për suksese. Nëse shumë presidentë filluan luftëra për të fituar zgjedhje, ky president duhet t’i japë fund një lufte për të ruajtur mazhorancën e dobët në të dyja dhomat e Kongresit amerikan në zgjedhjet e ndërmjetme vitin e ardhshëm.

    Të gjitha këto duhet të merren parasysh në vlerësimin e situatës aktuale. Por, kompleksiteti i situatës nuk është aspak justifikim për dramën dhe katastrofën humanitare tani në Afganistan. Jo vetëm që u lanë pa mbrojtje, bashkë me familjet e tyre mijëra afganë që mbështetën ushtaret e ushtarët perëndimore këto dy dhjetëvjeçarë, por aleanca ushtarake nuk duket se është në gjendje të vendosë në siguri civilët e saj. Si është e mundur që nuk u evakuuan më parë punonjësit e ambasadave, të organizatave joqeveritare dhe grupimeve të tjera, para se ushtria të linte pjesë të tjera të vendit duke e hapur rrugën për marshimin fitimtar të talibanëve? Si është e mundur që ende, para disa ditëve, ekspertë në Shtëpinë e Bardhë pretendonin se Kabuli nuk do të bjerë kaq shpejt?

    Tani sundon thjesht paniku në kryeqytetin afgan, sepse ushtria afgane natyrisht e ndërron shpejt flamurin. Nga frika e pushtetit të madh të talibanëve, por edhe sepse nuk ia vlente të luftoje për një qeveri të korruptuar të drejtuar nga presidenti Ashraf Ghani po ashtu i korruptuar. Çfarë të thotë kjo për cilësinë e shërbimeve sekrete dhe njohjen e situatës në vend? E, çfarë vlere kanë para kësaj gjendjeje, fjalët e Joe Bidenit, që tha me gojën plot se nga Afganistani nuk vjen më rrezik terrorizmi dhe prandaj vendi do t’i lihet vetes?

    Lufta në Afganistan filloi si reagim pas sulmeve terroriste kundër ShBA-së më 11 shtator 2001. Me një logjikë jo shumë të kuptueshme, Joe Biden bëri të ditur se në 20-vjetorin e sulmit terrorist, tërheqja ka përfunduar. Ndoshta me shpresën e mbylljes të një kapitulli tjetër jo të lëvdueshëm të invazioneve në historinë amerikane dhe në monumentin përkujtimor në Nju-Jork të deklarohet e fituar lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar.

    Por, në këto 20 vjet nuk është fituar asgjë. Vetëm është humbur shumë besueshmëri. Edhe tek ata që me gatishmërinë e tyre për të mbështetur aleancën perëndimore, nuk rrezikuan vetëm jetën e tyre, por edhe të familjeve të tyre, dhe tani u  lanë për turp në baltë. Kjo ka bëjë me të gjithë ne. Ne të gjithëve duhet të na vijë turp. /DW/

    Nga Rubrika
    Opinione25 Nëntor 2024
    Shkruan: Ben Blushi 116 vjet më parë, në vitin 1908, aty nga ora 12 paradite, e datës 20 nëntor, që binte e...
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Të tjera
    Lajme25 Nëntor 2024
    Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari- Lila, nuk ka komentuar fjalimin e presidentes Vjosa Osmani në adresimin e saj...
    Vip25 Nëntor 2024
    Mëngjesi i sotëm ka nisur i tensionuar për dy banoret e shtëpisë, Gresën dhe Xhenetën. Ato kanë debatuar me njëra-tjetrën me tone...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, sot në Vushtrri do ta shpalosë programin për arsim. Ky projekt sipas LDK-së, synon ta transformojë arsimin...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Shqelma në bark, kokë, këmbë… Një tavolinë e hedhur drejt saj… Dhunën që A.H. e përjetonte brenda mureve të shtëpisë së saj...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Sot, është inauguruar fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial Drenas 2, i inciuar nga Ministria e Industrisë, Ndëmarrësisë dhe Tregtisë,...
    Bota/Rajoni25 Nëntor 2024
    Për nder të përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Komuna e Deçanit nderoi nënkolonelin e ushtrisë shqiptare, Besnik Fana, duke i dhënë titullin...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.