Valentina Bunjaku-Rexhepi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kritikoi ashpër veprimin e Vetëvendosje për bojkotimin e seancave duke e cilësuar mungesën e pjesëmarrjes si një shenjë të qartë të papërgjegjshmërisë nga ana e shumicës parlamentare.
‘’Shumica parlamentare dhe nga Vetëvendosje, po tregon mungesë të qartë të përgjegjshmërisë duke mos marrë pjesë në debatet për skandalet qeveritare, duke lënë në hije çështje të rëndësishme’’, tha Bunjaku-Rexhepi.
Ajo theksoi se duke u larguar nga seancat, ata po kontribuojnë në errësimin e procesit të qeverisjes dhe po shmangin transparencën që qytetarët kërkojnë. Bunjaku-Rexhepi theksoi se mospranimi në debatet mbi skandalet tregon frikën e pushtetit për t’u përballur me pyetje dhe akuza të rëndësishme, duke lënë çështje thelbësore si korrupsioni dhe keqmenaxhimi të paadresuara.
‘’Duke u larguar nga seancat, ata po kontribuojnë në errësimin e procesit të qeverisjes dhe në mungesën e transparencës që kërkohet nga qytetarët. Mospranimi në debatet e skandaleve tregon frikën e pushtetit të LV-së për t’u përballur me pyetje dhe akuza, duke sugjeruar se ata nuk kanë argumente të forta për t’i mbrojtur veprimet e tyre’’, deklaroi deputetja për Front Online.
Ajo gjithashtu nënvizoi se shumica po e kufizon diskutimin në tema të reja dhe po e lë opozitën pa mundësi për të shprehur shqetësimet e saj, madje pa siguruar as transmetimin e debatit nga media, si RTK-ja.
‘’ Mospranimi në debatet e skandaleve tregon frikën e pushtetit të LV-së për t’u përballur me pyetje dhe akuza, duke sugjeruar se ata nuk kanë argumente të forta për t’i mbrojtur veprimet e tyre. Shumica po përjashton mundësinë e një debati të ndershëm, duke e kufizuar diskutimin në tema të reja dhe duke e lënë opozitën pa mundësi për t’u shprehur, madje edhe pa transmetimin nga RTK-ja’’, potencoi Bunjaku-Rexhepi.
Kjo, sipas saj, është një shkelje e parimeve demokratike që kërkojnë pjesëmarrje aktive të të gjithëve.
‘’ Të mos marrin pjesë në seanca është një shkelje e parimeve demokratike, që kërkojnë pjesëmarrje aktive te të gjithëve’’, tha deputetja.
Bunjaku-Rexhepi përfundoi duke paralajmëruar se kjo sjellje do të ndikojë negativisht në besimin e qytetarëve në institucionet e qeverisë dhe në procesin politik në tërësi.
Ajo e cilësoi këtë si arrogancë politike dhe shprehu besimin se qytetarët do ta ndëshkojnë Qeverinë Kurti në zgjedhjet e ardhshme për mos punë dhe korrupsion.
‘’Kjo sjellje ndikon negativisht në besimin e qytetarëve në institucionet e qeverisë dhe në procesin politik në tërësi, dhe shyqyr që më 9 shkurt, edhe do ta ndëshkojnë për mos punë, edhe për korrupsion, Qeverinë Kurti. Mos prania në debatet e skandaleve nënkupton që ata nuk janë të interesuar për shqetësimet e qytetarëve dhe për zgjidhjen e problemeve të tyre’’, përfundoi deputetja.