
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, për herë të parë do të jenë bashkë në opozitë. Megjithëkëtë, sipas deputetit të VV-së, Rexhep Selimi, qëndrimet e kësaj partie ndaj PDK-së nuk do të ndryshojnë.
“Pse ne jemi për herë të parë bashkë me PDK-në në raportin e opozitës në Parlamentin e Kosovës, kjo nuk do të thotë që ne të kemi qëndrime të tjera për PDK-në, e as për LDK-në. Thjeshtë ne do të jemi ashtu siç jemi, partia më e madhe ne Kuvendin e Kosovës dhe jo vetëm partia më e madhe opozitare, por partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës, fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe do të vazhdojmë të sillemi si fitues”, ka thënë ai për Front Online.
Selimi poashtu ka theksuar se do të vazhdojnë edhe me përfaqësimin e qytetarëve që e kanë nxjerr VV-në si fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Ne do të vazhdojmë që t`i përfaqësojmë qytetarët që kanë përcaktuar tashmë fituesin. Kjo nuk nënkupton që ne do të kemi qëndrime të ndryshme, prej asaj që kemi menduar dhe që mendojmë për PDK-në, pse kemi rastisur që të jemi në raport të dyja subjektet përballë një mazhorancë tashmë jolegjitime të krijuar”, ka thënë ai për Front Online.