Deputeti i Lidhjes Demokratike, Faton Bislimi, thotë se gabimi i madh i LDK-së është që ka bashkëqeverisur me PDK-në, por sipas tij, kjo assesi nuk e bën bashkëfajtore partinë e tij për kapjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Bislimi thotë se LDK-ja do duhej ta kishte një aferë ‘pronto’ sikurse PDK-ja për t’u akuzuar njëjtë.
“Nëse dikush ka problem me ligjin e barttë me shëndet, por neve nuk na bën nder ajo. Të citosh raporte edhe të Departamentit të Shtetit edhe të BE-së dhe të thuash që bashkëfajtorë për kapjen e shtetit është edhe PDK edhe LDK, nuk qëndron. Se drejtësia është e kapur, ne jetojmë këtu dhe do të ishte çmenduri po të mendohej ndryshe, por që barasvlerë në fajin e kapjes së drejtësisë ka si PDK dhe LDK nuk qëndron”.
Bislimi në Rubikon tha se PDK-ja gjithmonë ia ka keqpërdorur bashkëqeverisjen me LDK-në dhe se këtë e kanë bërë “siç di më së miri PDK-ja”.
“Ajo që qëndron dhe që e kemi parë të gjithë është se ne jemi fajtorë si LDK që ia kemi dhënë mundësinë LDK-së me bashkëqeverisë me neve se këta e kanë keqpërdorë edhe me sistemin e ‘prontos’ edhe me sistemet tjera, është përgjegjësi vetëm e PDK-së dhe jo e LDK-së. Ajo për çka angazhohemi sot dhe në të ardhmen është që drejtësia të jetë fer. Unë s’e di që ne si LDK kemi një rast ‘pronto’, nëse kemi na tregoni dhe kërkojmë falje publike duke thënë se kemi qenë barabartë me këta fajtorë”.
“Pra, faji i madh i LDK-së është që ne iu kemi dhënë mundësi me bashkëqeverisë me neve dhe sa herë ia kemi dhënë këtë mundësi, këta e kanë keqpërdorur në mënyrën që këta dinë më së miri”.
Gjithashtu, deputeti i LDK-së po kërkon që për nënkryetarin e partisë së tij, Haki Rugova, që u arrestua nën dyshimin se keqpërdori detyrën zyrtare, të pritet vendimi i gjykatës dhe të mos njolloset publikisht deri atëherë.
Për më tepër, arrestimin e tij ai e ka quajtur shou medial që iu ka ndodhur edhe shumë politikanëve të tjerë, përfshirë edhe ata që në fund dolën të pastër nga procesi gjyqësor, njofton Klan Kosova.
“Duhet të kihet parasysh postulati i madh që gjithkush është i pafajshëm deri në momentin e shpalljes fajtor.Ky është shou medial sepse na ka rastisur me pa edhe herëve tjera kur janë bërë arrestime të ngjashme të liderëve me pompozitet të lartë medial dhe në fund gjykata ka vendosur se kanë qenë të pafajshëm. Pra, duhet të ruhemi aq sa mundemi nga krijimi i gjykimeve publike për secilin personalitet dhe njeri, sepse njolla publike që i vendoset dikujt është vështirë të largohet përkundër faktit se drejtësia di ta vendosë drejtësinë ashtu siç duhet. Këta njerëz që po i gjykojmë apo që janë gjykuar publikisht kanë mbetur me barrën e atij gjykimi publik”.