Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla ka reaguar ndaj mbylljes së tregut të kafshëve, automjeteve dhe veglave në gjithë Kosovën.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Syla ka thënë se nga këto veprimtari mijëra familje në Kosovë sigurojnë ekzistencën.
“Sot është ditë e shtunë. Në Pejë është ditë pazari. Por, tregu i automjeteve dhe veglave të punës në Raushiq është i mbyllur. Njëjtë qëndron çështja edhe me tregun e kafshëve në Llabjan. Nga këto tregje dhe të ngjashme me këto, si në Pejë por edhe në tërë Kosovën, sigurojnë kafshatën e bukës mijëra familje”, ka shkruar Syla.
Sipas Sylës, shfrytëzimi I këtyre tregjeve me rekomandimet e ekspertëve mjekësor, është më se i mundshëm.
“Është e papranueshme, që edhepse janë në ambient të hapur, këto tregje të mbeten të mbyllura në gjendjen e skamjes, të krijuar nga masat kundër pandemisë.Shfrytëzimi i këtyre tregjeve me rregullat e ekspertëve mjekësor, është më se i mundshëm. Organet kompetente, duhet të heqin ndalesën dhe këto tregje të hapen sa më shpejt”, është shprehur deputeti Syla.