×
  • Lajme
  • Lajme

    Deklaratat gjatë tubimeve, brenda një dite PZAP i gjobiti partitë me 35 mijë euro

    FrontOnline
    16 Janar 2025

    Brenda një dite, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 35 mijë euro ndaj partive politike për shkelje gjatë fushatës zgjedhore. Gjoba më e lartë e shqiptuar është në vlerë 20 mijë euro. Afati për shlyerjen e tyre është 15 ditë, nga plotfuqishmëria e vendimit. Por, cilat janë partitë që u gjobitën dhe arsyet?

    Të shtunën ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt. Prej asaj dite, partitë politike çdo ditë kanë mbajtur tubime. Por, gjuha e përdorur në to, disa prej partive u ka kushtuar shtrenjtë.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjatë ditës së djeshme ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 35 mijë euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.

    Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 20 mijë euro, pas një ankese nga Lëvizja Vetëvendosje. Këtë shumë, LDK ka afat ta paguajë për 15 ditë.

    VV’ja ka pretenduar se kandidatja për deputete e LDK’së, Xheneta Syka, me shpërndarjen e një video, ka krahasuar kryeministrin Albin Kurti me Adolf Hitlerin.

    Në përgjigje, LDK ka kundërshtuar ankesën, duke thënë se origjina apo burimi i fotos së bashkangjitur në ankesën e VV’së, është e përpunuar dhe postuar nga krejt dikush tjetër dhe jo nga kandidatja e tyre dhe se kësisoj nuk mund të ketë masë sanksionuese.

    Mirëpo, PZAP thotë se pas hulumtimit e ka gjetur këtë video në faqen e një portal lokal dhe se përdorimi i një gjuhe të tillë është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    VV ka dorëzuar ankesë edhe ndaj Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. PZAP për këtë ankesë e ka gjobitur AAK’në me 12 mijë euro.

    “Detyrohet Subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me seli në Prishtinë, që gjobën e shqiptuar si në pikën -II- të dispozitivit të këtij vendimi, ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi”, thuhet në vendim.

    Ankesa pretendon se kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, “ka drejtuar akuza të baza dhe të pa vërtetuara” duke iu drejuar me fjalët “duhet me hekë mashtruesin” dhe “dojmë poashtu me rrit mbrojtjen, nuk dojme me bo lojna me sigurinë nacionale pas shpinës së aleatëve tonë, e në interes të Rusisë e Serbisë nga argati i tyre” dhe “shko Albin te prokurori, se nuk po dojmë me u vjedhë rezervat shtetërore, buka e ushtarit, as te energjia, shko te prokurori bashkë me hajnat se je shef i hajnave”.

    Në vendim përmendet edhe një deklaratë e kandidatit Ardian Gjini, ku pretendohet se thotë “është byro e korrupsionit”.

    AAK në përgjigje ka kundërshtuar ankesën duke thënë se e gjithë ankesa është parashtruar mbi bazën e një lajmi të publikuar në një medium ku është parafrazuar.

    “Pra Kryetari i Subjektit politik AAK, Ramush Haradinaj, në asnjë pjesë të fjalimit të tij politik të datës 12.01.2025 nuk ka përdorur shprehjet e specifikuara në ankesë”.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar ankesë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, për çka PZAP e ka gjobitur VV’në me 3 mijë euro.

    Ankesa e LDK’së është për deklarimet e kreut të VV’së, Albin Kurti, gjatë tubimit në Pejë, se ka përdorur terme pezhorative për këtë parti.

    LDK ka dorëzuar tri video, ku pretendon se “shihet qartë gjuha nxitëse, provokuese, denigruese, fyese e nënçmuese, terme pezhorative, përbuzje dialektike, provokime direkte ndaj kundërshtarëve politik, me theks të veçantë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Aty theksohet deklarata e Kurtit: “Prandaj kur na rastit të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LËDËKYHIT që thotë se po i pëlqen populli, populli ka simpati për ta, kjo mi përngjan asaj mizës që thoshte kudo që po shkoj po më presin me duartrokitje….kur ata thonë që populli po i pëlqen ata është asi ajo miza që lëvdohej që njerëzit po e presin me duartrokitje e ju e dini shumë mirë që me ato duar që duartrokasin çfarë janë duke provuar t’i bëjnë asaj mizë”.

    PZAP ka konstatuar se këto deklarata janë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

    Ndërkohë, PZAP ka refuzuar sit ë pabazuar ankesën tjetër të LDK’së ndaj VV’së, me pretendimin se kjo parti ka mbajtur tubim politik në objekte fetare, saktësisht në odën e xhamisë në Kozaric.

    “Paneli me rastin e shikimit të shkresave të lëndës, vlerësoi se paraqitësi i ankesës nuk ka arritur që me sukses t’i argumentojë pretendimet e veta, pasi që nga fotografitë të cilat paraqitësi i ka bashkangjitur si dëshmi ankesës, nuk mund të vërtetohet se nga ana e subjektit politik LVV, është përdorur ndonjë objekt fetar për fushatë zgjedhore”, thuhet në vendim.

    Partitë e gjobitura kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve pas pranimit të vendimit./Reporteri

    Nga Rubrika
    Lajme16 Janar 2025
    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të enjten...
    Lajme16 Janar 2025
    Shoqata e Transportit Prishtinë – Podujevë në ka pezulluar përkohësisht aktivitetin e saj për shkak, siç thotë, “shkeljeve flagrante të të drejtave...
    Lajme16 Janar 2025
    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro për shkak të gjuhës së përdorur nga kryeministri,...
    Të tjera
    Vip16 Janar 2025
    Dy banorët e BBVK3, Driloni dhe Leo kanë qëndruar për pak minuta larg festës së organizuar sonte. Ata e lanë ndejën për...
    Lajme16 Janar 2025
    Policia në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, që shihet në...
    Lajme16 Janar 2025
    Profesori i Shkencave Juridike, Kadri Kryeziu, për FrontOnline thotë se Asociacioni nuk është diçka pozitive dhe për këtë nuk po përmendet në...
    Lajme16 Janar 2025
    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të mërkurën se dy shtete të tjera pritet të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, raporton...
    Zgjedhjet 202516 Janar 2025
    Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku sot do të zhvillojë disa aktivitete. E fillon në qytetin e Gjakovës, kurse e përfundon...
    Lajme16 Janar 2025
    Studentët në Serbi u distancuan nga organizatat ekstremiste, që u shfaqën në një protestë para Gjykatës Kushtetuese në Beograd, në fund të...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.