
Ndërsa lufta me Iranin po zgjatet, SHBA-ja po kërcënon gjithnjë e më shumë me përdorimin e masave ekonomike për të ushtruar presion ndaj Teheranit. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u zotua javën e kaluar për masa ekonomike që “nuk janë parë kurrë më parë”, ndërsa Presidenti Donald Trump premtoi një “DITË D EKONOMIKE”.
SHBA-ja ka përdorur sanksione kundër Iranit për pothuajse 50 vjet dhe nuk është e qartë se çfarë masash mund të ndërmarrin Trump dhe Bessent. Trump bëri deklarata kontradiktore për gjendjen e bisedimeve në fillim të javës, ndërsa statusi i negociatave mbetet i paqartë.
CNN shkruan për gjendjen e luftës në këtë pikë:
Trump kërcënon me dhimbje ekonomike: Presidenti tha këtë javë në Truth Social se SHBA-ja do të fillonte “OPERACIONIN EKONOMIK MË DËRRMUES QË ËSHTË NDËRMARRË NDONJËHERË KUNDËR NDONJË VENDI”, por nuk dha detaje të mëtejshme se çfarë masash do të përfshinte një operacion i tillë. Trump tha gjithashtu se do të kishte pasoja ekonomike për çdo “vend që lejon institucionet e tij financiare, bizneset, aeroportet ose entitetet qeveritare të ofrojnë çfarëdo lloj mbështetjeje për Iranin”.
Irani kundërpërgjigjet: Shefi i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, Mohsen Rezaei, është zotuar të “neutralizojë luftën ekonomike” dhe ka kërcënuar se do të ndalojë rrjedhën e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit. Një aleat i afërt i liderit suprem të Iranit tha se retorika e fundit e Trumpit buron nga “dëshpërimi”, raportuan mediat gjysmëzyrtare iraniane.
Bessent do të mbajë konferencë për media: Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, pritet të mbajë një konferencë për media në orën 14:00 sipas orës së Lindjes së SHBA-së të hënën, ndërsa administrata Trump po shton kërcënimet e saj ekonomike ndaj Teheranit.
Çmimet në SHBA: Lufta po ushtron gjithashtu presion ekonomik mbi SHBA-në, por Trump i minimizoi këto efekte, duke e quajtur konfliktin “një devijim të vogël”, ndërsa fajësoi demokratët për inflacionin dhe premtoi se çmimet e benzinës së shpejti do të ulen.
Zhvillimet e fundit në ngushticë: Irani u ka dhënë leje një numri cisternash irakiane të naftës për të kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, raportoi sot agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar agjencinë shtetërore iraniane Islamic Republic News Agency. Trafiku detar përmes ngushticës mbetet shumë më i ulët se nivelet para luftës, por numri i anijeve që kaluan ngushticën u rrit me 27% gjatë javës së kaluar, sipas një analize të CNN.