Janë bërë katër vite prej se Qeveria “Kurti” erdhi në pushtet. Këto vite, shënojnë një periudhë me sfida të mëdha, suksese të pjesshme, por edhe kritika të shumta karshi saj. Qeveria ka hyrë në mandat me premtime të forta për ndryshime thuajse radikale në shtetndërtim, zhvillim ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët. Megjithatë, ka pasur shumë përplasje dhe vështirësi në realizimin e disa prej premtimeve kryesore, shumica e të cilave kanë dështuar të realizohen, raporton FrontOnline.
Ajo është kritikuar për dështime në fushat e arsimit, diplomacisë, shëndetësisë, investimeve dhe ekonomisë, ku ka pasur vështirësi në realizimin e premtimeve dhe krijimin e mundësive për rritjen e mirëqenies ekonomike
Në diplomaci, qeveria është përballur me kritika të ashpra, veçanërisht në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë por edhe për raportet me aleatët. Pas një periudhe të intensifikuar të angazhimit ndërkombëtar dhe pritshmërive për arritje të marrëveshjeve të qëndrueshme, Kosova nuk ka arritur të sigurojë njohje ndërkombëtare, përkundrazi ka pasur përplasje me disa shtete të rëndësishme që kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Njohja e fundit ka ardhur dje, nga Kenia, të cilën e ka sjellur ish-shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli.
Në aspektin ekonomik, qeveria është kritikuar për performancën e ngadaltë dhe për mungesën e investimeve të huaja direkte. Sektori privat ka raportuar për kushte jo të favorshme për bizneset dhe ka pasur një rritje të vogël të mundësive për punësim, veçanërisht për të rinjtë. Edhe pse janë ndërmarrë disa masa për rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe përkrahjen e bizneseve të vogla, ka pasur vështirësi në krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm ekonomik. Dështimi për të krijuar një plan të qartë për zhvillimin ekonomik dhe për ta përmirësuar situatën e mundësive të punësimit ka mbetur një nga kritikët më të mëdha ndaj kësaj qeverie.
Dështimi për të siguruar një shërbim shëndetësor më cilësor dhe për të garantuar kushte më të mira për punonjësit e shëndetësisë ka qenë një ndër dështimet më të theksuara të kësaj qeverie. Sistemi shëndetësor ka vuajtur gjithashtu nga mungesa e specialistëve, ku shumë qytetarë janë detyruar të kërkojnë shërbime jashtë vendit për trajtime që duhej të ofroheshin në brendësi të Kosovës.
Megjithatë, një nga aspektet që ka marrë vlerësime pozitive është angazhimi i Qeverisë Kurti për forcimin e sovranitetit të Kosovës, veçanërisht në Veri. Gjatë mandatit të saj, sipas përkrahëse pro-qeveritar, qeveria ka bërë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e kontrollit shtetëror në zona që kanë qenë të vështira për Qeverinë. Kjo përfshin zbatimin e ligjit dhe vendosjen e administratës shtetërore në rajone që ishin të mbushura me sfida dhe kundërshtime nga grupe të caktuara.
Lladrovci i PDK-së: Këto janë tri dështimet e Kurtit dhe ky është suksesi i vetëm i tij
Kryetari i Drenasit dhe ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, ka folur për FrontOnline, mbi punën katër vjeçare të Qeverisë Kurti në aspektin diplomatik dhe atij lokal.
Për Lladrovcin, dështim i Qeverisë Kurti është diplomacia, kontratat një burimore dhe punësimet politike.
‘’Tri dështime, për këto katër vjet të kësaj Qeverie i shoh në diplomaci, kontratat njëburimore dhe punësimet politike’’ deklaron ai.
Ndërkaq sipas tij, në nivelin lokal, dështim i Qeverisë është ndalja e zbatimit të projekteve të filluara nga ana e Qeverisë dhe mos finalizmi i tyre gjatë këtij mandati.
‘’Në nivel lokal, dështim e kësaj Qeverie shoh te ndalja e zbatimit të projekteve të filluara kapitale të Qeverisë së mëparshme dhe mos finalizimi gjatë një mandati, zbatimin e Kontratës kolektive për arsim dhe shëndetësi duke dëmtuar rëndë projektet e investimeve kapitale, mungesa e projekteve të reja që bëjnë përmirësimin e jetës së qytetarëve, ujë-energji-ambient dhe mungesa e qeverisjes lokale në veri dhe konceptit “cep më cep’’ tha ai për FrontOnline.
Si suksese të Qeverisë Kurti, Lladrovci e sheh motivimin për legalizimin e vendeve të punës.
‘’Sukses të kësaj qeverie në nivel qendror e shoh motivimin për legalizimin e vendeve të punës, planet për investimet në sport dhe rritja e buxhetit për mbrojtje’’ u shpreh ai.
Bajrami përmend tri dështimet e Qeverisë “Kurti”: Dyfishimi i çmimit të rrymës, thellimi i deficitit tregtar dhe inflacioni i lartë
Ish-ministrja e tregtisë dhe industrisë, po ashtu edhe ish-ministre e Financave, tani deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami për FrontOnline, ka folur për punën katër vjeçare të Qeverisë Kurti, në fushën e ekonomisë, duke numëruar dështimet e kësaj Qeverie në aspektin ekonomik.
Sipas Bajramit, Qeveria Kurti në ekonomi ka vetëm dështime ku i ka listuar tri nga to.
‘’Në ekonomi ka vetëm dështime, por meqë po kërkoni tri në veçanti unë po përmend: dyfishimi i çmimit të energjisë elektrike, thëllimi i deficiti tregtar dhe inflacioni i lartë. Në përgjithësi gjendja socio-ekonomike kurrë më e rëndë nuk ka qenë; gjatë këtij mandati Kosova ka përjetuar rritjen më të madhe të çmimeve që nga shpallja e pavarësisë, është rritur çmimi i energjisë elektrike dy herë dhe tani është në proces rritja për herë të tretë’’ thotë ajo.
Bajrami vazhdon me kritikat ndaj Qeverisë, për mos rritjen e pagave, për mos zhvillim dhe për mungesë të politikave reformuese.
‘’Nuk janë rritur pagat, ato janë rritur vetëm për stafin politik, ndërsa për të tjerët rritja ka qenë pothuajse e pavërejtshme. Nuk ka pasur zhvillim, nuk ka pasur asnjë politikë reformuese për të përmirësuar ambientin e biznesit, për më tepër shumica e institucioneve që janë të thirrura t’iu shërbejnë bizneseve kanë qenë jofunksionale pothuaj gjatë tërë mandatit si: OSHP, KPMM, AK, KNSH, etj’’ shprehet ajo.
Sipas saj, edhe investimet kapitale kanë qenë më të ulëtat në historinë e pasluftës, duke deklaruar se asnjë projekt kapital nuk ka përfunduar dhe ka nga ato që kanë mbetur në gjysmë.
‘’Investimet kapitale të nivelit qendror kanë qenë më të ulëtat në historinë e pasluftës, nëse marrim parasysh këtu edhe inflacionin që ka ndodhur. Nuk ka përfunduar asnjë projekt kapital, as ato që në fillim të mandatit ishin në gjysmë si: rruga për Mitrovicë, rruga për Pejë, rruga për Podujevë, rruga për Gjilan, rruga Doll-Gjakovë etj. Është dyfishuar kostoja e jetesës së qytetarëve dhe është rritur numri i familjeve që jetojnë në varfër. Ligji për pagën minimale nuk po zbatohet. Rasti i grave që kanë punuar në mirëmbajtjen e ndërtesës së Kuvendit e ka shpërfaqur paaftësinë e kësaj qeverie që as brenda institucioneve s’mund të zbatojnë ligje’’ potencon Bajrami për FrontOnline.
Deputetja e LDK-së, po ashtu shprehet se gjitha investimet e huaja kanë qenë në blerje të banesave, duke u thelluar deficiti tregtar.
‘’Investimet e huaja janë krejt në blerje banesash nga ana e mërgatës sonë. Është thelluar deficiti tregtar. Kosova e ka mbyllur vitin 2024 me 5.4 miliardë euro deficit tregtar, e ky deficit po thellohet tutje në vitin 2025. Kosova për shkak të sanksioneve të vendosura nga BE Kosova ka humbur qindra miliona euro donacione. Kjo qeveri shquhet për skandale të korrupsionit. Në më pak se një mandat ka nënshkruar 2,123 kontrata njëburimore’’ shton ajo.
Ish-ministrja e ekonomisë, Hykmete Bajrami, ka përmendur edhe skandalet në aspektin ekonomik që kanë plasur gjatë mandatit qeverisës.
‘’Skandalet me tenderat e KEK-ut, ku njerëz pa asnjë funksion vendosin për tendera milionësh mandej rasti i Nagip Krasniqit, rasti i Martin Berishajt, rasti i Naser Hafizit, rasti i subvencioneve në MBZHR, rasti i subvencioneve në MKRS, rasti i subvencioneve të Ministrisë së Pushtetit Lokal, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe dhjetëra raste të tjera janë fenomene që e kanë kanë përcjellë këtë mandat katër vjeçar’’ përfundoj ajo për FrontOnline.
Analisti Pozhari: Veprimet në veri, shtesat dhe subvencionet kanë qenë ndër pikat e forta të kësaj Qeverie
Analisti politik, Xhevdet Pozhari, ka folur për punën katër vjeçare të Qeverisë Kurti, duke theksuar se shtritrja e ligjshmërisë në veri të vendit, ka qenë si suksesi kryesor i saj.
‘’Nëse shkurtimisht trajtojmë qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, përgjatë katër viteve përqendrimi kryesor ka qenë situata e sigurisë në Kosovë, respektivisht shtrirja e ligjshmërisë në veri dhe forcimi i sovranitetit edhe në përmbajtje, jo vetëm në dukje. Në këtë rrafsh, vlen të përmendet edhe shtimi i buxhetit për mbrojtjen’’ thotë Pozhari.
Sipas tij, situata me veriun e Kosovës si dhe shtesat dhe subvencionet kanë qenë pikat e forta të Qeverisë Kurti.
‘’Ndërsa, sa i përket inflacionit, kjo qeveri ka zgjedhur shtesat për kategoritë më të prekura, si dhe ka shtuar buxhetin për subvencione me qëllim të fuqizimit të prodhimit vendor. Pra, me pak fjalë: veprimet në veri, shtesat dhe subvencionet kanë qenë ndër pikat e forta të kësaj Qeverie që mendoj se kanë ndikuar në masë të madhe në rezultatin e zgjedhjeve’’ deklaron analisti Pozhari.
Pozhari, thotë se rritja e çmimeve në vend është duke iu referuar Qeverisë Kurti si dështim i saj.
‘’Ndërsa, kryetema kryesore e cila i është faturuar si dështim kësaj Qeverie ka qenë (dhe vazhdon të jetë) rritja e çmimeve të produkteve të ndryshme, rritja e kostos së jetesës në përgjithësi që është në shpërputhje me të ardhurat në Kosovë, duke përfshirë edhe shtrenjtimin e rrymës që më pas manifestohet në rritjen e çmimeve në të gjitha produktet dhe segmentet e jetesës. Nga kjo devijojnë edhe kritikat për stagnim të zhvillimit të vendit dhe mungesë e perspektivës, veçanërisht për shtresat e varfra dhe të mesme’’ përfundoi ai për FrontOnline
Ish-ministri Lekaj: Qeveria Kurti ka dështuar në infrastrukturë, këto janë top tri dështimet
Ish-ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj, për FrontOnline, ka folur mbi punën qeverisëse të Qeverisë Kurti, veçmas në apskeitn infrastrukturor.
Sipas Lekajt, në fushën e infrastrukturës, Qeveria Kurti ka më shumë dështime se sa suksese.
‘’Nëse analizojmë katër vitet e qeverisjes Kurti në fushën e infrastrukturës, shohim më shumë dështime sesa suksese’’ shprehet ai.
Lekaj, ka veçuar tri dështimet e Qeverisë në apsketin infrastrukturor.
‘’Po i veçoj tri prej tyre: 1. Bllokimi dhe vonesat në projekte kyçe – Autostrada e Gjilanit është një shembull konkret ku kjo qeveri ka vonuar punimet, duke dëmtuar qytetarët dhe bizneset e rajonit. E njëjta situatë ka ndodhur me rrugën Prishtinë-Pejë , Gjakovë-Dollc, projektet në Dukagjin. 2. Dështimi me mirëmbajtjen e rrugëve dhe sigurinë rrugore – Nuk ka pasur investime të duhura në mirëmbajtje, sidomos në rrugët nacionale dhe rajonale, mungesa e ndriçimit dhe sinjalizimi i dobët kanë ndikuar negativisht në sigurinë e qytetarëve. 3. Politizimi dhe mungesa e vizionit për transportin publik dhe infrastrukturën moderne – Për katër vite nuk kemi parë asnjë projekt të rëndësishëm për transportin urban e ndërurban, nuk është ndërtuar asnjë kilometër i ri i hekurudhës dhe nuk është avancuar ideja për ndonjë formë transporti modern për kryeqytetin’’ deklaron Lekaj,
Ish-ministri i infrastrukturës i sheh si të humbura këto vite për Kosovën.
‘’Megjithatë, në përgjithësi, këto katër vite kanë qenë të humbura për infrastrukturën e Kosovës, dhe qytetarët po i ndjejnë pasojat e kësaj paaftësie’’ përfundoi Lekaj për FrontOnline.
Ish- ministri Reçica kritikon politikat sociale të Qeverisë: Masat janë pa efekt dhe pa strategji – E përmend edhe këtë sukses
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për FrontOnline ka kritikuar ashpër veprimet e ndërmarra nga Qeveria Kurti në fushën e çështjeve sociale gjatë katër viteve të qeverisjes, duke theksuar se shumë nga masat kanë mbetur në nivel deklarativ dhe se nuk janë arritur rezultate të qëndrueshme.
‘’ Veprimet e ndërmarra në fushën e çështjeve sociale gjatë katër viteve të qeverisjes Kurti, fatkeqësisht, kanë mbetur kryesisht në nivel deklarativ. Në vend që të ndërtohej një sistem funksional, i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës i mbrojtjes sociale, kemi qenë dëshmitarë të masave të fragmentuara, vendimeve ad hoc dhe mungesës së një vizioni të qartë strategjik që do të garantonte barazi dhe mirëqenie sociale për të gjithë qytetarët’’ thotë ai.
Ai e cilësoi dështimin në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes sociale.
‘’Dështimet më të theksuara në fushën e punës dhe mirëqenies sociale përfshijnë: Së pari, mungesa e reformës së paralajmëruar në Skemën e Ndihmës Sociale. Pavarësisht zotimeve publike, nuk është arritur të dizajnohet një model i ri që adreson në mënyrë efektive varfërinë ekstreme. Skema aktuale nuk e reflekton realitetin socio-ekonomik të vendit dhe vazhdon të jetë joadresuese për shumicën e familjeve që jetojnë në kushte të rënda sociale’’ potencoi ai.
Reçica renditi disa nga dështimet më të theksuara në fushën e punës dhe mirëqenies sociale gjatë kësaj periudhe:
‘’ Së dyti, neglizhenca ndaj sektorit privat në aspektin e mbrojtjes së punëtorëve. Punëtorët në këtë sektor vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve, duke punuar pa kontrata, pa sigurime shëndetësore dhe me paga jo-dinjitoze. Ndërkohë, fokusi i qeverisë ka qenë pothuajse ekskluzivisht në sektorin publik, duke thelluar pabarazitë dhe fragmentimin social. Së treti, qasja joefektive në politikat aktive të punësimit. Programet si “Superpuna” kanë pasur karakter demonstrativ dhe nuk kanë sjellë ndikim të qëndrueshëm në tregun e punës. Ka munguar një strategji e integruar për zhvillimin e kapaciteteve të fuqisë punëtore përmes trajnimeve profesionale, si dhe një partneritet i sinqertë me sektorin privat për krijimin e vendeve të reja të punës’’ shtoi ai.
Ish-ministri i punës dhe mirëqenies sociale, Reçica e pranoi rritjen e pagës minimale si një hap të nevojshëm, por e quajti atë të vonuar dhe të pjesshme.
‘’ Në aspektin e sukseseve, rritja e pagës minimale mund të konsiderohet një hap i nevojshëm dhe i shumëpritur për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, por ky hap erdhi me vonesë dhe në mënyrë të pjesshme’’ deklaroi ai për FrontOnline.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për përjashtimin e veteranëve të luftës çlirimtare nga përfitimet e kësaj politike.
‘’Shqetësues është fakti se kjo politikë la jashtë përfshirjes një nga shtresat më emblemë dhe me kontribut të pazëvendësueshëm në ndërtimin e shtetit, veteranët e luftës çlirimtare. Ata, që dikur dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e vendit, sot ndihen të anashkaluar dhe të harruar nga një qeveri që premtoi drejtësi sociale, por që po shpërfaq padrejtësi selektive në praktikë’’ u shpreh Reçica.
Reçica u shpreh se, kjo ka qenë një qeveri që ka folur shumë për drejtësinë sociale, por në praktikë ka dështuar të adresojë nevojat reale të qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht të atyre që mbijetojnë me ndihmë sociale, pa kontrata pune, pa sigurime dhe pa zë në vendimmarrje.
‘’ Për ta përmbyllur, kjo ka qenë një qeveri që ka folur shumë për drejtësinë sociale, por në praktikë ka dështuar të adresojë nevojat reale të qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht të atyre që mbijetojnë me ndihmë sociale, pa kontrata pune, pa sigurime dhe pa zë në vendimmarrje’’ vazhdoi ai.
Ai përfundoi duke theksuar se premtimet për ndryshim kanë mbetur të papërmbushura, ndërkohë që realiteti social në vend mbetet i pandryshuar për shtresat më të cenueshme.
‘’ Premtimet për ndryshim kanë mbetur të papërmbushura, ndërkohë që realiteti social në vend mbetet i pandryshuar për shtresat më të cenueshme’’ përfundoi Reçica.
Bedri Elezi: Kosova po Ballafaqohet me rrezik të madh sigurie, nevojiten veprime urgjente
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, për FrontOnline ka kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës dhe institucionet e sigurisë për performancën e tyre gjatë katër viteve të fundit, duke e konsideruar situatën e sigurisë si shumë problematike.
Ai ka deklaruar se “situata e sigurisë publike në Republikën e Kosovës ka degraduar shumë seriozisht,” dhe ka shtuar se “ditëve të fundit kemi pasur shumë raste që kanë shqetësuar qytetarët.”
‘’Situata e sigurise publike ne republikën e Kosovës ka degraduar shumë seriozisht, madje ditëve të fundit kemi pasur shumë raste të cilat vertet kanë shqetsuar qytetarët’’ potencon Elezi.
Për Elezin, kjo është një pasqyrë e performancës së dobët të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, të cilat kanë kontribuar në “cenimin e sigurisë publike” dhe kanë shkaktuar një klimë pasigurie të vazhdueshme.
‘’Performanca e dobët e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë është vetë cënimi i sigurisë publike në republikën e Kosovës. Jemi dëshmitarë të asaj se dënimet janë shumë të ulta, ka poashtu dyshime se në Kosovë mund tē blihet liria, dhe kështu shumë qytetarë të cilët e kanë konsideruar mundësinë e blerjës së lirisë kanë marrë veprime për kryerjen e veprave penale’’ shprehet ai.
Një pikë tjetër e rëndësishme që ai e thekson është dënimi i ulët që shqiptohet për krime dhe dyshimet se në Kosovë mund të “blihet liria”, një fenomen që, sipas tij, ka inkurajuar individë të caktuar që të kryejnë vepra penale.
‘’Vlen të theksohet edhe fakti se shume persona me precedent penal janë lënë të lirë dhe poashtu paraqesin rrezik serioz për sigurinë publike. Numri i madh i posedimit tē armëve pa leje nga persona inkompetent mbetet problem serioz i sigurisë publike’’ Shton tutje Elezi.
Ai gjithashtu kritikoi kryeministrin Albin Kurti për faktin se ai “nuk i është përgjigjur prokurorisë së shtetit,” një veprim që Elezi konsideron si një dështim të institucioneve të drejtësisë dhe një nxitje për qytetarët që të mos respektojnë autoritetin e ligjit.
‘’Kryeministri i republikën së Kosovës Albin Kurti, nuk i është përgjigjur prokurorisë së shtetit, ky rast ka ndikuar jashtëzakonisht në sigurinë publike, ngase shumë qytetarët janë inkurajuar për të mos i përgjigjën institucioneve të dretsisë. Institucionet kompetente, duhet urgjentisht të ndermarrin veprime konkrete operative për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjith qytetarët’’ përfundoi Bedri Elezi.
/FrontOnline/