×
  • Opinione
  • Opinione

    Çfarë mund të sjell ofensiva pranverore e Ukrainës?

    Simon Tisdall
    24 Prill 2023

    Nga: Simon Tisdall, The Guardian

    Kështu përfundon lufta: kundërofensiva e shumëpritur e pranverës e Ukrainës arrin të rimarrë disa apo edhe shumë territore të pushtuara. Por, forcat më të shumta të Rusisë, në pozicion mbrojtës pas fushave të minuara, pengesave natyrore dhe anti-blindave, ia dalin ta ruajnë kontrollin në shumë pjesë të Donbasit dhe të Krimesë. Teksa vjeshta fillon, gjërat janë të thjeshta. Nuk do të ketë fitues të vetëm.

    Mes shkatërrimeve të mëdha, humbjeve të mëdha ruse, mungesës së fuqisë punëtore të Ukrainës, mungesës së armëve dhe të pajisjeve, dhe zbehjes së oreksit për një luftë të pafund dërrmuese, mbështetësit perëndimorë të Kievit po fillojnë ta mbështesin armëpushimin e negociuar ose “armëpushimin e qëndrueshëm” – në pritje të zgjidhjes afatgjate. Kina gjithashtu ndërhyn në këtë ndërmarrje.

    Derisa e ruan pretendimin e vet për katër rajonet ilegalisht të aneksuara gjatë vitit të kaluar, Rusia përfundimisht pajtohet për një armëpushim të kushtëzuar. Vladimir Putini e përshëndet “neutralizimin strategjik” të Ukrainës. Presidenti Volodymyr Zelenskiy është i detyruar ta shtyjë përkohësisht përpjekjen për t’i rivendosur kufijtë e vendit të tij që ishin para vitit 2014.

    Si kompensim, Ukraina kursehet më tej nga humbjet e mëdha njerëzore, ekonomike dhe infrastrukturore, ndërsa ruan afërsisht 85 për qind të territorit të vet. Një “zonë e çmilitarizuar” e monitoruar ndërkombëtarisht, e stilit korean, ngrin vijat e frontit. Raketat nuk lëvizin më. Rindërtimi mund të fillojë. Refugjatët kthehen në shtëpi.

    ShBA-ja dhe aleatët e saj evropianoperëndimorë të NATO-s deklarojnë se e shpëtuan pavarësinë sovrane të Ukrainës demokratike dhe rendin global të bazuar në ligje. Polonia dhe shtetet e tjera të Evropës Lindore, janë më pak të sigurta për këtë. Sërish është në pikëpyetje pranimi i Ukrainës në BE. Anëtarësimi në NATO do të jetë edhe më i ndërlikuar, siç tregoi grindja Berlin-Bruksel e javës së kaluar. “Procesi i paqes” i zgjidhjes përfundimtare mund të zgjasë me vite. Konflikti i rinovuar do të jetë frikë e vazhdueshme.

    Nëse ky skenar, ose diçka e ngjashme ndodh gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë të pashmangshme shumë ukrainas do të ndihen të tradhtuar. Do të mbetet i paplotësuar premtimi i presidentit amerikan Joe Biden për të “bërë gjithçka që duhet” për ta zmbrapsur Rusinë. Putini do të mbetet në pushtet, pavarësisht krimeve të shumta mizore, transmeton Telegrafi.

    Megjithatë, ju pëlqen apo jo, ky gjithnjë e më shumë duket se është rezultati më i mundshëm. Është i qartë apeli i madh për armëpushim të qëndrueshëm. Kjo do ta ndalte masakrën, do të parandalonte përshkallëzimin Rusi-NATO me armë bërthamore, do të zbuste krizat globale ekonomike, energjetike dhe ushqimore, si dhe do të sillte një lloj paqeje. Shumëkush në Evropë dhe në jugun global, tashmë do të votonin për këtë.

    A është i pashmangshëm kompromisi i keq? Jo. Në teori, secila palë ende mund ta arrijë fitoren vendimtare. Por, ka më shumë gjasa të ketë mungesë të marrëveshjes, ngërç të përgjakshëm, të kushtueshëm, me intensitet të ulët që do të zvarritet me vite. Kjo perspektivë nuk i përshtatet askujt, përveç ndoshta Kinës dhe prodhuesve të armëve. “Në këtë sfond, po rriten në mënyrë të arsyeshme thirrjet për përfundim diplomatik të konfliktit”, theksoi Richard Haass gjatë javës së kaluar – ish-diplomat i lartë amerikan dhe me ndikim – si dhe profesori i Universitetit Xhorxhtaun, Charles Kupchan. “Perëndimi duhet të bëjë më shumë për ta ndihmuar Ukrainën që të përparojë në fushën e betejës, duke e vendosur më vonë – gjatë këtij viti – në pozicionin më të mirë të mundshëm në tryezën e bisedimeve.

    “Zgjidhja është përfundimi i luftës, duke e shtyrë rikthimin përfundimtar të tokës nën pushtimin rus “, thanë ata. Armëpushimi mbi këtë bazë “mund të parandalojë ripërtëritjen e konfliktit dhe … të përgatisë terrenin për paqe të qëndrueshme”.

    “Për aq sa të gjithë ne duam ta shohim çlirimin e shpejtë të territorit ukrainas, ofensiva pranverore ka pak gjasa të sjellë përfitime të mëdha”, theksoi gjatë javës e kaluar profesori i Universitet të Harvardit, Stephen Walt, një tjetër analist që është mirë i informuar.

    “Mendoj se shumica e zyrtarëve të lartë në administratën Bidenit, e kuptojnë këtë realitet mizor – pa marrë parasysh se çfarë ata thonë në publik”, shkroi Walt. “Në vend të kësaj, ata shpresojnë se forcat e armatosura të Ukrainës do të veprojnë mirë për ta bindur [Putinin] që të lëvizë drejt armëpushimit dhe që përfundimisht të negociojë për një marrëveshje të plotë të paqes”.

    Vlerësimet e zymta për perspektivat e Ukrainës – që rrodhën nga Pentagoni – dhe plani kohor i zgjedhjeve të Amerikës, i përforcojnë pritshmëritë për ndryshimin e kursit dhe mbështetjen e ShBA-së për bisedime gjatë kësaj vjeshte. Gjenerali më i lartë i Amerikës, Mark Milley, ka thënë se nuk pret se Ukraina do të ketë sukses në dëbimin e të gjitha forcave ruse – gjatë këtij viti.

    Gjatë vizitës së tij në Uashingtonin gjatë javës së kaluar, sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, e pranoi këtë me maturi. “Duhet të jemi realistë. Nuk do të ekzistojë asnjë moment i vetëm që Rusia të shembet me shkopin magjik”, tha ai.

    Wallace pretendoi, në mënyrë të pasinqertë, se Kievi, jo aleatët, do të vendosnin se kur do të fillojnë bisedimet. E kundërta ka më shumë gjasa që të jetë e vërteta. Britania është më e ashpër se shumica. Por, në pjesët e tjera po rritet presioni për të shkuar drejt bisedimeve, edhe kur këtë fundjavë diplomatët e BE-së dhe grupi i kontaktit i NATO-s në Ukrainë i diskutuan sanksionet shtesë dhe ndihmën ushtarake.

    Emmanuel Macroni, presidenti i Francës, thuhet se po i kërkon Kinës që të ndikojë te Putini. Shpërblimi është pranimi i heshtur për planet e Pekinit për Tajvanin. Luftëtari ngurrues i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka insistuar gjithmonë se vetëm dialogu do t’ia japë fundin luftës. Pyetjet shqetësuese varen nga aftësitë e Bidenit për t’i mbajtur nivelet aktuale të mbështetjes së ShBA-së.

    Është e qartë se liderët e Ukrainës i kanë vetëm disa muaj për t’i mposhtur rusët, para se presioni i heshtur i deritashëm ndërkombëtar, por në rritje për nisjen e bisedimeve – pavarësisht nëse i duan apo jo – bëhet i hapur dhe potencialisht i papërmbajtshëm. Me sa duket, Putini e di këtë. Kjo ia jep atij nxitjen shtesë për të mos lëshuar pe.

    Javën e kaluar, një grup i ish-diplomatëve të lartë u kërkuan me këmbëngulje qeverive ngurruese perëndimore që më në fund të “futen të gjithë në lojë” dhe të ofrojnë tanke më të mira, raketa me rreze më të gjatë veprimi dhe aeroplanë luftarakë “për ta hapur rrugën drejt fitores së Ukrainës”. Siç kërkoi Haass, “është koha që Perëndimi të mos e frenojë më veten”. Por, kjo tashmë mund të jetë tepër vonë. Shumë politikanë kanë ngurruar për një kohë të gjatë.

    Pra, gjithçka varet nga ofensiva e ardhshme. E quajtur tashmë si “dita më e gjatë e Ukrainës”, kjo mund t’i përcaktojë marrëdhëniet afatgjata të vendit – si me Lindjen, ashtu edhe me Perëndimin. Momentalisht, Zelenskiy, i mbështetur nga 64 për qind e ukrainasve, insiston – të paktën publikisht – në qëndrimet e veta maksimaliste: që të çlirohet edhe pëllëmba e fundit e territorit të pushtuar.

    Megjithatë, edhe kur trupat e tij lëvizin drejt pozicioneve të reja, Zelenskiy me siguri është i vetëdijshëm për planin e dytë dhe për kalkulimet politike që po bëhen prapa shpinës së tij – nga aleatët. Për t’ia dhënë fundin dhimbjes dhe vuajtjes, ukrainasve shpejt mund t’u kërkohet që ta gëlltisin një pilulë të hidhur.

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Bota/Rajoni24 Nëntor 2024
    Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha të dielën se Ukraina duhet të forcojë mbrojtjen e saj ajrore ndërsa ushtria ukrainase rrëzoi 50 nga 73...
    Vip24 Nëntor 2024
    Nea Body Center ka bërë që banorët e shtëpisë më të famshme në vend, të përjetojnë magjinë e trajtimit të lëkurës. Megjithatë,...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur tubimin e saj të shtunën në Ferizaj. Aty LDK ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në varrimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Behgjet Hetemi, i cili vdiq nga sëmundja e kancerit...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Gjatë një feste ortodokse sot në Manastirin e Deçanit, Policia e Kosovës ka hasur në një veturë të dyshuar me targa malazeze....
    Lajme24 Nëntor 2024
    Policia në Gjilan një shoferit i ka marrë lejen e vozitjes, i ka dhënë tri pikë negative, dhe e ka gjobitur me...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.