×
  • Opinione
  • Opinione

    Çfarë Marrëveshjesh kemi

    Blerim Shala
    02 Nëntor 2023

    SHKRUAN: BLERIM SHALA

    Tashmë e parë.

    Kaq shkurt dhe kaq thjeshtë do të mund të përshkruheshin zhvillimet e ditëve të fundit në temën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas disa ngjarjeve të javës së shkuar, mbi të gjitha, pas takimeve në Bruksel të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić me kryepolitikanët e shteteve të BE-së, dhe pas Deklaratës së përbashkët të Presidentit të Francës, Kryeministrit të Gjermanisë dhe Kryeministres së Italisë.

    U mendua, me të drejtë, që këto ngjarjet e të enjtes dhe të premtes së kaluar (të 26 dhe 27 tetorit), do t’i dhënë një drejtim të ri procesit të zbatimit të Marrëveshjes themelore dhe Aneksit të Ohrit, apo që do ta këndellin një ndërmarrje ndërkombëtare, e cila tash e sa muaj ishte në një gjendje të ngecjes së plotë.

    Por ja që kjo javë na ktheu aty ku kemi qenë më parë, thuajse asgjë nuk ka ndodhur para disa ditësh.

    Duket se ekziston një dallim susbtancial, në trekëndëshin Kosovë, Serbi, Bashkimi Evropian (dhe SHBA-të), se cili është në të vërtetë pozicioni fillestar (apo startues), në përpjekjen për t’i bërë realitet dy Marrëveshjet e kaluara, si dhe Propozimin më të ri të BE-së dhe SHBA-së për Statutin e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

    Për BE-në, Kosova dhe Serbia, përmes instancave më të larta të personifikuara në Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vučić, kanë arritur Marrëveshjen themelore në Bruksel (me 27 shkurt), dhe atë për Aneksin e zbatimit të saj (me 18 mars, në Ohër).

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, dy herë ka konstatuar verbalisht që Marrëveshjet janë bërë, dhe se ato janë ligjësisht obligative, përkundër faktit që asnjëra prej tyre nuk janë nënshkruar. Për më shumë, BE-ja, me të gjitha shtetet anëtare të saj, ka mbështetur formalisht qëndrimin e Borrellit, apo, të kryediplomatit të saj.

    Por, parimësia formale e BE-së, që prej 19 marsit e tutje, është rrëzuar për toke nga parimësia reale dhe substanciale e Presidentit të Serbisë. Ajo, madje, vetëm sa ka marrë forcë edhe pas takimeve të nivelit më të lartë të Bruksel të javës së kaluar. Ta zëmë, deri vonë, Vučić, ishte besnik ndaj qëndrimeve të tij që Serbia kurrë nuk do ta njeh as de jure as de facto pavarësinë e Kosovës, dhe që poashtu, Kosova kurrë nuk do ta merr pëlqimin e Beogradit për tu anëtarësuar në OKB. Por, javëve të fundit, e kjo gjë paradoksalisht koincidon edhe me zhvillimet e njohura në Banjskë (me 24 shtator), Vučić i ka shtuar këtyre qëndrimeve një tjetër pohim, sipas të të cilit del që Serbia nuk e njeh as integritetin territorial të Kosovës.

    Vučić e përsëriti këtë qëndrim të tij edhe në prani të Ursula von der Leyen, Presidentes së Komisionit Evropian, gjatë prezentimit të përbashkët për media.

    Presidenti i shoqëroi këtë pohim të tij kategorik kundër integritetit territorial të Kosovës, me thirrjen e tij për paqe dhe stabilitet në këto anë të Evropës, për të cilat Serbia e tij është jetikisht e interesuar.

    Vučić, natyrisht, nuk i tregoi kujt se si mund të bashkëjetojnë paqja dhe stabiliteti në këtë pjesë të Ballkanit, kur Serbia nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës.

    Te tri këto qëndrime të liderit të Serbisë, katërcipërisht bien ndesh me thelbin e Marrëveshjes themelore të Brukselit.

    Deri tash (së paku), ai dhe Beogradi zyrtar nuk janë ndëshkuar prej kujt për këtë pozicion konfrontues ndaj Marrëveshjes themelore.

    Më në fund, mbi të gjitha për shkak të kësaj përvoje shumë domethënëse të mënyrës se si e ka trajtuar Presidenti i Serbisë këtë Marrëveshje, por edhe të gjitha detyrimet që dalin prej saj, edhe përmes Aneksit të Ohrit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po insiston që të hedhen firmat e tij dhe të Vučićit në tri këto Dokumente/ Marrëveshje, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen rrethana më të volitshme për jetësimin e tyre.

    Sadoqë me një politikan çfarë është Vučić dhe me një pushtet të sotëm të Serbisë, as nënshkrimet nuk mund të garantojnë shumëçka, së paku në këtë rast, do të ishte e pamundur t’i iket konstatimit, siç po bën vazhdimisht Presidenti i Serbisë, që ka Marrëveshje të mirëfillta në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe që për këtë shkak, ato, në tërësinë e tyre, duhet të zbatohen.

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Vip10 Janar 2025
    Vullneti ka komentuar pëlqimin që ka Driloni për Sarën, duke e kritikuar pse ai nuk bën asgjë për të. Sipas Vullnetit, Driloni...
    Zgjedhjet 202510 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka takuar strukturat e Gruas nga Klina...
    Lajme10 Janar 2025
    I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka lansuar spotin e nisjes së fushatës, ku ka folur për zgjedhjet e...
    Lajme10 Janar 2025
    Bashkimi Evropian ka deklaruar se është duke ndjekur nga afër zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, që lidhen me veprimet e...
    Lajme10 Janar 2025
    Hetuesi policor, Idriz Gashi i cili ishte rikthyer sot në punë pas përfundimit të afatit të suspendimit, është njoftuar prapë për vazhdimin...
    Vip10 Janar 2025
    Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me nofkën “Gjesti”, është bërë një fenomen në botën e showbizit në Kosovë dhe Shqipëri. Gjesti tashmë...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.