Një burrë dhe një grua nga Kosova janë gjetur të vdekur nga arma e zjarrit, mbrëmjen e 27 nëntorit në Florida të SHBA-së.
Mediat lokale atje kanë raportuar se rasti ndodhi në mesnatë, në katin e 45-të të apartamentit, ku qëndronte çifti kosovar.
Raportohet se janë dëgjuar së paku gjashtë të shtëna të njëpasnjëshme dhe vdekja e tyre është konstatuar në vendin e ngjarjes, por akoma nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë incident tragjik.
Ndërsa, sot motra e të ndjerit e ka akuzuar gruan e tij, për këtë vrasje.
“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me 5 plumba në kraharorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllezërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë …”, ka shkruar mes tjerash Albana Krasniqi.
“Festën e Falënderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimitë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij”, shkruan tutje ajo.