Që nga viti 2016 ka vendosur që të investojë një vlerë simbolike të parave në kriptovaluta.
Mirëpo, interesimi i tij për të kuptuar më shumë rreth kësaj fushe ishte që nga viti 2013.
Bëhet fjalë për Granit Kadollin, një qytetar nga Prishtina i cili në një rrëfim për FrontOnline, thotë se do të vazhdojë ende të investojë në kriptovaluta, apo siç njihen ndryshe para digjitale.
“Siç e ceka më lartë kam ble WordPress Theme – Website Template apo PHP Scripts të cilat më kanë hy në punë për web Programming në vitet 2014/2015, mirëpo pas vitit 2016 me sadopak mundësi që kam pas, jam mundu me ble kriptovaluta dhe t’i mbajë ato deri në vitin 2024/2025 si investime strategjike që në të ardhmen e afërme t’i nxjerrë një pjesë, mirëpo prapë duke mos i dëmtuar kursimet e mia edhe duke investu ndoshta edhe në asete në biznes apo gjëra personale”, ka treguar ai për FrontOnline.
Nga kureshtja për t’u njohur me paranë digjitale, Kadolli thotë se investimin në kriptovaluta e sheh si një investim strategjik për të ardhmen.
“Unë personalisht investimet në kriptovaluta i shoh si një investim strategjik në të ardhmen me një fitim të mirë, ku sot vlera e tyre është aq e vogël, mirëpo në të ardhmen do bëhet e madhe dhe nuk mendoj që është koha të tërhiqem, mirëpo sado pak që mundem të kursej çdo dy apo tre muaj do të investoj në kriptovaluta”, është shprehur Kadolli.
Bitcoin dhe Etherum, kriptovalutat më të njohura
E, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka lëshuar më 3 dhjetor një komunikatë për media, duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, t’i deklarojnë ato dhe të paguajnë tatim për to.
Por, çfarë thotë Kadolli, për këtë vendim të ATK-së.
“Patjetër që e respektoj këtë ligj edhe do ta respektoj, atëherë pasi që të bëj tërheqje të mjeteve të investuara sepse sipas njohurisë që kam, kjo është një normë e tatimit e caktuar për të gjitha të ardhurat pa marrë parasysh se a janë në Facebook, Google Ads, Crypto apo përfitime nga Bursa – Tregjet ndërkombëtare. Nuk kam paguar ende tatim nga te ardhurat prej kritpovalutave, sepse ende nuk kam bë tërheqje, mirëpo me kohën do e bëjë”, ka thënë ai për FrontOnline.
Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, rreth 10 mijë operatorë të identifikuar -persona fizikë dhe juridikë – llogaritet se kanë investuar apo përdorin kriptovaluta.
Ekzistojnë mbi pesë mijë kriptovaluta të ndryshme në botë, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.
Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.
Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme.
Në Kosovë ekzistojnë edhe disa zyra të këmbimit valutor.
Në këto zyre, qytetarët mund të blejnë, shesin apo hapin llogari të kriptovalutave.
Por, punonjësit në këto zyra nuk kanë dashur të japin shumë detaje për FrontOnline, duke thënë se tregtimi me kriptovaluta nuk është proces i vështirë, deri sa thonë se interesimi i qytetarëve është i madh.
BQK: S’ka subjekte të licencuara për shitblerjen e kriptovalutave
Fenomeni i kriptovalutave është tema më aktuale në financa. Me gjithë ngritjen dhe rënien e vlerës së tyre, kosovarët po vazhdojnë të blejnë kriptovaluta.
Nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për FrontOnline, kanë bërë të ditur se për pesë vite transaksionet për të blerë kriptovaluta janë rreth 10 milionë euro.
“Bazuar në informatat të cilat i posedon BQK-ja, që kanë të bëjnë me shitblerjen e kriptoaseteve, gjatë viteve 2016-2021 transaksionet dalëse janë në shumën prej 10 milionë eurosh, ndërsa transaksionet hyrëse janë në shumën prej 1.76 milionë euro. Këto transaksione nuk përfshijnë transaksionet potencialisht të realizuara jashtë sektorit formal”, thuhet në përgjigjen e BQK-së, për FrontOnline.
Nga BQK-ja, kanë treguar se në Kosovë nuk ka zyre të licencuar për shitblerjen e kriptovalutave.
“BQK deri më tani nuk ka licencuar asnjë subjekt për shitblerjen e kriptoaseteve, pasi qarkullimi i tyre nuk është i rregulluar me kornizën ligjore apo rregullative të BQK-së që është në fuqi”, thuhet më tutje në përgjigjen e BQK-së.
ATK: Të ardhurat nga kriptovalutat mund të tatohen sipas Ligjit për të ardhurat personale
Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se “do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura”.
“Me fokus të veçantë, ATK-ja do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat”, ishte thënë në njoftimin e ATK-së.
Për të kuptuar më shumë se cilat do të jenë dënimet për ata persona që nuk paguajnë tatim, nga ATK-ja për FrontOnline nuk kanë dhënë shumë detaje.
Sipas tyre, të ardhurat e gjeneruara nga kriptovalutat janë të ardhura të tatueshme, duke shtuar se detyrimet tatimore varen nga ajo se çfarë statusi ka personi i cili ka realizuar të ardhurat.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, për FrontOnline ka thënë se nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është person fizikë jo afarist apo person fizikë afarist, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara në ligjin për tatimin ne të Ardhura Personale.
Sipas këtij ligji, tatimi në të ardhura personale vjetore ngarkohet në katër shkallë.
“Për të ardhura deri në 960 euro në vit, nuk paguhet tatim. Për të ardhurat nga 960 euro deri në 3,000 euro në vit paguhet 4 për qind, për të ardhurat nga 3,000 deri në 5,400 paguhet 8 për qind, kurse për të ardhurat mbi 5,400 euro – 10 për qind”, ka treguar ajo për FrontOnline.
E pyetur se në bazë të cilit ligj do të paguhet tatimi mbi kriptovaluta, Bytyqi-Sefa është shprehur se ende nuk e dinë këtë, duke shtuar se ato mund të deklarohen si të ardhura nga burime të tjera.
“Ende nuk kemi mundësi që ta dimë këtë informate meqë nuk kemi një linje te veçantë që lidhet me të ardhurat nga kriptovalotat, ato munde të deklarohen vetëm si të ardhura nga burime të tjera, sipas detyrimeve qe i keni me lartë”, ka thënë zëdhënësja e ATK-së.
Ferat Shala: Kuvendi do të krijojë Ligj për përdorimin e kriptovalutave
Shteti i Kosovës tashmë është duke përgatitur një ligj, i cili do t’i përcaktojë rregullat e përdorimit të parave digjitale brenda territorit të saj.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, në një prononcim për FrontOnline, thotë se tashmë ka përfunduar edhe një pjesë e dëgjimit publik që ë trajtojnë këtë problematikë.
Ndërsa, nuk ka specifikuar kohën se kur mund të miratohet në Kuvend ky ligj.
“Ne si komision parlamentar pasi që veprmitaria e kritpovalutave bjen në domenin e komisionit tonë, kemi pas një nisëm ligjore, kemi fillu, kemi hartu grupin punues dhe parimisht kemi bë një pjesë të dëgjimit publik të komunitetit që e trajtojnë këtë problematikë nga çështja e bizneseve dhe këndi i institucioneve që kanë interesim më trajtu këtë, jemi në punë e sipër, ende jemi kogja larg për shkak të specifikave dhe për shkak të interesimit tonë si parlamentar për të pas një ligj i cili vërtetë është në shërbim të asaj që ne e dëshirojmë, por që nuk mund të them kohën. Do të thotë jemi në procedurë të hartimit të ligjit”, është shprehur Shala, për FrontOnline.
Shqipëria tashmë e ka rregulluar me bazë ligjore përdorimin e kriptovalutave.
Në muajin shtator të vitit të kaluar, ajo ka miratuar Ligjin për tregjet financiare, të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.
Ligji e rregullon tregun e monedhave digjitale dhe virtuale, duke nisur nga licencimi i subjekteve që do të ushtrojnë një aktivitet të tillë deri te kushtet e tregtimit të kësaj monedhe./FrontOnline