×
  • Opinione
  • Opinione

    Boris Johsoni po e përdor Ukrainën për ta filluar rikthimin britanik në Evropë

    FrontOnline
    16 Maj 2022

    Oh, çfarë ironie! Boris Johnsoni, lideri i Brexit-it që ia ktheu shpinën BE-së, sypatrembur po e udhëheq mbrojtjen e Evropës përballë agresionit rus. Ekzagjerim? Po, por pas këtij publiciteti fshihet një histori intriguese. Edhe pse e rrezikon një tjetër përçarje të madhe me Brukselin për shkak të Irlandës së Veriut, Johnsoni po e përdor krizën e Ukrainës për të bërë paqe me disa aleatë të vjetër evropianë. Qëllimi i tij është: ta rivendosë Mbretërinë e Bashkuar si fuqi kontinentale.

    Nënshkrimi i javës së kaluar i pakteve dypalëshe të mbrojtjes me aspirantët e NATO-s, me Suedinë dhe me Finlandën – “miqtë tanë në veri” – ishte manifestimi i fundit i përpjekjes, në dukje të bashkërenduar britanike, për t’i ringjallur lidhjet politike me vendet e Evropës lindore, qendrore dhe ato nordike që ishin aleatë natyralë të Mbretërisë së Bashkuar para shkëputjes përmes Brexit-it. Johnsoni dhe ministrat kryesorë i kanë vizituar disa herë Poloninë dhe republikat baltike, teksa kriza e Ukrainës po eskalonte.

    Vendosja e shpejtë e trupave dhe pajisjeve shtesë nga Britania përgjatë “vijës së frontit” të NATO-s me Rusinë, dhe premtimi i këtij muaji për 1.6 miliardë dollarë shtesë në armatim të sofistikuar dhe ndihmë për vetë Ukrainën, është vlerësuar mirë nga qeveritë rajonale dhe nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i cili e priti Johnsonin muajin e kaluar. Për dallim nga ky, “dy të parët” e BE-së, Emmanuel Macroni i Francës dhe Olaf Scholzi i Gjermanisë, nuk e kanë vizituar Kievin e kohës së luftës.

    Në qendër të mësymjes britanike në Evropë është Forca e Përbashkët Ekspeditore (JEF), grupim ushtarak jashtë BE-së dhe i lidhur me NATO-n, që përfshin Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Danimarkën, Finlandën, Suedinë, Islandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Holandën. JEF është shumë i përfshirë në mbrojtjen që ndërlidhet me Ukrainën. Në një mënyrë kjo është “ushtria evropiane” për të cilën BE-ja shpesh flet, por nuk arrin kurrë ta organizojë – dhe ajo drejtohet nga Britania.

    Johnsoni padyshim është i sinqertë kur thotë se humbja e Rusisë do të jetë prioritet. Për të kjo luftë e simbolizon luftën globale mes demokracisë dhe autoritarizmit. Prandaj, qëndron pranë ShBA-së, liderit të NATO-s dhe aleatit kryesor të Britanisë për Brexit-in, pa marrëveshjen e të cilit pak gjë do të guxonte të bënte.

    Megjithatë, konkurrimi me Francën dhe Gjermaninë për pushtet dhe ndikim në Evropë, si dhe sfidimi i emrave më me ndikim në Bruksel në një kohë të trazirave të thella gjeopolitike, është çështje tjetër – dhe cak me potencial shpërblyes politik.

    Përpara se Ukraina të shpërthente, Johnsoni ngatërrohej me qeveritë e djathta në Varshavë dhe në Budapest të cilat, ashtu si Britania, luftonin me BE-në. Viktor Orbani, lideri i djathtë i Hungarisë i cili po i bllokon sanksionet e naftës ndaj Rusisë, vitin e kaluar u mirëprit ngrohtësisht në Kryeministri.

    Mbështetja e Britanisë për krahët lindorë dhe veriorë të Evropës daton nga periudha mes viteve 1995 dhe 2004, kur shumë aplikantë të BE-së u mbështetën nga Londra për ta kompensuar dhe dobësuar boshtin dominues Francë-Gjermani-Beneluks. Që atëherë, Parisi e ka kundërshtuar më së shumti zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Javën e kaluar, Macroni e paralajmëroi Ukrainën se mund të presë dekada të tëra për anëtarësim të plotë.

    Aktiviteti pozitiv i Johnsonit për Ukrainën vlerësohet mirë në Londër, në Uashington dhe në pjesë të Evropës Lindore, shumë më shumë nëse krahasohet me hezitimin, ndarjen dhe dobësinë e perceptuar në zemrën e BE-së.

    Scholzi i Gjermanisë, i kapur pas rrënojave të Ostpolitik-ës, është bërë sinonim i zvarritjeve. Pavarësisht se me vonesë pranoi të furnizonte me armë të rënda dhe të ndalonte importet e naftës, gjermanët i ka lënë goxha të nënshtruar, dhe tregues për këtë është rënia e partisë së tij në zgjedhjet në Shlesvig-Holshtajn.

    Posa e fitoi mandatin e dytë presidencial dhe duke i vëzhguar vështirësitë e Berlinit, Macronit tani po i duket vetja se është shefi i Evropës. Por, për çështjen më urgjente të kontinentit, realiteti është krejt ndryshe. Vlera e ndihmës ushtarake franceze për Kievin (105 milionë dollarë) është më pak se gjysma e asaj të Estonisë së vogël (220 milionë dollarë). Rezultoi keq edhe “diplomacia telefonike” e kotë e Macronit para fillimit të luftës, kur Putini ia luajti keq – në të vërtetë, ai u tall. Dhe, Presidenca franceze e BE-së është ende duke u munduar për të rënë dakord për sanksionet e energjisë.

    Për më shumë, planet e preferuara të Macronit për ta krijuar një Evropë “strategjikisht autonome”, të pavarur nga ShBA-ja (dhe Kina), u bënë copë-copë në mes të vorbullës së Ukrainës. Në vitin 2019, ai e shpalli NATO-n “tru të vdekur”, një pretendim i pamatur që, siç u pa më vonë, ka mundur ta bindte Putinin se kjo është e vërtetë.

    Tani, në këta muaj të furishëm, NATO-ja e përtërirë, e mbështetur nga pakot e armëve prej shumë miliarda dollarëve të ShBA-së, dhe me Britaninë në ballë, e shpëtoi sa Evropën aq edhe Kievin. Natyrisht, BE-ja nuk është dakord me këtë. Brukseli po mendon se po bën punë të mirë, për shembull me refugjatët – ndryshe nga Hom-Ofisi i Priti Patelit. Në të vërtetë, secili mundet dhe duhet të bëjë më shumë.

    Megjithatë, përfundimi për shumëkënd i pakëndshëm është ky: po të mos ishin përkushtimet e shpejta, të guximshme dhe bujare nga ShBA-ja dhe nga Britania e Madhe, plus vendet e anglosferës si Kanadaja dhe Australia, Ukraina tashmë mund ta kishte humbur luftën, Evropa e lirë dhe demokratike do të zmbrapsej dhe Putini do t’ia vinte syrin viktimës së radhës, ndërkohë që Macroni do të priste për ndonjë lidhje telefonike.

    Ndryshimet e mëdha dhe të pasigurta në ekuilibrat relativ të fuqisë në gjithë Evropën, tashmë po zhvillohen si pasojë e luftës. BE, nën presion të fortë të brendshëm për t’u reformuar nga Konferenca e saj për të Ardhmen e Evropës, e cila u raportua javën e kaluar, përballet me dilema të mëdha në lidhje me rëndësinë, kohezionin dhe vendimmarrjen.

    Udhëheqësit francezë dhe gjermanë duhet ta krijojnë një vizion të përbashkët. ShBA-ja është riangazhuar në Evropë – por për sa kohë? Sa i përket Mbretërisë së Bashkuar, ngjarjet e fundit me siguri ua kanë kujtuar breksiterëve se Evropa është shtëpia e Britanisë, fqinjësia e pashmangshme ku shtrihen interesat kryesore kombëtare. Në lidhje me këtë, fatmirësisht më pak po dëgjojmë gjëra për animin e “Britanisë globale” në Azi-Paqësor ose për nirvanën e tregtisë së lirë të ShBA-së.

    Ukraina ia dha Johnsonit të izoluar një mundësi dhe ai e shfrytëzoi. Por, kurrë mos e nënvlerësoni aftësinë e tij dhe të sekretares së tij të jashtme që kërkon vëmendjen, Liz Truss, për t’i hedhur poshtë të gjitha këto. Pezullimi i aspekteve të protokollit të Irlandës së Veriut dhe shfuqizimi i traktatit të Brexit-it, siç kërcënojnë ta bëjnë këtë javë, është mënyrë e sigurt për të bashkuar Evropën kundër Britanisë – përsëri – dhe për të shkatërruar aleancën anti-Putin.

    Nga: Simon Tisdall / The Guardian
    Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Sport25 Nëntor 2024
    Real Madridi shënoi fitoren e dytë radhazi në kampionat pasi këtë të diel fitoi me rezultat 3-0 në udhëtim ndaj Leganesit. Ky...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca sot e pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashin. Sipas njoftimit, në...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Sot nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, fillon fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Për nder të...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Ngjarjet e ditës 25 nëntor 2024: 08:50 – 15:00 Nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, fillon Fushata Globale “16 Ditët e Aktivizmit...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë filluar t’i propozojnë disa nga kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025,...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Sot mbi Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se temperaturat minimale do...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.