×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Bjellorusia mban zgjedhje nën masa të rrepta sigurie, opozita bën thirrje për bojkot

    FrontOnline
    25 Shkurt 2024

    Bjellorusia po mban sot zgjedhje parlamentare dukshëm të kontrolluara dhe nën masa të larta të sigurisë në qendrat e votimit, për të cilat opozita e vendit ka bërë thirrje të bojkotohen.

    Zgjedhjet e 25 shkurtit pritet ta përforcojnë pozitën e liderit autoritar të vendit, Alyaksandr Lukashenka.

    Vetëm katër parti, të cilat i mbështesin politikat e Lukashenkas, u lejuan të regjistrohen zyrtarisht për të garuar në këto zgjedhje: Belaya Rus, Partia Komuniste, Partia Liberal-Demokrate, si dhe Partia e Punës dhe e Drejtësisë. Rreth dhjetëra partive të tjera nuk iu pranua kërkesa për t’u regjistruar vitin e kaluar.

    Liderja opozitare bjelloruse, Svyatlanta Tsikhanouskaya, e cila tha se iu vodh fitorja kundër Lukashenkas në zgjedhjet e vitit 2020, i ka përshkruar këto zgjedhje si “farsë” dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre.

    “Nuk ka njerëz në fletëvotime të cilët do të ofronin ndryshime të vërteta, sepse regjimi i ka lejuar vetëm kukullat e përshtatshme për të, të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Tsikhanouskaya në një video nga mërgimi, Lituani, ku ka ikur pas luftës brutale ndaj protestave që nisën kundër rezultatit të zgjedhjeve më 2020.
    Kjo është hera e parë që mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Bjellorusi prej zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, kur Lukashenka e mori mandatin e gjashtë.

    Më shumë se 35.000 njerëz ishin arrestuar gjatë protestave masive disamujore, të cilat u nxitën nga zgjedhjet kontroverse.

    Lukashenka u tha gazetarëve pasi votoi se e ka ndër mend të garojë për president përsëri më 2025.

    “Tregoni atyre [opozitës në mërgim] se do të garojë”, tha Lukashenka sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, BelTa.

    Para votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bjellorusisë (KQZ) njoftoi për një numër rekord të votimit të hershëm, i cili nisi më 20 shkurt. Gati 48 për qind e votuesve të regjistruar kanë votuar deri më 24 shkurt, sipas KQZ-së.

    Votimi i hershëm cilësohet nga vëzhguesit si mekanizmin i përdorur nga autoritetet bjelloruse për t’i falsifikuar zgjedhjet. Opozita bjelloruse ka thënë tashmë se procesi i votimit të hershëm mundëson manipulimin e zgjedhjeve, sepse kutitë e votimit janë të pambrojtura për një periudhë pesëditore.

    Viasna, Qendra për të Drejtat e Njeriut, tha se shumë votues ishin detyruar të votonin herët, përfshirë studentët, ushtarët, mësimdhënësit dhe shërbyesit e tjerë civilë.

    “Autoritetet po i përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për ta arritur rezultatin që u nevojitet – nga transmetimi i propagandës televizive deri te detyrimi i votuesve për ta hedhur votën herët”, tha përfaqësuesi i Viasna, Pavel Sapelka.

    “Gjatë votimit ka ndalime, arrestime dhe bastisje”, shtoi ai.
    Autoritetet bjelloruse e kanë rritur sigurinë nëpër rrugë dhe nëpër qendra të votimit në gjithë vendin, ndërsa policia ka kryer stërvitje sesi të përballet me votuesit të cilët mund të tentojnë t’i shkelin rregullat kufizuese të vendosura për zgjedhje.

    Për herë të parë, perdet janë hequr nga kabinat e votimit dhe votuesve u është ndaluar fotografimi i fletëvotimeve – një praktikë e nxitur nga aktivistët në zgjedhjet e kaluara në përpjekje për t’ua parandaluar autoriteteve manipulimin gjatë numërimit të votave.

    Lukashenka pretendoi këtë javë, pa dhënë asnjë dëshmi, se vendet e Perëndimit po i shqyrtojnë mënyrat se si ta kryejnë një puç dhe e urdhëroi policinë t’i shpeshtojë patrullimet e armatosura nëpër vend, në mënyrë që të sigurohet “rendi dhe ligji”.
    Për herë të parë, vëzhguesit e zgjedhjeve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nuk u lejuan t’i vëzhgojnë zgjedhjet në Bjellorusi, e cila është anëtare e OSBE-së.

    Pas votimit, Bjellorusia pritet ta formojë një Kuvend me 1.200 ulëse, i cili do të ketë pushtet të gjerë për të emëruar gjykatës dhe zyrtarë zgjedhorë, si dhe për të shqyrtuar ndryshime në Kushtetutë.

    Qendrat e votimit për zgjedhjet e përgjithshme u hapën në orën 8:00, sipas kohës lokale, dhe do të mbyllen në orën 20:00./REL

    Big Brother VIP Albania në NimiTV
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni26 Korrik 2024
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë pjesë në Paris në samitin mbi sportin dhe zhvillimin e qëndrueshëm krah rreth pesëdhjetë krerë...
    Bota/Rajoni26 Korrik 2024
    Presidenti i Shqipërsië, Bajram Begaj ka pritur në takim ambasadoren e Zambias, Patricia Chisango Kondolo. Në njoftimin e presidencës së Shqipërisë, bëhet...
    Bota/Rajoni26 Korrik 2024
    Pasagjerët që ishin në aeroportin në Bazel të Zvicrës, janë evakuuar. Kjo është bërë për të shmangur rrezikun, pasi ka pasur një...
    Të tjera
    Sport26 Korrik 2024
    Ekipi Olimpik i Shqipërisë ka qenë prej shteteve të para që ka parakaluar mbi varka përgjatë lumit Senna në Paris. Shqipëria merr...
    Lajme26 Korrik 2024
    Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje në formë elektronike, ku ka marrë një vendim. Në këtë mbledhje, Qeveria ka ndryshuar...
    Lajme26 Korrik 2024
    Sot u bënë 6 vjet që nga vdekja e Adem Demaçit, e për përvjetorin e vdekjes së tij, reaguan shumë figura politike....
    Sport26 Korrik 2024
    Claudio Bravo pretendon se ishte më i mirë se Marc-Andre Ter Stegen kur mbërriti te Barcelona në verën e vitit 2014. Barça...
    Lajme26 Korrik 2024
    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sot ka publikuar një video nga Mitrovica e Veriut dhe nga kufiri i Kosovës me Serbinë...
    Lajme26 Korrik 2024
    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani përmes një paraqitje “live” nga Parisi ka thënë se për rreth 30 minuta pritet të fillojë ceremonia...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.