Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova është shteti më pro-evropian që përfaqëson vlerat evropiane e demokratike.
Këto komente ai i bëri pas takimit me shefin e Zyrës së BE-së Aivo Orav, në të cilin është bërë dorëzimi i Raportit për Vendin për vitin 2024.
Bislimi ka thënë se Raporti e përgëzon Kosovën për vendosjen e masave ndaj Rusisë dhe si dhe për progresin për vizat.
“Zgjerimi i BE ka qenë dhe mbetet stabiliteti i paqes në Evropë. Sot paketa përfshin dhjetë shtete, nga shtatë sa ishin më herët. Si shteti më pro-evropian, Kosova përfaqëson vlerat evropiane, të demokracisë, barazisë dhe sundimit të ligjit.Kjo ditë është e rëndësishme për shkak se shihet se ku është kryer punë e mirë dhe ku ka ngecje. Raporti e përgëzon për vendosjen e masave ndaj Rusisë dhe si dhe për progresin për vizat me BE-në’’, ka thënë Bislimi.
Përkushtimi i Kosovës proaktive, ka ndihmuar në kapërcimin e sfidave të mëtejshme. KE përgëzon Kosovën për Agjendën e Reformave për vitin 2027, u shpreh më tutje Bislimi.
Bislimi ka theksuar se i mirëpret rekomandimet e tij, pavarësisht këtyre masave. Sipas tij, Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat për heqjen e tyre.
“I mirëpres rekomandimet e këtij raporti, do të vazhdojmë zbatimin e këtyre rekomandimeve, pavarësisht masave të padrejta ndaj Kosovës, masa që janë në kundërshtim me vlerat e BE-se. Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe beson se konform rekomandimit të Z.Borell, Këshilli i Ministrave të heqë masat ndaj Kosovës”, u shpreh Bislimi.