Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se familja është shtylla e shoqërisë.
“Kur flasim për mbështetjen e familjeve, ato që sakrifikuan më së shumti, natyrisht se do të jenë prioritet. Do t’i rrisim për 50% përfitimet për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së. Me rritjen e të ardhurave, familjet do të kenë mundësi të bëjnë jetë më të dinjitetshme. Rritja e pagave dhe përfitimeve nuk është shprehje bamirësie ose bujarie. Është detyrim i qeverisë sime për kontributin që ju jepni për shoqërinë. Është motivim që secili nga ne të punojë më mirë për vendin tonë. Është edhe drejtësi, sepse mundësojmë që çdo qytetar të jetojë me dinjitet”, ka thënë Hamza.
Ai ka shtuar se kjo rritje nuk nënkupton vetëm kosto jetësore të përballueshme dhe mirëqenie më të madhe, por edhe rritje të fuqisë blerëse, rritje të konsumit dhe gjallërim të ekonomisë sonë.
Vota për të dhe PDK-në, Hamza ka thënë se nënkupton paga dhe pensione dinjitoze për të gjithë.
“E di që çmimet e larta, veçanërisht kostoja e energjisë elektrike këtë sezon, janë barrë e madhe për çdo familje. Zotohem se në ditët e para të qeverisjes do të marrë hapa që ndikojnë në çmimin e energjisë elektrike. Menjëherë do t’i nxisim edhe investimet për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike, që të kemi furnizim të pandërprerë dhe të sigurt. Nuk po ju pyes a keni pasur rrymë këto ditë, sepse e di përgjigjen tuaj! Por, ju garantoj, sigurinë energjetike do ta forcojmë dhe varësinë nga importi do ta zvogëlojmë”, ka thënë ai.
Hamza ka folur edhe më tej për familjet kosovare.
“Për t’ua lehtësuar barrën financiare, ne do të ndajmë subvencione prej 100 eurosh në muaj për çdo familje që nuk mund t’i regjistrojë fëmijët në çerdhet publike. Subvencioni do u ndahet nëse i regjistrojnë në çerdhet private. Fëmijët në Kosovë do të gëzojnë përkujdesje dhe edukim në mjedise të sigurta dhe të përshtatshme. Dhe, veçanërisht nënave të reja, kjo nismë iu mundëson të vazhdojnë karrierën ose t’i ndjekin studimet, pa u shqetësuar vazhdimisht për fëmijët e tyre. Gjithashtu, nga sistemi i deritashëm mësimor, për fëmijët më të rritur, ne do të kalojmë në një sistem shkollor gjithëditor, duke ofruar aktivitete jashtëshkollore dhe mbështetje gjithëpërfshirëse për nxënësit gjatë gjithë ditës. Shkollat në Kosovë do të jenë më të sigurta dhe fëmijët më të shëndetshëm”, ka thënë ai.
Hamza ka theksuar se si mbështetje për familjet dhe përkujdesje për të moshuarit, do të ndërtojnë edhe Qendra për Kujdesin e të Moshuarve në secilin rajon të Kosovës.