Pandemia COVID-19 nuk i ka “gjunjëzuar” të gjitha bizneset në Kosovë.
Janë disa biznese të cilat në këtë kohë të vështirë po shënojnë fitime astronomike.
Bëhet fjalë për bankat komerciale në vend, të cilat vetëm për katër muajt e parë të vitit kanë fituar hiç më pak se 35 milionë euro, raporton portali “Front Online”.
Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të hyrat e përgjithshme të 11 bankave komerciale në vend përgjatë periudhës janar-prill 2021 kanë arritur në 93.2 milionë euro, prej të cilave të hyra nga interesi janë 68.1 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e fitimit është siguruar nga tarifat e shërbimeve. Disa banka komerciale vazhdojnë të aplikojnë tarifa të larta për konsumatorët e vet, ku vetëm mirëmbajtja mujore e llogarisë për bizneset shkon deri në 240 € në vit.
Përndryshe, deri në prill të këtij viti shuma e përgjithshme e depozitave në banka komerciale ka arritur rreth 4.4 miliardë euro, ndërsa shuma e përgjithshme e kredive ka arritur në rreth 3.4 miliardë euro.
/Front Online/