Jamie Spears i ka kërkuar një gjykate në Los Angeles që të ndërpresë kujdestarinë e tij 13-vjeçare ndaj vajzës së tij dhe këngëtares Britney Spears.
Babai i këngëtares ngriti një padi në gusht në të cilën ai tha se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga roli i kujdestarit. Ai ishte edhe më i qartë në dokumentin e ri dhe kërkoi nga gjykata që të ndërpresë kujdestarinë plotësisht. Ai shkroi se këngëtarja “ka të drejtë që gjykata të marrë parasysh seriozisht nëse kujdestaria është e nevojshme” dhe se rrethanat e saj kanë ndryshuar “në atë masë që bazat mbi të cilat iu dha kujdestaria atij nuk mund të ekzistojnë më”, raportuan mediat amerikane.
Në një seancë në qershor, Britney Spears i tha gjykatës se kujdestaria, e cila filloi në vitin 2008, ishte fyese dhe poshtëruese, dhe kërkoi që babait të saj t’i hiqet e drejta për të menaxhuar pronën e saj prej 60 milionë dollarësh. Një seancë gjyqësore për të diskutuar mocionin e Britney Spears është caktuar për 29 shtator në Los Anxhelos./FrontOnline/