×
  • Opinione
  • Opinione

    Asociacioni “i vdekur” ecën

    Sylë Ukshini
    15 Nëntor 2023

    Shkruan: Sylë Ukshini

    Viti 2013 do të shënonte fillimin e një dekade problematike për Kosovën, për shkak se nga ky moment dialogu Kosovë-Serbi, i iniciuar sipas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të 9 shtator 2010, synonte të krijonte kushtet dhe mundësitë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore dhe fqinjësore. Por, derisa pozita e mbronte me ngulm se Marrëveshja për Asociacionin buronte nga Pakoja e Ahtisaarit dhe nevoja e arritjes së konsensusi me partnerët ndërkombëtar, opozita e atëhershme LVV dhe më vonë edhe AAK (e cila e kishte votuar ratifikimin e marrëveshjes e vitit 2013) dhe NISMA, e demonizuan Asociacionin si një akt të tradhtisë kombëtare, që Kosovën e shndërronte në një shtet jofuksional dhe krijonte rrethanat për krijimin në proces të “republikës serbe” brenda Kosovës.

    Kishte arsye të qëndrueshme që qytetarët e Kosovës të brengoseshin për epilogun e bisedimeve të Brukselit, përderisa negociatat e Vjenës për statusin përfundimtar mendohej se ishin kapitulli i fundit i ballafaqimit Kosovë-Serbi. Në ndërkohë, lindi edhe problemi me demarkacionin Kosovë-Mali i Zi dhe raporti problematik i Dick Martyt-it, që rezultoi me formimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Këllqet e shtetit të ri të Kosovës ishin të brishta për ta përballuar gjithë këtë barrë dhe presion të jashtëm dhe të brendshëm paralelisht me procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.

    Edhe sot qytetari i Kosovës nuk e ka krejt të qartë, nëse në Marrëveshjen për Asociacionin paraqitet një tradhti kombëtare, apo kjo marrëveshje ishte e imponuar nga qendra ndërkombëtare të vendosjes, siç ka ndodhur edhe me shumë kompromise të tjera, duke përfshirë dhe atë për fusnotën, apo kishim të bënim me një kauzë politike elektorale. Ky “argëtim” me kaq gjëra serioze vazhdoi deri në momentin kur u krijua përshtypja se Asociacioni po shkonte drejt vdekjes. Në fakt, përpara se VV-ja të vinte në pushtet, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës pati një përballje të fortë shtatëvjeçare, u shoqërua me kundërshtime të opozitës e tensione dhe akte të dhunshëm, të cilat hap pas hapi këtë marrëveshje e bënë gati të vdekur. Të paktën si pasojë e rezistencës së opozitës (VV, AAK dhe NISMA), kjo marrëveshje të paktën mbeti pezull.

    Megjithatë, kjo kundërshti e njohur dhe e akumuluar ndër vite, vetëm krijoi një ndjenjë të rreme vetëkënaqësie, pasi çështja e Asociacionit u rikthye sërish në agjendën e bisedimeve në Bruksel, përkatësisht me marrëveshjen e 30 shtatorit të vitit 2021, kur lehtësuesi i BE-së “kishte vënë në dukje shqetësimet e ngritura nga Beogradi në lidhje me moszbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, duke shtuar se BE-ja si lehtësuese këtë çështje do ta diskutonte me prioritet në takimet e ardhshme të kryenegociatorëve para përfundimit të këtij viti.” Por dallimi i vetëm tani ishte se Asociacioni provohej t’i imponohej Kosovës pa marrëveshje finale dhe pa njohje diplomatike. Hapi i radhës mbetet i panjohur.

    Trysnia në rritje për Asociacionin

    Së fundi, si asnjëherë më parë, nuk kanë qenë kaq të zëshme thirrjet e parterëve të Kosovës, por edhe të kundërshtarëve të pavarësisë së saj, për nevojën emergjente të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të Republikës së Kosovës, për çka Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje në kuadër të dialogut të Brukselit. Si rrjedhojë e këtij pozicioni, elita politike dhe Kosova, në pozitë dhe opozitë, po ballafaqohen me një presion të paparë ndërkombëtar për bërjen e Asociacionit. Tani së fundi flitet se Brukseli u ka prezantuar palëve një draftstatut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por i cili po mbahet larg syve të publikut vendor, madje flitet se edhe opozita parlamentare nuk ka ndonjë ide të qartë se çfarë përmban ky dokument, është i njëjtë, më i mirë apo më i keq se drafti i vitit 2015, të cilin e pati korrektuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi të shpalosë para deputetëve të Kuvendit draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, atë ishte pritur ta bënte emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Për dallim nga PDK dhe LDK, të cilat pohuan se nuk e kishin parë dokumentin në plotëni, lideri i AAK-së u deklarua për pranimin e këtij drafti. Rendi logjik i gjërave do të ishte ky, meqë Haradainaj është deklaruar pozitivisht për draftin, i bie të jetë më i favorshëm se ai i vitit 2015, të cilin ai e kishte kundërshtuar së bashku me Kurtin dhe Limajn. Por në përgjithësi opozita qëndron pak a shumë e heshtur: ose është në pritje që Asociacionin ta bëjë Kurti ose drafti është i njëjtë me atë të kohës së qeverisjes së tyre. Por në publik ekziston edhe një masë kritike që ngre shqetësimin e arsyeshëm, nëse formimi i këtij asociacioni është koncesioni i fundit apo një hap i radhës që do të na shpjerë te çështja e koncesioneve të reja. Se paku marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër të këtij viti japin shenja për shqetësime se si do të duket rruga e normalizimit të raporteve ku kërkohet edhe një dialog i ri dhe një marrëveshje që në të kaluarën ka qenë e ideuar si finale, ajo që njihet si marrëveshja ligjërisht obligative. Pyetja është se çka do të kërkohet në këtë proces të ardhshëm nga Kosova.

    “Ne ofrojmë garanci dhe të drejtat më të mira dhe më të mëdha për të gjitha pakicat ose komunitetet joshumicë në Kosovë”, i ishte përgjigjur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 janar 2023, kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova të japë propozime rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkohë, kur presioni është shtuar edhe më shumë ndaj Kosovës, kryeministri Kurti ka lënë të kuptojë se më në fund ai mund të pranojë Asociacionin, por që kushtëzohet me firmën e palës serbe. Edhe pse nuk dihet nëse ky qëndrim i Kurtit është një strategji për të fituar kohë, një pjesë e eksponentëve të partisë së tij kanë filluar ta relativizojnë rrezikun e Asociacionit. Kjo një paqartësi si në pozitë ashtu edhe në opozitë. Zërat kritikë janë të pakët. Ndoshta edhe për faktin se draft-i akoma nuk është bërë publik. Mbi të gjitha mbetet e paqartë, diçka që është parashkruar me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 që drafti i statutit duhet të jetë një “dekret” i aprovuar nga Qeveria e Kosovës dhe i kaluar mandej në shqyrtim te Gjykata Kushtetuese, sot kryeministri Kurti kërkon firmën e presidentit serb në këtë statut, me çka nga një dokument i brendshëm i Kosovës kthehet në dukje të parë në një dokument në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    E vetmja gjë që thuhet zëshëm është kjo: “Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.” Por ky slogan nuk paraqet kurrfarë garancie për funksionalitetin e brendshëm të Kosovës dhe aq më pak ndonjë garanci se një asociacion i tillë nuk do të punojë më ngushtë me Qeverinë e Beogradit sesa me atë të Kosovës. Mbi të gjitha edhe në vitin 2015 thuhej që marrëveshja është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, por Gjykata Kushtetuese nxori krejt diçka tjetër. Kush i garanton Kosovës se Beogradi, i cili vazhdon të shpërfaqë hapur pretendimet territoriale ndaj Kosovës përmes përfshirjes së saj në Kushtetutën e shtetit serb, nuk do ta përdorë Asociacionin si levë për ta goditur dhe minuar edhe më fortë shtetin e Kosovës si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Shembujt se asociacione të tilla ekzistojnë gjetiu në Evropë, nuk paraqet asnjë ngushëllim, pasi nuk ka një vend tjetër evropian që luftohet aq brutalisht sa e bën Beogradi kundër Kosovës. Kultura politike në Evropë dallon nga ajo në Baltkan, sistemet autonome në Evropë (Tiroli Jugor (Itali) dhe Ishujt Oland (Finlandë) janë krijuar në rrethana krejt të ndryshme historike dhe politike nga ato të Ballkanit, e për më tepër raportet Kosove-Serbi vazhdojnë të mbeten konflikziuoze për shkak të pretendimeve territoriale të Beogradit. Ndërsa slogani politik i evropianëve për njohje de facto nga Serbia nuk ka asnjë vlerë dhe mbështetje në të drejtën ndërkombëtare. Kjo qasje e lehtësuesit të dialogut përdoret vetëm sa për ta shtyrë përpara dialogun aktual Kosovë-Serbi dhe për ta nxitur Qeverinë e Kosovës që të ecë më tutje në zbatimin e marrëveshjeve të 2013 dhe 2015-të. De facto, Beogradi e ka njohur Kosovën kur ka pranuar Marrëveshjen për IBM-in në vitin 2014, por problemi i normalizimit ka mbetur larg.

    Pra, nëse Asociacionin ka qenë i rrezikshëm me njohje dhe marrëveshje finale, ai do të jetë edhe po aq më i rrezikshëm me njohje de facto, përtej justifikimeve se kush qe i pari që firmosi apo nëse ai është obligim nga Plani i Ahtisaarit, por që ishte dizajnuar si pjesë e kompromisit për pranimit e dokumentit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në fund të fundit, Asociacioni erdhi para negociatave të Vjenës për statutin përfundimtar të Kosovës.

    Çfarë parasheh Plani i Ahtisaarit?

    Çështja e Asociacionit ka një histori të gjatë, rezultoi si pjesë e zhvillimeve të dhunshme në Kosovë në mars të vitit 2004, e për të cilat edhe sot askush nuk e ka idenë se kush realisht qëndron parapa tyre. Pas ngjarjeve të marsit, ambasadori Kai Eide (Norvegji), si përfaqësues i posaçëm i OKB-së për të vlerësuar gjendjen në Kosovë, paraqiti një raport fillestar në gusht të vitit 2004, i cili u publikua vetëm tre muaj më vonë, së bashku me rekomandimet e vetë sekretarit të përgjithshëm për hapat e ardhshëm në Kosovë. Raporti i Eides në pikën 23 (decentralizimi), ndër të tjera, theksonte se “ngjarjet e dhunshme të marsit kanë demonstruar nevojën urgjente për t ‘i dhënë pakicës serbe autoritet më të madh mbi administratën lokale në zonat me një popullsi serbe më të përqendruar. Duhet të krijohet një kornizë politike dhe institucionale, që synon garantimin e pranisë së tyre të vazhdueshme në Kosovë. Ky proces i decentralizimit është gjithashtu i lidhur ngushtë me procesin e kthimit. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës duket se e kuptojnë rëndësinë që i kushtohet kësaj pune nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga udhëheqësit serbë. Tani ata e mirëpresin decentralizimin për sa kohë që nuk është projektuar të jetë një mbulesë për ndarjen territoriale. Është shumë herët për të gjykuar nëse ka një angazhim të qëndrueshëm nga shqiptarët e Kosovës, si dhe serbët e Kosovës për këtë proces”. Dhe në pajtim me raportin dhe rekomandimet e Eides, sekretari përgjithshëm i OKB-së e emëroi Martti Ahtisarin, ish-president i Finlandës, i cili kishte ndihmuar negocimin e fundit të fushatës së NATO-s kundër Serbisë, si të dërguarin e vet të posaçëm për procesin e statusit përfundimtar të Kosovës.

    Jo vetëm tani, por edhe gjatë negociatave të Vjenës delegacioni u tregua më ngurrues kur u shtrua çështja e ndarjes së pushtetit dhe koncesione shtesë për komunitetin serb. Përvoja e Bosnjë-Hercegovinës e kishte mësuar delegacionin e Kosovës që të kihej kujdes me dhënien e koncesioneve afatshkurtra që do ta bënin territorin e paqeverishëm në praktikë. Ky ngurrim i referohej çështjes së posteve të garantuara minoritare për anëtarët e minoriteteve etnike, apo ulëseve të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve në Parlamentin e Kosovës, i cili, siç pohon Marc Weller, do të shpinte, pashmangshëm, në përfaqësimin e tepruar të pakicave dhe për fuqinë e vetos të propozuar për komunitetet në raport me projektet legjislative që i prekin “interesat e tyre jetike”. Kosova ishte e shqetësuar se kjo qasje do ta thellonte ndarjen etnike dhe do ta formonte sistemin e politikës etnike në vend se të ofronte mundësi për politika bazuar në interesa që do të duhej t’i tejkalonin vijat etnike. Mirëpo, ndërmjetësit insistonin në koncesione dhe në lëshimin pe të Kosovës në raport me komunitetin serb, pasi në këtë mënyrë mendohej se plani i Ahtisaarit do të pranohej me lehtë nga Serbia dhe Rusia. Në fund, Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, i mbështetur në praktikën e standardeve të Evropës Perëndimore në aspektin e qeverisjes lokale, legalizoi krijimin e komunave shtesë, kryesisht serbe etnike. Komunave me shumicë serbe iu dhanë kompetenca të shtuara në raport me arsimin e lartë, kujdesin sekondar shëndetësor, çështje kulturore dhe mundësi në lidhje me policinë. Ishte parashikuar edhe universiteti serb i Mitrovicës, si dhe përdorimi i planprogrameve mësimore dhe teksteve shkollore të Serbisë në shkollat me mësim në gjuhën serbe.

    Çështje tjetër e cila kishte shkaktuar polemika ishte edhe çështja e bashkëpunimit ekstensiv mes komunave serbe së bashku. Sipas Pakos së Ahtisaarit, komunat serbe kishin të drejtë të formonin institucione të përbashkëta, përfshirë edhe Asociacionin e komunave serbe të përbërë nga përfaqësuesit e asamblesë komunale. Pra, Asociacioni mori formë me Planin Ahtisaarit, sipas të cilit organizimi themelor i Kosovës është ai i një shteti unitar me strukturë të decentralizuar. Sipas Aneksit III, në pikat 9.2, 9.2.1. dhe 9.2.2, shprehimisht thuhej se asociacioni mund të formohej bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe se një asociacion i tillë mund të ofronte disa shërbime, përfshirë asistencën e trajnimit, ngritjes së kapaciteteve dhe asaj teknike, hulumtime dhe rekomandime të politikave.

    Esenca ishte se të gjitha provizionet për serbët e Kosovës, në fushën e kulturës, gjuhës, fesë, traditës, por edhe të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe pronës, deri te formimi i komunave të reja (shpesh edhe artificiale), dhe bashkë me këtë edhe formimi i Asociacionit ishin parashikuar si koncesione që do t’i hapnin rrugën pranimit të dokumentit si nga Serbia ashtu edhe nga Rusia në Këshillin e Sigurimit. Ky pranim nënkuptonte që Kosova automatikisht të bëhej pjesë e sistemit ndërkombëtar, domethënë e OKB-së dhe e organizatave të tjera ndërkombëtare.

    Përgjegjëse për të zbatuar Planin e Athisaarit krahas Qeverise së Kosovës ishte Prania Ndërkombëtare Civile (ICO) e cila se bashku me EULEX-in kishin obligim të vendosnin sundimit e ligjit dhe të rendit në veri të Kosovës. Kur në vitin 2012 u mbyll mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës dhe ICO-së i erdhi fundi, katër qëllime të Pakos së Athisaarit nuk ishin arritur: vendosja e rendit dhe sundimit të ligjit në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve komunale në komunat veriore dhe themelimi i Komunës së Mitrovicës së Veriu dhe Bordit të Komunës se Mitrovicës, dhe themelimi i Asociacionit të komunave serbe. Duke bërë kështu që këto tema të barten te niveli tjetër, atë në dialogun Kosovë-Serbi.

    Por, meqë serbët në veri të Kosovës, të nxitur dhe të shantazhuar nga Beogradi, për dallim nga ata në brendësi të Kosovë, nuk e pranuan Planin e Ahtisaarit, ndërmjetësitë e BE-së në prill të vitit 2013 arritën të bënin Marrëveshjen për Asociacionin, e cila pritej se do t’i hapte rrugë normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Ndërsa dy vjet më vonë, më 2015, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila përcaktoi parimet e përgjithshme dhe elementet kyç të tij.

    Marrëveshja për Asociacionin e vitit 2013

    Komuniteti ndërkombëtar ishte i vendosur të kundërshtonte çfarëdo lloj formacioni që do t’i ngjasonte një republike serbe. Ndërkohë, në kuadër të dialogut të Brukselit dhe në ndërmjetësim të baroneshës Catherine Ashton, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Ivica Daçiq më 19 prill 2013 firmosën marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të Kosovës. Karakteri i Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe ishte i përcaktuar në marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Gashtë pikat e Marrëveshjes së 19 prillit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mënyrë të qartë kanë definuar karakterin, duke e definuar si asociacion brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe “që do të themelohet në bazë të statutit ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës”.

    Sipas kësaj marrëveshjeje, aty bëhej fjalë për një asociacion me qëllime të caktuara brenda kornizës në të cilën komunat mund të ushtronin kompetencat e tyre në fushat, si zhvillimi ekonomik, shëndetësia, arsimi apo planifikimin hapësinor. Dhe se Asociacioni do të kishte kompetenca në përputhje me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje dhe ligjeve të Kosovës.

    Sipas pikës 3 të Marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “strukturat në Asociacion/Bashkësi do të themelohen në bazë të statutit ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës”. Asociacioni parashihej të kishte edhe presidentin, zv.presidentin, kuvendin dhe këshillin. Aty thuhej se Asociacioni/Bashkësia do të kishte edhe kompetenca që mund t’i delegoheshin nga pushteti qendror. Gjithashtu në aneksin e kësaj marrëveshjeje parashihej që dekreti për shpalljen e statutit të Asociacionit të aprovuar nga Qeveria e Kosovës do të vlerësohej nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës nëse është në vijë me Kushtetutën e Kosovës.

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme24 Nëntor 2024
    Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, për FrontOnline, konsideron se zyrtarët që janë dënuar dhe kanë aktakuzë për korrupsion, nuk ishte dashur të...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në një ngjarje të organizuar në Gjilan për përmbylljen e projektit “Maths4talents”, një iniciativë që...
    Kronika24 Nëntor 2024
    Një burrë është arrestuar të premten në Mitrovicë. Ai dyshohet se ka kryer vepren penale të dhunimit. I njëjti me vendim të...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, po e cilëson antikushtetues, buxhetin e miratuar për vitin e ardhshëm. Siç thotë ajo,...
    Kronika24 Nëntor 2024
    Dje është arrestuar edhe një i dyshuar për plagosjen që ndodhi të enjten në Vranjec. Ai është dërguar në mbajtje. “VRASJE E...
    Lajme24 Nëntor 2024
    9 shkurti 2025 është caktuar të jetë si datë e zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës. Tashmë partitë politike kanë filluar me...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.