Sot Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka mbajtur një takim online me institucionet relevante lidhur me përgatitjet për fillimin e viti të ri shkollor 2020/2021.
Në këtë takim nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë marrë pjesë Sazan Ibrahimi drejtor ekzekutiv i AKK-së dhe Besim Avdimetaj kryesues i Kolegjiumit për Arsim në kuadër të AKK-së.
Në këtë takim janë biseduar parapërgatitjet e institucioneve lokale dhe qendrore lidhur me krijimin e kushteve për mbajtje të mësimit brenda protokolleve të institucioneve shëndetësore për mësimin në kohë të pandemisë Covid-19.
Ndër të tjera pjesë e debatit ishte edhe angazhimi i mësimdhënësve shtesë në kuadër të pandemisë për të përmbushur nevojat e shkollave në këtë kohë.
Me këtë rast, pas konsultimeve me gjitha strukturat e AKK-së, Sazan Ibrahimi ka propozuar që kjo mund të bëhet përmes një Kontratë Pune për Punë dhe Detyra Specifike na bazë të nenit 10, paragrafi 2 dhe 2.3 si dhe në bazë të nenit 11 paragrafi 1 të Ligjit të Punës dhe nenit 5 të Ligjit për Arsim në Komunat e Republikës së Kosovës.
Poashtu në këtë takim u vlerësua se Komunat kanë kryer përgatitjet dhe janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor me gjitha përgatitjet sipas protokolleve të institucioneve shëndetësore për mësimin në kohë të pandemisë Covid-19.