×
  • Opinione
  • Opinione

    As luftë e njëmendtë, as paqe e mirëfilltë

    FrontOnline
    11 Nëntor 2021

    Nuk do të ketë luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

    Gabriel Escobar, Zëvëndës-Asistent Sekretari i Shtetit, Emisari Special për Ballkanin Perëndimor dhe realisht, zëri kryesor i Administratës së Presidentit Biden për këto anë të Evropës, ka disa javë që po e përsërit këtë qëndrim të prerë, kur pyetet prej gazetarëve për gjasat që në Bosnjë dhe Hercegovinë të ketë luftë, në ditët kur bëhen 26 vjet nga Marrëveshja e Daytonit.

    Ajo paqe, në vitin 1995, nuk do të mbërrihej kurrë pa Amerikën. Dhe duket që as kjo paqja e tanishme, e vitit 2021, nuk do të ruhet pa Amerikën.

    Zatën, në këtë Evropën e sotme, në BE-në e tanishme, nuk ka politikan dhe diplomat i cili së pari, në mënyrë kaq kategorike, do ta mohonte mundësinë e shpërthimit të një lufte të re, dhe që, së dyti, do të merrej seriozisht nga politikanët kryesorë të Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe të shteteve fqinje të saj.

    Escobar, edhe në një temë tjetër, sërish duke reflektuar politikën e Administratës Amerikane, edhe një herë në mënyrë të prerë, po deklaron që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, duhet të bëhen pjesë përbërëse e BE-së.

    Duket që as në këtë çështje nuk ka aktualisht politikan apo diplomat të Evropës, i cili ka vullnet për t’u prononcuar në këtë mënyrë, teksa dihet që nuk mund të ketë Evropë stabile me një Ballkan të destabilizuar sërish, një perspektivë që nuk është larg mendsh, kur të merret parasyshë çfarë ndodhi sivjet në thuaja të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

    Ende pa u përfunduar ky vit, mund të konkludohet që këto anë të Evropës kanë grumbulluar aq shumë probleme dhe tensione, të cilat mund të marrin trajtat e shpërthimeve të rrezikshme, ose edhe mund të shfrytëzohen si shkas për një mobilizim më të madh politik dhe diplomatik të Perëndimit për të stabilizuar një herë e mirë Ballkanin Perëndimor.

    Në këtë kontekst, dihet që partneriteti trans-atlantik sërish është i domosdoshëm në adresimin e sprovave kryesore në Ballkanin Perëndimor. Por, aktualisht, edhe një herë Washingtoni po detyrohehet të involvohet si garantues i paqes, dhe si lajmëtari kryesor për dhënien e mesazheve të qarta për të gjithë liderët e rajonit.

    Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, edhe pse nuk kanë shumë elemente të përbashkëta si raste historike dhe politike  (ai kryesori ka të bëjë me autorësinë e krimeve të luftës, që njeh Serbinë e Slobodan Miloševićit, e tjetri që si Bosnja ashtu edhe Kosova kanë qenë njësi përbërëse të ish-RSFJ-së), kanë mbetur si shtete të pakryera, të papërfunduara. Apo, thënë ndryshe, as Kosova dhe as Bosnja, nuk kanë mbërri në fund të rrugës së rrumbullakësimit të shtetësisë së tyre.

    Kosova ka më pak telashe se sa Bosnja e Hercegovina në funksionimin e saj si shtet, por Bosnja është anëtare e OKB-së.

    Marrëveshja eventuale e Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do ta kishte në themelet e veta njohjen formale reciproke, do t’ia hapte Kosovës të gjitha dyertë ndërkombëtare, aktualisht të mbyllura.

    Në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, duhet të ndodhë reforma politike dhe legale, e cila kërkon pajtimin e përfaqësuesve të tre popujve konstitutiv  (boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve), dhe të dy shteteve fqinje  (Kroacisë dhe Serbisë).

    Kjo me siguri është ndërmarrje më e ndërlikuar se sa rasti i Kosovës. Teksa, nuk mund të ketë pazare politike, ku pranimi i Kosovës nga Serbia, do të ‘kompenzohej’ me bashkimin e entitetit të Republika Srpska-s me Serbinë.

    Mund të merret me mend se çka do t’i sjellte rajonit një ndërmarrje e këtillë.

    Në anën tjetër, paqja e tanishme në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë, do të mund të transformohet në një gjendje të përhershme, vetëm kur Kosova dhe Serbia do ta nënshkruajnë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse, dhe kur Bosnja dhe Hercegovina do të funksionojë si një shtet normal.

    Rrethanat kanë ndryshuar në Ballkan, prej asaj dekadës së luftës  (në vitet e nëntëdhjeta), për të mirë dhe për të keq.

    Ta zëmë, përkundër të gjitha mospajtimeve në mes të shteteve të dala nga zhbërja e ish-RSFJ-së  (të cilat sërish njohin Serbinë ai adresë kryesore të tyre), nuk del që opsioni i luftës është real. Serbia e sotme është më e dobët se ajo e katër luftërave të shkaktuara prej saj  (në harkun kohor 1991-1999), teksa proceset e krijimit të shteteve të reja kanë marrë fund.

    Megjithatë, ka edhe lajme të këqija të cilat çojnë ujë në atë mullirin e parashikimeve të këqija për prishjen e paqes së tanishme në Ballkanin Perëndimor.

    Për shembull, Rusia e sotme, është një shtet krejt tjetër për dallim prej Rusisë së viteve të nëntëdhjeta, e cila, u pati përfshirë në Grupin e Kontaktit (së bashku me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë), dhe pati dhënë kontributin e saj veçmas në përfundimin e luftës në Bosnjë. Lideri i Rusisë, Vladimir Putin, nuk sheh kurfarë përfitimi për vete nga një stabilizim afatgjatë i Ballkanit Perëndimor.

    Pastaj, BE-ja e sotme, nuk është as hija  (si thuhet), e Bashkimit Evropian, i cili pati luajtur rol shumë të rëndësishëm në imponimin e paqes në Bosnjë dhe në Kosovë, dhe në pavarësimit të Kosovës.

    Më në fund, lajm tjetër i keq është që koha nuk punon shumë për zgjidhjen e problemeve kyç në Ballkanin Perëndimor, apo nuk mund të pritet që disi në mënyrë të natyrshme, me kalimin e viteve, do të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe funksionalizimi i Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Diçka e tillë nuk do të ndodhë pa një rol vendimtar të SHBA-së dhe pa partneritetin efektiv në mes të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

    Nga Rubrika
    Opinione31 Dhjetor 2024
    Shkruan: Ben Andoni Një nga shqetësimet më të mëdha, në ditët ku po jetojmë, është fshirja e jetës private dhe bashkimi me...
    Opinione30 Dhjetor 2024
    Shkruan: Adri Nurellari Shqipëria ka hyrë tashmë në sezon elektoral dhe të gjitha sondazhet pikturojnë një tablo të zymtë, duke krijuar përshtypjen...
    Opinione27 Dhjetor 2024
    Nga: Richard Waters / The Financial Times Në vitin 2024, nuk pati asgjë të re në fushën e inteligjencës artificiale [IA] që...
    Të tjera
    Bota/Rajoni01 Janar 2025
    Agjentja speciale, Althea Duncan, tha se ka marrë në emër të FBI përsipër çështjen e incidentit në New Orleans që shkaktoi vdekjen...
    Vip01 Janar 2025
    Një ngjarje krejt e papritur ka ndodhur mbrëmë në shtëpinë më të famshme në trojet shqiptare, Big Brother VIP Kosova, teksa mbahej...
    Lajme01 Janar 2025
    Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është shprehur për “Front Online” se lojtarët e Kosovës në ligat ndërkombëtare janë...
    Bota/Rajoni01 Janar 2025
    Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u ka uruar të gjithë shqiptarëve për një vit sa më të mbarë,...
    Lajme01 Janar 2025
    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë për “Front Online” thotë se ardhja e Franco Fodës në...
    Bota/Rajoni01 Janar 2025
    Dhjetë persona mbetën të vdekur dhe 30 u plagosën pasi një automjet u përplas me një turmë të madhe në New Orleans...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.