Është arrestuar personi që dyshohet se e ka sulmuar kameramanin e RTK-së, Bardh Bekteshi.
Bekteshi u sulmua të premten në Leposaviq nga persona të maskuar.
Edhe Policia e ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar i dyshuari i radhës mashkull serb U.V., me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit, i dyshuar për përfshirje në një rast sulm ndaj mediave/gazetarëve. Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.
Të premten pati tensione pas vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, te kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Pas këtij sulmi, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke kërkuar me urgjencë që t’u ofrohet siguri gazetarëve që po raportojnë nga atje.
Rasti i sulmit ndaj kameramanit nuk ishte i vetmi, pasi pati edhe gazetarë të tjerë që u sulmuan nga persona të maskuar.
Për këto raste, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë arrestuar dy persona që kanë sulmuar gazetarët në Veri. Ai bëri publik edhe emrat e tyre – Nemanja Vllaskovic dhe Dalibor Spasic.