Një 24-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Policia bën të ditur se i dyshuari E.Q me pozitën e menaxherit në një kompani private në periudhën Janar-Mars të këtij viti kishte arritur që përmes faturave dhe klientëve fiktiv, për vete të përfitoj një shumë të hollash në vlerë 35 mije euro, duke i shkaktuar dëm kompanisë ku ai mbante këtë pozite.
“Më këto veprime, i dyshuari E.Q. duke mos zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata dhe përgjegjësitë si menaxher, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike“ nga neni 284 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Front Online.
Tutje Policia përmes këtij njoftimi deklaroi se i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
“Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me Kryeprokurorin e PTHF, dhe sot, me date 03.04.2024, është siguruar prezenca e të dyshuarit E.Q., i cili është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës, ku pas intervistës, me aktvendim të prokurorit i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë”, theksoi PK-ja.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe arrestimin e të gjithë personave që kryejnë apo tentojnë kryerjen e veprave penale. /FrontOnline