Janë arrestuar dy persona në Ferizaj për blerje, shitje dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike psikotrope ose analog. Policia pas hetimeve dhe punën operative ka konfiskuar mbi 5 kilogramë substancë “Heroinë”, një veturë, katër telefona celularë, 560 franga dhe 120 euro.
“Me datë 08.10.2020 pas një pune operative dhe hetimore mbi sigurimin e informatave dhe me urdhër verbal të prokurorit kompetent, Policia e Kosovës ka bërë kontrollimin e një shtëpie dhe objekteve të tjera përcjellëse, ku gjatë këtij kontrolli është gjetur dhe konfiskuar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit “Heroinë” me peshë prej 5kg e 529gr. Në lidhje me rastin është bërë arrestimi i personit të dyshuar S. A. i cili dyshohet se e ka pasur nën posedim substancën e dyshuar narkotike. Të gjitha dëshmitë janë fotografuar dhe janë tërhequr nga vendi i ngjarjes nga njësiti i Krim-Teknikës së Regjionit të Ferizajit. Po ashtu, në vazhdën e hetimeve lidhur me rastin është bërë identifikimi dhe arrestimi i personit të dytë të dyshuar A. E. shtetas i Maqedonisë së Veriut, ku dhe janë konfiskuar : 1 ( një) Veturë, 4 (katër) telefona celularë, 560 (pesëqind e gjashtëdhjetë) franga, 120 (njëqind e njëzet) euro”, thuhet në komunikatën e policisë.
Me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarit dërgohen në qendër të ndalimit për 48 orë.