Në rajonin e Tetovës ka mbi 1000 persona që ndodhen në izolim dhe vetizolim, si masë për të parandaluar coronavirusin.
Kryetarja e Tetovës Teuta Arifi, thotë se edhe pse numri është i madh, nuk ka probleme më serioze me shkeljen e masës së izolimit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Disa herë kemi apeluar që çdonjëri që është pozitiv, t’i tregojë të gjitha kontaktet, pasi kjo është për të mirën e të gjithëve. Deri tani sipas informacioneve të MPB-së, numri i personave në izolim dhe vetizolim është rreth nj mijë. Është numër serioz, por deri tani nuk janë paraqitur probleme më të mëdha”, tha Teuta Arifi.
Sipas statistikave të SPB Tetovë gjatë ditës së kaluar, 71 persona kanë marrë vendim për izolim, ndërsa deklaratë për vetizolim kanë nënshkruar 963 persona.
Në karantinën shtetërore në Kodrën e Diellit ka 55 persona.