×
  • Opinione
  • Opinione

    Amerika është më e fortë se sa duket

    FrontOnline
    10 Shkurt 2022

    Vëmendja e botës mund të jetë e përqendruar me të drejtë tek sfida e Rusisë ndaj Ukrainës. Por administrata e presidentit amerikan Joe Biden, përballet me një problem shumë më të madh: një sfidë në rritje nga Kina, Rusia dhe oportunistët si Irani dhe Koreja e Veriut ndaj rendit global që trashëgoi ShBA, nga një Perandori Britanike e lëkundur në vitet 1940. Derisa Vladimir Putin e ka forcuar ndikimin e tij në Bjellorusi dhe e ka përshkallëzuar “luftën e nervave” ndaj Ukrainës, Kina sinjalizoi mbështetjen e saj për politikën e Rusisë në Ukrainë. Po ashtu, ajo dërgoi një numër rekord avionësh luftarakë në zonën e mbrojtjes së Tajvanit, kreu stërvitje të përbashkëta detare me Rusinë pranë Japonisë, dhe e shtoi praninë e saj detare midis Japonisë dhe Tajvanit.

    Ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara, paralajmëroi për një rrezik në rritje të shpërthimit të luftës mbi ishull, Jin Canrong, një nga analistët më të njohur kinezë që ka shumë kontakte në radhët e drejtuesve të lartë të Partisë Komuniste Kineze, parashikoi se Kina do të kryente një “bashkim me dhunë” me Tajvanin brenda vitit 2027.

    Për disa ekspertë, ky përshkallëzim i krizave globale ilustroi më së miri limitet e fuqisë amerikane. Ata pyesin: Pse për çdo problem në botë, kërkohet ndërhyrja e Amerikës? Pse të mos bëjmë një shkëputje nga hallet e planetit, duke e kthyer vëmendjen ndaj problemeve më emergjente brenda ShBA-së?

    Kjo është padyshim një ide joshëse. Por, herën e fundit që e provuam, gjërat nuk shkuan dhe aq mirë. Në vitet, 1920 amerikanët shpresonin se mbrojtja e parimeve demokratike, ligjit ndërkombëtar dhe bashkëpunimin ekonomik me vendet e tjera, mund të parandalonte një luftë tjetër botërore.

    Por, kjo nuk ndodhi, dhe pas tronditjes që shkaktoi Lufta e Dytë Botërore dhe armiqësisë së pasluftës nga ana e Josif Stalinit, politikëbërësit amerikanë vendosën se ndërtimi i një versioni të amerikanizuar të sistemit të vjetër botëror britanik, pra një rend ekonomik global i mbështetur nga fuqia ushtarake amerikane, ishte mënyra më e sigurt dhe më e lirë nga pikëpamja ekonomike për të mbrojtur interesat thelbësore të ShBA-së.

    Sistemi pas 1945 tregoi se ishte i qëndrueshëm dhe efektiv, duke e zbutur ndjeshëm sfidën e sovjetikëve, siguruar integrimin e vendeve post-koloniale në një ekonomi botërore në zgjerim, duke parandaluar luftërat midis fuqive të mëdha përgjatë shtatë dekadave, dhe përfshirë në sistem Gjermaninë dhe Japoninë si “aktere të përgjegjshme” në një rend botëror që dikur ishin përpjekur ta shkatërronin.

    Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, politikëbërësit amerikanë shpresonin që ta zgjeronin më tej atë sistem, me Rusinë dhe Kinën që do t’i bashkoheshin Gjermanisë dhe Japonisë si shtylla kryesore të një rendi botëror të udhëhequr nga amerikanët, por ndërkombëtarisht të përgjegjshëm.

    Njëkohësisht, amerikanët u përpoqën që të pastronin dhe të ngrinin një rend botëror që nuk përballej më me rivalët armiqësorë komunistë, duke e vënë më shumë theksin tek të drejtat e njeriut, barazia e grave, promovimi i demokracisë, dhe çështje të tjera transnacionale si ndryshimi i klimës dhe emigracioni.

    Por, versioni pas vitit 1990 i projektit të vitit të largët 1945, ka hasur shumë rezistencë, sepse Rusia dhe Kina refuzojnë kategorikisht të pranojnë vizionin amerikan të një bote të pas Luftës së Ftohtë.

    Në kushtet kur opinioni amerikan është gjithnjë e më i ndarë mbi elementët bazë të strategjisë sonë të ndërtimit të rendit botëror, që variojnë nga tregtia e lirë deri tek garancitë e sigurisë globale, apo edhe rolin që duhet të kenë çështjeve të tilla si ndryshimi i klimës dhe të drejtat LGBTQ në politikën e jashtme amerikane, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që presidentët të gjejnë mbështetje të brendshme sa i përket politikës së jashtme, ndonëse situata globale po bëhet gjithnjë e më e zymtë.

    Por, me pesimizmin teprohet lehtësisht. Historia nuk nisi në vitin 1945, dhe ka arsye të rëndësishme strukturore se përse Britania dhe ShBA-ja qenë në gjendje të ndërtonin dhe mbronin një sistem botëror kapitalist liberal, i cili në disa aspekte daton që nga luftërat e shekullit XVII-të midis Britanisë dhe Francës.

    Modeli britanik i një shoqërie liberale dhe pro biznesit në vend, i fokusuar tek tregtia globale dhe fuqia detare, u tregua i fortë dhe i qëndrueshëm. Louis XIV, Napoleoni, Kajzer Wilhelmi, Adolf Hitleri, Japonia Perandorake dhe Bashkimi Sovjetik, u përpoqën që të shkatërronin sistemin botëror anglo-amerikan, që ishte në zhvillim e sipër.

    Të gjithë ata bënë histori dhe e tronditën deri në themel këtë rend. Por, gjithsesi në fund të gjithë ata dështuan. Faktorët që kontribuojnë në suksesin afatgjatë të rendit anglo-amerikan janë të pranishëm ende sot.

    Një shoqëri e hapur dhe një klimë konkurruese në biznes, promovojnë përparimin teknologjik dhe rritjen ekonomike, të cilat garantojnë politikën tonë të jashtme. Si një fuqi globale detare,e interesuar në parandalimin e fuqive të mëdha tokësore nga dominimi i Evropës ose Azisë, amerikanët janë aleatët natyrorë të shteteve më të vogla që kërkojnë të mbrohen kundër ambicieve të hegjemonëve aspirantë si Kina dhe Rusia.

    Politikat dominuese kineze në rajonin e Indo-Paqësorit, i kanë forcuar aleancat e ShBA-së atje, ndërkohë që kërcënimet e Rusisë ndaj Ukrainës po e ripërtërijnë NATO-n dhe po u kujtojnë evropianëve se pavarësisht të gjithave, Uashingtoni mbetet një aleat i mirë.

    Winston Churchill e përgatiti veten për luftën kundër Hitlerit, duke studiuar metodën ushtarake dhe diplomatike të paraardhësit të tij John Churchill që solli fitoren ndaj mbretit të Francës Louis XIV. Theodore Roosevelt ishte një nxënës serioz i historisë britanike dhe amerikane, ashtu si edhe kushëriri i tij Franklin.

    Mjerisht, në dekadat e fundit sistemi arsimor amerikan, e ka trajtuar me dyshim dhe përbuzje studimin e themeleve të suksesit amerikan. Amerikanët që synojnë të përgatiten për betejat e epokës sonë, do të bënin mirë të rifreskonin dijet e tyre mbi historinë e sistemit botëror, që na kërkohet sërish që ta mbrojmë. /Burimi: “The Wall Street Journal”/Në shqip nga: bota.al/

    Nga Rubrika
    Opinione03 Janar 2025
    Nga Richard Kemp: Ndërsa viti 2025 ka filluar, pesimizmi për fatin e Ukrainës rri pezull në ajër, ndërsa kutërbimi i paqësimit ndihet...
    Opinione02 Janar 2025
    Ekipi i sapozgjedhur i BE në Bruksel në 2024 ka shumë për të bërë. Si mund të arrihet kjo pa një tandem...
    Opinione01 Janar 2025
    Shkruan: Blerim Shala Viti 2025, i cili tashmë i ka hapur portat për të gjithë ne, do të jetë politikisht një vit...
    Të tjera
    Vip03 Janar 2025
    Pasi kishte vite pa e parë, artistja Parashqevi Simaku u takua më në fund sot me djalin e saj, Luke. Pamjet të...
    Lajme03 Janar 2025
    Pritjet e mërgimtarëve në pikën kufitare në Merdarë janë rritur. Nga mbi tri orë sa ishin duke pritur më herët, tani mërgimtarët...
    Bota/Rajoni03 Janar 2025
    Shefja e Komisionit Evropioan von der Leyen është sëmurë me ‘pneumoni të rëndë’ dhe ka anuluar të gjitha takimet e saj për...
    Vip03 Janar 2025
    Ka nisur spektakli ‘Prime’ i Big Brother VIP Kosova, i 23-ti me radhë, i cili si zakonisht padyshim që premton shumë për...
    Lajme03 Janar 2025
    Një person është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Prishtinë. Rastin për Front Online e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë,...
    Lajme03 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Altin Krasniqi ka njoftuar për takimin e radhës që ka zhvilluar. Krasniqi ka treguar se...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.