×
  • Ekonomi
  • Banka

    Ambasada në Izrael, pa ndikim në raportet ekonomike Kosovë-Turqi

    FrontOnline
    28 Mars 2021

    Faktorët joekonomikë nuk duhet të ndikojnë në marrëdhëniet e qëndrueshme ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë të Odës Tregtare Kosovare-Turke.

    “Pavarësisht faktorëve të tjerë, midis Kosovës dhe Turqisë janë duke u zhvilluar marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike. Shpresojmë se këto marrëdhënie të forta ekonomike nuk do të ndikohen nga faktorë joekonomikë”, thuhet në përgjigje.

    Përgjigjja pason deklarimet e mëhershme të Ambasada turke në Prishtinë, ku kanë thënë se Turqia e kundërshton hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem të Izraelit.

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan më 25 mars i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të rishikojë çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

    Turqia vazhdon të mbetet një ndër partneret më të mëdha tregtare, me prezencë të investimeve direkt dhe importit të produkteve në Kosovë.

    Vlera e investimeve në 15 vjetët e fundit nga shteti i Turqisë në Kosovë arritën në mbi 435.6 milionë euro, thuhet në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës. Kurse nga ky shtet nuk ka remitenca.

    Kompania “Infinit”, që gjendet në qytetin e Prizrenit, importon ujë me shije të ndryshme si dhe pije alkoolike dhe joalkoolike nga shteti i Turqisë. Mentor Çollaku, menaxher i marketingut në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se kanë marrëdhënie të mira me kompanitë turke.

    “Ne do të vazhdojmë biznesin, nuk kemi hasur në ndonjë problem në aspektin ekonomik. Produktet turke janë të kërkuara në tregun vendor”, tha ai.

    Gjatë dy vjetëve të fundit (2019-2020), rreth 840 milionë euro ka arritur vlera e mallrave të importuara nga shteti i Turqisë në Kosovë. Ndërkaq, Kosova në Turqi ka eksportuar rreth 20 milionë euro.

    Turqia, partnere strategjike e Kosovës
    Edhe profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu shprehet se Turqia ka qenë, është dhe duhet të jetë partnere strategjike e Kosovës me një qasje pozitive. Kosova, thotë ai, është produkt i diplomacisë ndërkombëtare dhe në këtë drejtim Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane kanë dhënë kontribut të pakontestuar në formimin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ku nuk duhet të mohohet edhe kontributi i Turqisë, dhënë në forma të ndryshme.

    Shteti i Turqisë është një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

    Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, më 14 mars. Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

    Para se të hapej Ambasada në Jerusalem, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kishte porositur liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë kryeministër i Kosovës, Albin Kurtin që “do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”.

    Gërxhaliu shprehet se shteti i Izraelit ka vendosur për vendin se ku do të vendoset Ambasada e Kosovës dhe se për këtë gjë, Turqia duhet të tregojë mirëkuptim.

    “Nëse do të vijë deri te ftohja e raporteve në relacionin Turqi- Kosovë, atëherë besoj se shumë më tepër do të humbë Turqia sesa Kosova. E them këtë bazuar në faktin se Turqia është një partnere strategjike për shitje të produkteve të veta në Kosovë. Turqia është një ndër investitorët e shumtë në aspektin financiar në Kosovë, këtu duhet të përmendet edhe aspekti i energjetikës dhe aviacionit. Pra, mendoj se në këtë moment Turqia duhet të solidarizohet me Kosovën”, thekson Gërxhaliu.

    Gërxhaliu shton se Ankaraja zyrtare duhet të jetë e matur me veprime sepse produktet turke zënë hapësirë të madhe në tregun e Kosovës.

    “Mua më gëzon fakti se Turqia ekonomikisht po shtrihet në vendet e rajonit, por në Kosovë ka dhënë kontribut të madh në ndërtimin, restaurimin e xhamive, restaurimin e hamameve. Ndërkaq në vendet e rajonit ka bërë investime direkte, ka krijuar vende të reja të punës, ka përmirësuar strukturën e eksportit dhe bilancin e pagesave. Unë mendojë se edhe në Kosovë në këtë mënyrë duhet të sillet”, shprehet Gërxhaliu.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, 1.402 është numri i bizneseve nga Turqia që operojnë në tregun e Kosovës. Bizneset e regjistruara janë më së shumti në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë.

    Kompanitë turke në Kosovë
    Në Kosovë disa nga kompanitë me kapitalin më të madh janë kompani turke.

    Konsorciumi turko-francez, Limak–Aeroport de Lyon, në vitin 2010 ka marrë me koncesion për 20 vjet Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Në vitin 2012, konsorciumi turk Limak–Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, KEDS. Po ashtu, në Kosovë operojnë dy banka turke: TEB banka dhe ISBANK.

    Bechtel-Enka, konsorciumi amerikano-turk, ka bërë ndërtimin e dy autostradave, atë që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me një vlerë mbi 1.6 miliard euro.

    Edhe një numër i institucioneve arsimore funksionojnë në Kosovë nga investimet turke.

    Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, qeveritë e të dy shteteve kanë nënshkruar 43 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi, si në fushën e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.

    Bigbrother Vip Kosova dhe Bigbrother Vip Albania në Artmotion
    Nga Rubrika
    Ekonomi25 Prill 2024
    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se aktualisht janë 300 milionë euro shumë totale në formë të marrëveshjeve ndërkombëtare që sipas tij,...
    Ekonomi24 Prill 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, njëherit edhe kryetari i Mitrovicës Jugore, Bedri Hamza, ka bërë deklarimin e pasurisë së tij. Nga ajo...
    Ekonomi24 Prill 2024
    Mbi 241 milionë euro është vlera e kredive të reja të marra nga qytetarët e Kosovës sipas të dhënave të publikuara nga...
    Të tjera
    Lajme25 Prill 2024
    I Dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se në takimin e sotëm të ekipeve negociatore ka prezantuar...
    Bota/Rajoni25 Prill 2024
    Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit e 17 vendeve të tjera, që kanë shtetas të tyre që mbahen peng nga Hamasi, po kërkojnë...
    Vip25 Prill 2024
    Analisti Astrit Gashi i ka dhënë fund beqarisë. Ai ka kurorëzuar dashurinë me fejesë me gazetaren Alba Merovci. Lajmin e bëri të...
    Lajme25 Prill 2024
    Nesër pritet të mbahet seanca e parë në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i kësaj...
    Sport25 Prill 2024
    Minutat e mbetur mes Udineses dhe Romës, u zhvilluan pas 11 ditësh, ku u shënua një gol dhe ndeshje u mbyll 2-1...
    Bota/Rajoni25 Prill 2024
    Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte këtë të enjte i ftuar në një intervistë për Euronews Albania, ku  tha se demokratët...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.