Kryetari i BDI-së, Ali AHmeti është thirr nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitar si një nga themeluesit e UÇK-së për periudhën 1998-2000. Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi thotë se marrja në pyetje e Ahmetit nga prokurorët e Hagës ka të bëjë me aktivitetet në Kosovë, dhe jo për ato në Maqedoni.
“Ftesa erdhi përmes prokurorisë sonë, ndërsa në ftesë shkruan se në çfarë cilësie është thirrur. Ai është thirr në cilësinë e dëshmitarit për rolin e tij si themelues i UÇK-së për periudhën 1998-2000. Vetëm për këtë periudhë dhe për këto aktivitete. Në gjithë intervistën nuk është pyetur për aktivitetet në Maqedoni apo ndonjë vend tjetër”, tha Grubi për TV Sitel, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kreu i BDI-së më 2 dhe 3 shtator u marr në pyetje para hetuesve të Gjykatës Speciale. Pas intervistës dy ditore te zyrat e EULEX në Prishtinë, Ahmeti deklaroi se ai është intervisistuar në cilësinë e dëshmitarit, por se nuk mund të japë informacione deri në përfundim të proceseve para tribunalit ndërkombëtar.
“Deri në përfundimin e këtij procesi nuk mund të jap asnjë informacion në opinion, për shkak se ashtu është paraparë me ligj. Kur procesi do të merr epilog, atëherë mund të flas. Deri atëherë nuk ma lejon ligji”, tha Ahmeti.