Pothuajse asnjë biznes nuk do të qëndrojë i hapur në vend, këtë vikend.
Të gjitha, qendrat tregtare e rekreative, supermerketet e mëdha, restorantet, kafenetë do të mbyllen prej të premtës në ora 20:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit të së hënës.
Me këtë mbyllje totale s`po pajtohet Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.
Ai për Front Online tha se diçka e tillë i çon bizneset më shpejt drejt falimentimit.
“Mendoj që në aspekt shëndetësor janë masa të mira. E në aspekt ekonomik, do të ketë ndikim, do të ketë humbje të qarkullimit, fuqisë, humbje të bizneseve, të cilat biznese kanë aktivietin e vet në sektorët e mbyllur. Kanë obligimet e tyre që dalin nga këta operatorë ekonomikë. Kjo e çon biznesin drejt një mbylljeje. Kjo rrezikon që bizneset të shkojnë më shpejt drejt falimentimit. Ekonomia e vendit duhet të qarkullojë”, u shpreh Shahini për Front Online.
Krahas këtij vendimi, Qeveria, po ashtu në mbledhjen e të premtes vendosi që nga e premta në mbrëmje e deri të hënën në mëngjes, të bllokohen të gjitha hyrje-daljet në 7 komunat e Kosovës si: Prishtina, Fushë Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Podujeva dhe Shtime.