Propozim-aktakuza e publikuar nga Specialja, ku presidenti Hashim Thaçi e kreu i PDK-së, Kadri Veseli përmendeshin si të dyshuar për disa dhjetëra vrasje të bëra gjatë luftës e kishte dridhur skenën politike në vend. Situata mund të komplikohet edhe më tutje në rast se Tribunali Special e konfirmon të njëjtën. Për ta bërë këtë gjë, Specialja ka afat ligjor vetëm edhe katër ditë.
Veç edhe katër ditë në dispozicion i ka kohë Tribunali Special për të vendosur nëse do të konfirmojë apo do ta hedhë poshtë propozim-aktakuzën ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçit e kreut të PDK-së, Kadri Veselit.
Më 24 qershor të këtij viti, zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar njoftimin për propozim aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, të cilën ia kishin dorëzuar Dhomave të Specializuara më 24 prill.
Prokuroria Speciale pretendon se presidenti Thaçi dhe kreu i PDK’së Kadri Veseli janë përgjegjës për vrasjen e rreth 100 personave.
Në propozim aktakuzën 10 pikëshe, Thaçi dhe Veseli, me disa persona të tjerë që nuk përmenden me emër, dyshohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
“Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, ishte shkruar në njoftim.
Këto pretendime që pritet t’i hedhë poshtë apo t’i konfirmojë Gjykata mund të shkaktojnë një “tërmet” të ri politik në vend, sidomos pas zhvillimeve që kishin pasuar arrestimin e krerëve të OVL-UÇK, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.
Thaçi dhe Veseli kanë dhënë një premtim të njejtë në rast se të dy këta bëhen të akuzuarit e radhës të Tribualit.
Presidenti i vendit e ka bërë të qartë se nuk do të shkojnë në Hagë si i pari i shtetit dhe se do të japë dorëheqje nëse i konfirmohet aktakuza.
“Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si president i juaji dhe do të përballem me akuzat”, kishte thënë presidenti.
Një dorëheqje e parakohshme e Thaçit do të komplikonte edhe më tepër situatën, kur tashmë dihet që as partitë që janë bashkë në koalicion, e as opozita, s’kanë qëndrim unik rreth asaj se kush duhet të jetë emri që do ta pasojë Thaçin në rast të konfirmimit të aktakuzës.
AAK synon për Haradinajn postin e presidentit, PDK thonë se është jo etike që të diskutohet për një çështje të tillë derisa Thaçi është ende president, derisa nga LDK’ja thonë se për punën e të parit të shtetit flasin kur të vjen koha.