Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është e papranueshme gjuha e përdorur nga Federata e Futbollit të Kosovës në raport me portalin “Albanian Post”.
Të dielën Federata e Futbollit të Kosovës ka paralajmëruar për veprime ligjore kundër gazetës “Albanian Post”, pas debatit lidhur me menaxhimin e FFK-së, i hapur gjatë këtij muaji si rezultat i humbjes së Kosovës nga Rumania në Ligën e Kombeve.
“Federata e Futbollit të Kosovës ka lëshuar një komunikatë të re, ku përdor gjuhë të papranueshme ndaj portalit Albanian Post, duke e lidhur atë me “struktura kriminale”. AGK-ja e dënon këtë gjuhë të rrezikshme ndaj medies nga ana e organit më të lartë të futbollit në vend”, ka theksuar AGK. “AGK-ja e fton Federata e Futbollit e Kosovës – Football Federation of Kosova që në vend të sulmeve dhe gjuhës së rëndë, të adresojë raportimet në këtë dhe media të tjera për mënyrën e funksionimit të këtij institucioni të rëndësishëm”.