Kryetari i Ferizajit theksoi se çështja për Ligjin për tatimin në pronë është diskutuar me Bordin e Asosacionit të Komunave, i cili ka lobuar që ky ligj të mos zbatohet siç ishte parashikuar nga Qeveria.
‘’ Kjo është çështje që ne e kemi diskutuar me Bordin e Asosacionit të Komunave dhe Asosacioni i Komunave ka lobuar që ky ligj të mos zbatohet siç ka qenë e paraparë nga qeveria e Republikës së Kosovës’’, tha Aliu.
Ai theksoi se ligji paraqet një masë shumë shtrënguese për bizneset dhe qytetarët, të cilët po përballen me vështirësi si rezultat i rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
‘’E kemi parë që është një masë shumë shtrënguese duke e pasur parasysh faktin se bizneset kanë qenë janë dhe mbetën në vështirësi e po ashtu edhe qytetarët e familjet tona si rezultat i ngritjes së vazhdueshme të çmimeve’’, deklaroi kryetari i Ferizajit.
Kryetari shprehu shqetësimin se ligji i ri do t’i ngarkonte jashtëzakonisht shumë bizneset dhe theksoi nevojën për një ri-vlerësim të tij.
‘’ Qeveria ka bërë vlerësimin e pronës dhe ligjin e ri me të cilin i ngarkon bizneset jashtëzakonisht shumë dhe ne duke parë këtë ngarkesë nga qeveria e Kosovës kemi lobuar që kjo të shtyhet dhe do të donim që kjo të kishte edhe një ri-vlerësim, ri-adamentim në mënyrë që kjo të mos bëhet barrë e rëndë për bizneset e për familjet’’, tha Aliu për FrontOnline.
Ai shprehu bindjen se kjo masë do të ishte një barrë e rëndë për bizneset, madje duke thënë se shumë prej tyre mund të mbyllen si pasojë. Megjithatë, ai u shpreh i kënaqur për shtyrjen e zbatimit
‘’ Jemi shumë të sigurte si kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës , e në këtë rast edhe si kryetar i Komunës së Ferizajit që ky është litari më shtrëngues për bizneset e Republikës së Kosovës, madje po të ndodhte jam i bindur që shumë nga bizneset do të mbylleshin, por më vjen mirë që do të shtyhet dhe ne do të bëjmë presion’’, tha Aliu.
Kryetari nënvizoi se, pavarësisht se komunat do të përfitonin buxhetarisht nga ky ligj, është më e rëndësishme që të mbrohen interesat e bizneseve dhe qytetarëve.
‘’ Ani pse në kuptimin buxhetor komunat do të ishin përfituese sepse do t’i inkasojnë këto mjete, por ne nuk kemi dashur ti inkasojmë këto mjete në kurriz të dëmit për bizneset, për familjet e qytetarëve , prandaj kemi hequr dorë nga ky përfitim buxhetor në mënyrë që bizneset tona të jenë më të forta dhe të përballojnë më lehtë situatën ekonomike në Kosovë’’, përfundoi Aliu.