×
  • Lajme
  • Lajme

    Tërheqja e Muratit/ Ligji për Tatimin në Pronë do t’i dëmtonte bizneset dhe konsumatorët, të ndryshohet plotësisht

    FrontOnline
    03 Nëntor 2024

    Ligji i ri për tatimin në pronë, i miratuar vitin e kaluar, pritej të kishte një ndikim të madh në rritjen e tatimeve për pronat komerciale.

    Rritja e konsiderueshme e normave të tatimit do të ndikonte rëndë në kostot operative të bizneseve, gjë që mund të çonte në rritjen e çmimeve të shërbimeve dhe produkteve, duke e bërë më të vështirë për konsumatorët të përballonin këto rritje.

    Fillimisht, ligji ishte planifikuar të hynte në zbatim më 1 janar 2025, por Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) njoftoi se Ministria e Financave ka vendosur ta shtyjë zbatimin e normës tatimore progresive për vitin 2026.

    AKK thotë se deri te kjo ka ardhur pas presionit dhe insistimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, që në vazhdimësi ka thënë se kjo normë është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale.

    “Në mbledhjen 227 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Financave, Transfereve dhe Punës z.Hekuran Murati paraqiti Ligjin e Buxhetit për vitin 2025. Në elaborimin e dispozitave të këtij Ligji, ministri Murati ndër të tjera njoftoj se është futur dispozita që ka të bëjë me shtyrjen e afatit për zbatimin e tatimit të normës tatimore progresive në pronat e paluajtshme komerciale për vitin 2026”, thuhet në njoftim.

    Ibrahimi: Tatimi në pronë për bizneset, ne ia hapëm sytë Qeverisë

    Lidhur me  këtë vendim për shtyrjen e zbatimit  të  normës tatimore progresive për prona komerciale është deklaruar për FrontOnline ,Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi .

    Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, vlerësoi vendimin e Ministrisë së Financave për të shtyrë zbatimin e normës tatimore progresive për pronat komerciale si një rezultat të presionit nga Komunat.

    ‘’ Ky ishte rezultat i presionit të komunave, pra i Asosacionit të Komunave të Kosovës, ku ne ia hapëm sytë qeverisë ë Republikës së Kosovës e çka do të mund të ndodhë vitin e ardhshëm me tatimin në pronë’’, tha Ibrahimi për FrontOnline.

     

    Ai theksoi se ky  vendim parandalon një rritje të madhe të tatimit në pronë, e cila do të kishte pasoja të rënda për pronarët dhe qytetarët.

    ‘’ Do të ishte një ngritje enorme e tatimit në pronë po të ndodhte ajo se çfarë është planifikuar me ligj dhe do të ndikonte keq për bizneset e qytetarët’’, tha Ibrahimi.

    Ibrahimi shprehu shpresën se Qeveria do të reflektojë dhe do të ndryshojë ligjin, duke marrë parasysh ngarkesën që tashmë po përballojnë qytetarët me tatimin në pronë dhe faturat që kanë pranuar këtë vit.

    ‘’ Po shpresojmë që niveli qendror duhet të reflektojë dhe të ndryshoj këtë ligj sepse edhe qytetarët janë të mbi ngarkuar me tatimin në pronë me fatura të cilat  i kanë pranuar këtë vit’’, përfundoi Ibrahimi.

     

    Agim Aliu për Ligjin ligjin për tatimin në pronë: Ky është litari më shtrëngues për bizneset e Republikës së Kosovës

     

    Kryetari i Ferizajit theksoi se kjo çështje është diskutuar me Bordin e Asosacionit të Komunave, i cili ka lobuar që ky ligj të mos zbatohet siç ishte parashikuar nga Qeveria.

     ‘’ Kjo është çështje që ne e kemi diskutuar me Bordin e Asosacionit të Komunave dhe Asosacioni i Komunave ka lobuar që ky ligj të mos zbatohet siç ka qenë e paraparë nga qeveria e Republikës së Kosovës’’, tha Aliu.

    Ai theksoi se ligji paraqet një masë shumë shtrënguese për bizneset dhe qytetarët, të cilët po përballen me vështirësi si rezultat i rritjes së vazhdueshme të çmimeve.

    ‘’E kemi parë që është një masë shumë shtrënguese duke e pasur parasysh faktin se bizneset kanë qenë janë dhe mbetën në vështirësi e po ashtu edhe qytetarët e familjet tona si rezultat i ngritjes së vazhdueshme të çmimeve’’, deklaroi kryetari i Ferizajit.

    Kryetari shprehu shqetësimin se ligji i ri do t’i ngarkonte jashtëzakonisht shumë bizneset dhe theksoi nevojën për një ri-vlerësim të tij.

    ‘’ Qeveria ka bërë vlerësimin e pronës dhe ligjin e ri me të cilin i ngarkon bizneset jashtëzakonisht shumë  dhe ne duke parë këtë ngarkesë nga qeveria e Kosovës kemi lobuar që kjo të shtyhet  dhe do të donim që kjo të kishte edhe një ri-vlerësim, ri-adamentim në mënyrë që kjo të mos bëhet barrë e rëndë për bizneset e për familjet’’, tha Aliu për FrontOnline.

     

    Ai shprehu bindjen se kjo masë do të ishte një barrë e rëndë për bizneset, madje duke thënë se shumë prej tyre mund të mbyllen si pasojë. Megjithatë, ai u shpreh i kënaqur për shtyrjen e zbatimit

    ‘’ Jemi shumë të sigurte si  kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës , e në këtë rast edhe si kryetar i Komunës së Ferizajit që ky është litari më shtrëngues për bizneset e Republikës së Kosovës, madje po të ndodhte jam i bindur që shumë nga bizneset do të mbylleshin, por më vjen mirë që do të shtyhet dhe ne do të bëjmë presion’’, tha Aliu.

    Kryetari  nënvizoi se, pavarësisht se komunat do të përfitonin buxhetarisht nga ky ligj, është më e rëndësishme që të mbrohen interesat e bizneseve dhe qytetarëve.

    ‘’ Ani pse në kuptimin buxhetor komunat do të ishin përfituese sepse do t’i inkasojnë këto mjete, por ne nuk kemi dashur ti inkasojmë këto mjete në kurriz të dëmit për bizneset, për familjet e qytetarëve , prandaj kemi hequr dorë nga ky përfitim buxhetor në mënyrë që bizneset tona të jenë më të forta dhe të përballojnë më lehtë situatën  ekonomike në Kosovë’’, përfundoi Aliu.

    Ramiz Kelmendi: Një vendim i sjellë, pastaj i shtyrë , sigurt ka ndonjë interes politik dhe zgjedhor

    Ramiz Kelmendi, pronar i zinxhirit të marketeve ETC, u deklarua për FrontOnline  mbi vendimin për shtyrjen e zbatimit të tatimit progresiv për pronat komerciale. Ai theksoi se ky vendim, ndonëse është i sjellur, ka gjithashtu aspekte të dyshimta politike dhe zgjedhore, veçanërisht tani që po afrohen zgjedhjet.

    ‘’ Një vendim i sjellur, pastaj i shtyrë , sigurt ka ndonjë interes politik dhe zgjedhor sigurisht pasi jemi afër zgjedhjeve’’, tha Kelmendi për FrontOnline.

    Kelmendi vuri në dukje se rritja e tatimit në pronë, përfshirë rritjet e mundshme dyfish ose trefish, do të dëmtonte investitorët, veçanërisht ata të jashtëm, që kanë potencial për të investuar në Kosovë

    ‘’ Si tatim në pronë me vlerën e shtuar apo të dyfishuar e trefishuar gjithmonë paraqet dëm në veçanti për të gjithë investitorët e jashtëm të cilët kanë potencial investimi’’, potencoi Kelmendi.

    Ai theksoi rëndësinë që qeveria e Kosovës të krijojë një ambient të favorshëm për investitorët, si ata të jashtëm ashtu edhe ata të brendshëm.

    Kelmendi përfundoi me një paralajmërim se nëse vendimet merren me hidhërim, rezultatet do të jenë gjithashtu të hidhura, duke sugjeruar se një qasje më e kujdesshme dhe e mirëfilltë është e nevojshme për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme ekonomike.

    ‘’ Qeveria e Kosovës duhet të qaset në krijimin e ambientit të mirë për investitorët e jashtëm e në veçanti edhe për investitorët e brendshëm, është një rregull tradicional që ne e quajmë ‘’Sa herë që e merr me hidhërim për të zgjidhur diçka edhe zgjedhja do të jetë e hidhërueshme’’, përfundoi afaristi.

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme06 Dhjetor 2024
    Enver Hoxhaj i PDK-së ka reaguar pas aktakuzës së re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale. Hoxhaj shkroi në Facebook “Me...
    Lajme06 Dhjetor 2024
    Doarsa Kica-Xhelili, deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është deklaruar lidhur me veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që anëtarët e...
    Lajme06 Dhjetor 2024
    Zyra e Prokurorit të Specializuar sot ka njoftuar se ka ngritur akuza të reja kundër Hashim Thaçit për vepra penale që ndërlidhin...
    Të tjera
    Bota/Rajoni06 Dhjetor 2024
    Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se i mirëpriste hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me...
    Vip06 Dhjetor 2024
    Sonte në prime u diskutua 12 orëshi i Anës dhe Kevinit. Po ashtu u shfaq një klip me momente intime në mes...
    Lajme06 Dhjetor 2024
    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar Qeverinë e kryeministrit Albin Kurtit për mungesën e masave të duhura për mbrojtjen e...
    Vip06 Dhjetor 2024
    Ozi ka sqaruar lidhjen që ka pasur me Anën para se të hynte, kjo e fundit në Big Brother VIP Kosova 3....
    Lajme06 Dhjetor 2024
    Për të shtunën parashikohet gjatë orëve të para të 24-orëshit të kemi depërtimin e frontit të ftohtë nga veriperëndimi me lëvizje në...
    Lajme06 Dhjetor 2024
    Banka Botërore është e përkushtuar për të ndihmuar në sanimin e dëmeve të shkaktuara në kanalin e Ibër-Lepencit, pas sulmit terrorist. Kështu...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.