×
  • Opinione
  • Opinione

    A po shkon turizmi shqiptar, atje ku Edi Rama dëshiron?!

    Virtyt Gacaferri
    10 Qershor 2024

    Nga Virtyt Gacaferri:

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mirë e ka kur thotë se Shqipëria duhet të synojë tregun e turizmit cilësor – të klientëve të cilët shpenzojnë më shumë, jo të atyre që shpenzojnë pak. Mirëpo, një raport i Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum), për turizmin – i përpiluar nga ekspertë të universiteteve prestigjioze – tregon se gjatë pesë vjetëve të fundit ajo që ka bërë Shqipëria është konkurrimi në çmim.

    Ky raport – i cili botohet periodikisht – ka lajme të mira për Shqipërinë, por tregon edhe ngecjet. Sipas Indeksit të Turizmit dhe Udhëtimeve (Travel and Tourism Development Index – TTDI), Shqipëria është ranguar në vendin 66. Mirëpo, për të dëshmuar argumentin se Shqipëria për këto vjet nuk ka konkurruar në cilësi, flet fakti se arsyet e rritjes së këtij indeksi janë konkurrenca në çmim, siguria, shëndeti dhe higjiena. Pra, njëra nga pikat e forta të turizmit të Shqipërisë është se atje është lirë. Edi Rama është kryeministër tash e 11 vjet dhe ka arritur ta bëjë Shqipërinë tërheqëse përmes çmimeve.

    Duke përmbledhur raportin, aty thuhet: Shqipëria ka treguar përmirësime të dukshme në TTDI, më 2024, duke avancuar – nga viti 2019 – nga vendi i 78-të në vendin e 66-të. Ky përparim tregon përkushtimin e Shqipërisë për të përmirësuar sektorin e saj të turizmit dhe udhëtimit, pjesë kjo jetike e ekonomisë së saj. Megjithatë, pavarësisht këtyre përmirësimeve, vendi ende përballet me sfida të mëdha të cilat duhet të adresohen për të shfrytëzuar plotësisht potencialin turistik që ka.

    Pikat pozitive të turizmit të Shqipërisë

    Konkurrenca e çmimeve: Leverdia, përballimi i Shqipërisë në çmim – krahasuar me destinacionet e tjera evropiane – e bën opsion tërheqës për udhëtarët me buxhet. Ky faktor është i rëndësishëm për të tërhequr turistët të cilët kërkojnë vlerë për paratë e veta, pa bërë kompromis për përvojën.

    Siguria: Përmirësimet në siguri kanë forcuar tërheqjen për Shqipërinë, duke siguruar që turistët të ndihen të sigurt gjatë vizitave të veta. Ky përmirësim është thelbësor për ndryshimin e perceptimeve dhe për tërheqjen e më shumë vizitorëve.

    Shëndeti dhe higjiena: Vendi ka bërë përparime të lavdërueshme në standardet e shëndetit dhe higjienës, të cilat janë gjithnjë e më të rëndësishme në peizazhin pas pandemisë. Sigurimi i mjediseve të pastra dhe të sigurta për turistët, është prioritet të cilin Shqipëria e ka adresuar me sukses.

    Pikat e dobëta të turizmit të Shqipërisë

    Shqipëria ngec në shumë fusha dhe pikat më të dobëta janë ato që shteti duhet t’i bëjë, si menaxhimi dhe reklamimi i resurseve.

    Burimet natyrore: Shqipëria ka notë të ulët në menaxhimin dhe reklamimin e burimeve natyrore, me notën 2.17 krahasuar me mesataren evropiane 2.57.

    Burimet kulturore: Në menaxhimin e resurseve kulturore, Shqipëria ka notën 1.29 krahasuar me mesataren evropiane 2.58.

    Burimet jo-rekreative: Shqipëria ka notën 1.52 në menaxhimin e burimeve jo-rekreative (turizmi i konferencave etj.) krahasuar me mesataren evropiane 2.65. Në këtë rrafsh nuk ngec vetëm Shqipëria, por i tërë Ballkani.

    Analiza krahasuese me Malin e Zi, Kroacinë dhe Serbinë

    Kur krahasojmë Shqipërinë me fqinjët e saj rajonalë, me Malin e Zi, me Kroacinë dhe me Serbinë, nga raporti dalin në pah disa të dhëna:

    Mali i Zi: Renditet më lart se Shqipëria në TTDI, duke përfituar nga infrastruktura më e zhvilluar turistike dhe te theksi më i madh në praktikat e qëndrueshme. Mali i Zi ka shfrytëzuar në mënyrë efektive burimet natyrore dhe kulturore, duke tërhequr për çdo vit një numër të konsiderueshëm të turistëve.

    Kroacia: Dallohet si lider rajonal në turizëm, me burime të gjera kulturore dhe natyrore të cilat janë të promovuara dhe të menaxhuara mirë. Infrastruktura turistike e vendit, kombinuar me përpjekje të suksesshme të markës dhe marketingut, Kroacinë e vënë shumë më lart se Shqipërinë në renditjet e TTDI-së.

    Serbia: Derisa përballet gjithashtu me sfida të ngjashme me Shqipërinë, ka bërë përparime të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve turistike. Fokusi i Serbisë në turizmin kulturor dhe turizmin e ngjarjeve ka ndihmuar që vendi të fitojë avantazh konkurrues.

    Përfundim

    Nga raporti mund të nxirret përfundimi se në rrugëtimin e Shqipërisë, në zhvillimin e sektorit të turizmit dhe të udhëtimit, janë shënuar përparimet e rëndësishme, porse ka sfida të vazhdueshme. Përmirësimet në siguri, shëndet dhe leverdi janë të lavdërueshme dhe caktojnë një themel të fortë për rritje. Megjithatë, për të realizuar plotësisht potencialin e vet turistik, Shqipëria duhet të adresojë dobësitë kritike në infrastrukturë, gatishmërinë dixhitale, cilësinë e shërbimeve, burimet natyrore, kulturore dhe jo-rekreative.

    Turizmi elitar dhe klientët me xhepa të thellë nuk janë specialitet i Shqipërisë. Mirëpo, të ardhura ka. Mendoj se është e rëndësishme të theksohet se si shtet nuk duhet të mendohet vetëm se sa para shpenzohen në turizëm, por edhe se si shpërndahen ato dhe se sa mbesin brenda. Me zhvillimin e resorteve të mëdha, do të rritet nevoja për fuqi punëtore – mundësisht të lirë. Sigurimi i saj do të jetë i vështirë në Shqipëri, ndërsa zgjidhja – përderisa shqiptarët do të migrojnë – do të jetë importimi i shtresës së varfër të Azisë. Për këtë, Shqipëria duhet të synojë turizëm që krijon vende cilësore të punës, duke u koncentruar në Turizmin e Aventurës apo të Eksperiencave – të përkrahura nga mikrobizneset familjare të cilat do të krijonin kurrizin e këtyre shërbimeve.

    Modelet për këtë lloj të turizmit tashmë ekzistojnë në Shqipëri. Thethi, Fishta, Sotira, Përmeti … janë kthyer nga zona të harruara në destinacione primare turistike të cilat shkëlqejnë si margaritarë në shtypin perëndimor, si National Geographic, The Financial Times dhe mediumet e tjera të klasës së mesme të lartë. Rama e vizitoi Thethin vetëm 11 vjet pas emërimit si kryeministër. Nëse shikon mediat e huaja dhe mbulimin e turizmit të Shqipërisë, Thethi është aty nga viti 2013 kur doli në The New York Times. Rama sigurisht se meriton duartrokitje për këtë zhvillim të Shqipërisë, por duhet të marrë përgjegjësitë që zhvillimi të shkojë në drejtim të duhur.

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Artikull i Sponsoruar11 Janar 2025
    Prishtina Ticket ofron fluturime direkte tri herë në javë nga Nürnberg drejt Prishtinës, të hënën,të mërkurën dhe të shtunën, duke siguruar fleksibilitet...
    Lajme11 Janar 2025
    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bërë të ditur se gjendja e rrugëve është e kalueshme pas reshjeve të mëdha...
    Lajme11 Janar 2025
    Qeveria e Kosovës mbrëmë e ka mbajtur mbledhjen e 244-të, e cila u zhvillua në formë elektronike. Në njoftimin e lëshuar për...
    Lajme11 Janar 2025
    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ekipet përgjegjëse janë angazhuar që rrugët të jenë të kalueshme pas reshjeve të borës. Ai...
    Lajme11 Janar 2025
    Sot, më 11 janar 2025, rreth orës 11:00, kanë filluar kërkimet për Arban Hisarin, 26 vjeç, nga Prizreni, i cili është raportuar...
    Vip11 Janar 2025
    Xuxi e ka komplimentuar Sarën për dukjen. “O Zogu im i vogël. Zogu më i mirë prej krejtve, Zaraaaa. Khu allah po...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.