×
  • Opinione
  • Opinione

    A mund të jenë tifozeritë, serbatorët e protestave?

    Ben Andoni
    10 Dhjetor 2023

    Nga Ben Andoni

    Përveç ndeshjeve të ashtuquajtura derby (kuptimi primar në anglisht është për ndeshjet e ekipeve të së njëjtit qytet), tashmë nga komentatorët sportivë përdoren për çdo ndeshje të ekipeve në krye të tabelës ose kurdo që luftohet, ndeshjet e tjera të Super Ligës shqiptare kanë një pjesëmarrje publiku të vakët. Është Thembra e Akilit e Super Ligës. Këtu bëjnë përjashtim vetëm ndeshjet Tirana-Partizani, ato me Shkodrën dhe fare pak herë të tjerat. Rezultatet e ekipit tonë përfaqësues në futboll më shumë i dedikohen rezultatit të një grupi djemsh të talentuar, që luajnë jashtë dhe që përzgjidhen nga FSHF. Janë të paktat ndeshje syresh, që ndiqen masivisht, sidomos në këtë edicion të “Gjermania ‘24”, ku jemi kualifikuar.

    Çka duam të trajtojmë është aspekti politik se ku mund të shkojë në të ardhmen aktivizmi i tifozëve të futbollit në një shoqëri, që është gjithnjë e më shumë apolitike. Pjesëmarrja në vitet e fundit, qoftë në zgjedhjet lokale por edhe ato të përgjithshme, as nuk i kalon 50%. Dhe, për fat të keq, jo vetëm në Shqipëri. Por kur shikon emocionin, fanatizmin dhe devocionin e tifozerisë, atëherë kupton se ajo derdhet edhe dikund veç futbollit.

    Gjithnjë, masa e tifozerisë ka përbërë një grup identiteti, që i referohej më shumë qytetit, pastaj një përkatësie të caktuar dhe me kohë edhe politikës. Kur shikon tifozeritë e “F.K. Tiranës”, “Partizanit” dhe “Vllaznisë”, por edhe të tjerave, kupton qartë identitete të shtresëzuara dhe interpretime mirëfilli politike, të ndërthurrura me shtresëzime historike. “Fu*k your history teacher!”, shkruhej kohë më parë në një nga banderolat e tifozerisë së “Partizanit”. Kohë më pas, tifozeria e “Tiranës” do nxirrte dy partizanë të varur! “Ju e keni vendin në Aushvic”, ishte epigrami në një tjetër banderolë të tifozerisë së saj!! Kuptohet se reagimi i deri-më-tanishëm i forcave të rendit dhe i vetë Federatës (pas tërheqjes së vakët të veshit) lidhet me kundravajtjet, goditjet në fushë dhe gjobat. Këtu mbaron, por, problemi është ende aty, mbi të gjitha me këtë lloj narracioni, ku tifozeritë po e shkruajnë dhe interpretojnë vetë historinë, sipas interesave të politikave. Kur mendon shtresëzimet sociale të tifozerive, dominuar nga brezat e rinj, e kupton misionin e pamundur tashmë në shkolla t’u shpjegosh si duhet historinë dhe fakte që lidhen me identitetin. Një mesazh në banderolat e ekipeve të futbollit paradoksalisht mbetet shumë më tepër e rrënjosur tek të rinjtë, sesa shumë mesazhe të dhëna urtësisht në shkollë.

    Duke marrë parasysh rastin britanik, sidomos pas vitit 1992 (Krijimi i Premier League), si edhe evolucionin sesi ka shkuar sjellja atje e tifozerive në këto 30 vite, studiuesit përmes analizave të qarta sasiore fillimisht dhe pastaj atyre cilësore, kanë shkuar drejt një përkufizimi më të qartë të fenomenit. Studiuesi Manuel Castells parashtron një skemë me tre nivele të identiteteve kolektive, të cilat formohen në përgjigje të ndryshimeve strukturore në shoqëri: legjitimimin, rezistencën dhe projektin. “Një identitet legjitimues prezantohet nga interesat hegjemoniste në shoqëri dhe riprodhohet nëpërmjet grupeve të institucioneve, të tilla si kisha(t), sindikatat, partitë politike, kooperativat dhe shoqatat qytetare, që përjetësojnë privilegjin e tyre të vazhdueshëm si në pushtetin ashtu edhe në burimet e dominimit strukturor. Futbolli, me mitologjitë e tij ndjellëse të ‘lojës së popullit’, ishte vetë dikur një identitet legjitimues”, shkruan Castells në “Power of identity” (Fuqia e identitetit). Veç partive politike dhe deridiku disa shoqatave në vendin tonë, religjioni mbetet ende i pafuqishëm, paçka se masiviteti në ditët e shënuara përshfaqet mbresëlënës; sindikatat (nuk ekzistojnë); kurse kooperativat janë harruar. Në epokën e pasluftës (II Botërore), pasioni i turmës së futbollit në stadiume përputhej me pasivitetin dhe ambivalencën e tyre me mënyrën se si zhvillohej loja (Cleland, 2010). Kjo i shkonte shumë edhe tifozit shqiptar, i cili në ditën e ndeshjes së futbollit kishte argëtimin më të madh pas një jave krejt të okupuar në punë. Nuk mund të flitej për angazhime të tjera, veçse pikërisht do të ishin takimet e futbollit, ku tifozeritë t’i nxirrnin të gjithë mllefet e tyre apo të gazmonin. Kryesisht dilnin inatet lokale dhe dora dorës edhe me artikulime të tjera, por në Shqipëri ishin të ndaluara banderolat dhe ca më shumë thirrjet politike për të cilat kishte dënime. Në fakt, në Lindje diçka ndryshoi në Poloni, ku publiku kishte një lloj qasje tjetër me regjimin. Për shembull, siç është raportuar jozyrtarisht, në trazirat që ndodhën gjatë finales së Kupës së Polonisë 1980 midis “Legia” të Varshavës dhe “Lech” të Poznanit rezultoi me të paktën një të vdekur dhe disa qindra të plagosur, kurse jo rrallë në tribuna u artikuluan brohoritje dhe u krijuan skena antikomuniste, ku më së shumti do të ndiheshin në Gdansk, vendi që do t’i jepte jetë “Solidarnostit” (Solidarność). Në Shqipëri rezistenca kundër diktaturës do të shfaqej gjatë ndeshjes Besa-Partizani, të dielën e 25 marsit 1990, që u pasua me arrestime në stadium dhe më pas deri nëpër shtëpitë e kavajasve. Nga këtu nisi revolta e Kavajës dhe të nesërmen, më 26 mars, u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste në sheshet dhe rrugët e një qyteti. Dy vjet më parë, më 5 qershorin e vitit 1988, “Dinamo” do të ndeshej me ekipin e Qytetit Stalin (Kuçovës) “Naftëtari”. Cili do të fitonte, mbetej në Kategorinë e Parë. Policia qëndroi në qytet duke kërcënuar dukshëm, që të mos dilte nga kategoria ekipi i “Dinamos”, që favorizohej prej Ministrisë së Brendshme. “Dinamo” u favorizua dhe kur sambistët e policët gjakosën një djalë që e morën pastaj zvarrë, i gjithë populli në stadium doli jashtë duke u përleshur me policinë. Kjo ishte revolta e parë kundër policisë së komunizmit në Shqipëri!

    Krejt ndryshe, tifozët e futbollit në Mbretërinë e Bashkuar ishin emblematikë sa i përket ‘kulturës së respektit qytetar’ (Almond dhe Verba, 1963): respekti i përgjithshëm i mbështetësve të futbollit me strukturat ekzistuese të autoriteteve të futbollit pasqyronte në një farë mënyre marrëdhëniet midis qytetarit dhe shtetit. (Taylor, 2007).

    Kurse, identitetet e rezistencës lidheshin me ndërtimin e grupeve kulturore në mendjet e njerëzve shpesh të bazuara mbi fenë, kombin ose territorin, duke shërbyer si një reagim mbrojtës ndaj diskurseve dhe institucioneve dominuese, referojmë Castells. Në kohën tonë, i njëjti studiues mendon se grupet e tifozerisë mund të veprojnë si ‘llogore të rezistencës’ (Castells, 2010), bazuar në lokalitetin, simbolet e përbashkëta dhe kujtesën kolektive, kundër forcës tregtare globalizuese të futbollit modern. Castells (2010: 64) vëren se këto lëvizje synojnë në tre grupe kryesore qëllimesh: “kërkesat për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe konsumin kolektiv; afirmimin e identitetit kulturor lokal; dhe pasjen e autonomisë politike lokale dhe pjesëmarrjes së qytetarëve”.

    Dhe, vërtetë, me kalimin e kohës lëvizjet e futbollit, që nga viti 1992, si Lëvizja për Qëndrim të Sigurt, fushata e çmimit të biletave ‘Twenty’s Plenty’, i përsërisin këto kërkesa brenda sportit. Castells (2010: 9, 10) i portretizon këto akte të rezistencës kolektive si “përjashtim i përjashtuesve nga të përjashtuarit”, i cili zgjerohet “drejt transformimit të shoqërisë”. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri, ku tifozeritë në momente të vështira u janë gjendur komuniteteve me ndihma direkte. Por, në disa herë, ato edhe janë shprehur për politika të ndryshme, kryesisht të autoriteteve në sport.

    ​ Aktivizmi i tifozëve përfaqëson një lloj të ri dhe në rritje të pjesëmarrjes politike bazë dhe një referencë empirike për perspektivën e ofertës së antipolitikës, domethënë një transformim, në angazhimin, pjesëmarrjen dhe përfaqësimin politik që është tregues i një zhgënjimi në rritje me politikën kryesore, që po ndiqet nga shumë vende, dhe jo-apatinë. Ka sot grupime që po synojnë për të formuar koalicione me mbështetës të tjerë dhe organizata publike, private dhe të sektorit të tretë për të sfiduar qeverisjen vendore dhe qendrore. Problemi është se politika ka nisur të penetrojë përmes kanaleve të ndryshme dhe këtë e shikon me sloganet e ekipeve tona, që duket se u kërkohet t’i japin asist politikës. Të kujtojmë korin e militantëve të PD-së në stadium kundër Ramës, në një ndeshje. Ashtu si parulla të ndryshme, që të bën të kuptosh se laboratori është aty, mbetet vetëm për të eksperimentuar. Ndërkohë është vetë kryeministri që di të menaxhojë si duhet dhe sidomos përfaqësuesen tonë të suksesshme të futbollit për PIAR-in e vet.

    Me pak fjalë, me rënien e madhe të jetës shoqërore dhe apatisë së institucioneve të tjera qytetare (në Shqipëri kjo është e dukshme, sepse mungojnë sindikatat dhe shoqatat kooperativiste, kurse religjioni nuk inspiron si dikur) që deri më tani kanë shërbyer si spiranca e komunitetit, futbolli, pavarësisht nga globalizimi, vazhdon të jetë i rrënjosur gjeografikisht dhe mund të veprojë si pikë grumbullimi për identifikim dhe solidaritet. Dhe, a ka serbator më të mirë për politikën sesa tifozeritë. Të paktën, banderolat po na e tregojnë se ato do të jenë tash e tutje më në fokus të politikës shqiptare. (Homo Albanicus)

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme24 Nëntor 2024
    Sot parashihet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në mëngjes parashihen ngrica , prandaj...
    Vip23 Nëntor 2024
    Vullneti e ka ngacmuar Drilonin në lidhje me raportin që ky i fundit e ka me Sarën. Madje ky thotë se janë...
    Sport23 Nëntor 2024
    Paulo Fonseca ka pranuar se Milani ka luajtur sigurt dhe nuk ndërmori mjaftueshëm rreziqe në barazimin pa gola 0-0 ndaj Juventusit, por...
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Një stuhi e madhe shkaktoi reshje dëbore dhe shiu në Kaliforni, duke çuar në rrëshqitje dheu dhe përmbytje në disa akse rrugore,...
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump është ende duke krijuar kabinetin për mandatin e tij të dytë dhe shumë pozita të tjera qeveritare...
    Vip23 Nëntor 2024
    Xuxi ishte duke kënduar italisht në kuzhinë, teksa e provokuan Driloni dhe Edi. “Po me dukesh si vëllau i Xhenetës”, i tha...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.