Në Qeveri, Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, ka kohë që është miratuar.
Në Kuvend situata është pak më ndryshe. I njëjti ka kaluar aty në leximin e parë, edhe atë vetëm pas 7 tentimeve. E për votim në lexim të dytë – përfundimtar do të hidhet në seancën e të mërkurës në ora 11:00.
Inicuesi i saj, Arben Gashi, që është edhe shef i grupit parlamentar të LDK-së, nuk preferoi të flasë nëse i kanë apo jo numrat për kalimin e këtij projektligji.
“Ne do ta hedhim në votim. Është në vullnetin e secilit deputetë pastaj nëse do ta votojë apo jo”, tha shkurt Gashi për Front Online.
Përmbajtja e projektligjit që do të hidhet për votim në lexim të dytë do të jetë pothuajse e njëjtë me atë që kaloi në lexim të parë.
Anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputeti Fatmir Rexhepi, tha për Front Online se fare pak amandamente janë ndryshuar, larguar ose futur gjatë diskutimeve mes dy leximeve.
Ky nuk e di nëse koalicioni i ka 61 numrat e nevojshëm për këtë projektligj, por thotë se votimi i tij është përgjegjësi edhe e opozitës.
“Nuk e di. Koalicioni do të duhej me i pasë numrat. Duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë impakti ka. Vonesat nuk arsyetohen. Kjo nuk e amniston as opozitën. Ekonomia është edhe e saj”, tha Rexhepi për Front Online.
E nga PDK-ja opozitare e thonë me siguri të plotë se nuk do t`i japin përkrahje nismës së tillë.
Deputeti i saj, Kujtim Gashi, jep edhe arsyet.
“Ne i kemi pasur qëndrimet e qarta sa i perket projektligjit. Siç dihet tash e 7 muaj me parë ne kemi propozuar një ligj tjetër për këtë çeshtje por kemi hasur ne veshin e shurdhur të qeverisë. Natyrisht që amandamentet, cfarëdo që janë nuk e ndryshojnë përmbajtjen e ligjit dhe si i tillë neve na detyron të permbahemi”, u shpreh ai për Front Online.
Vlera e këtij projektligji është 385 milionë euro./Front Online/