×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Jo të gjithë i gëzohen Ligjit për pagat

    FrontOnline
    04 Nëntor 2019

    Rreth 23 mijë shërbyes civilë në administratën lokale dhe qendrore të Kosovës, po shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur më Ligjin e ri për paga, i cili është miratuar në shkurt të këtij viti, kurse ka hyrë në fuqi më 2 nëntor të këtij viti.

    Sipas këtij ligji, rreth 70 për qind e punëtorëve në sektorin publik, nga muaji dhjetor pritet që të marrin pagat në rritje.

    Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, tha për Radion Evropa e Lirë, se shërbyesit civilë ndjehen të diskriminuar dhe nuk trajtohen të barabartë sa i përket nivelit të pagave.

    Ai tha se me Ligjin e ri për pagat, shërbyesit civilë mbesin në koeficientin shumë të ulët, respektivisht rritje të vogël të pagave. Ai kërkon që shërbyesit civilë të sistemohen mbi bazën e kontributeve të punës dhe pozitës që kanë në vend të punës.

    “Pakënaqësitë e shërbyesve civilë kanë filluar të shprehen, por fillimi i pranimit të pagave do të manifestojë me një pakënaqësi shumë të madhe sepse dihet dallimi i madh i pagave në mes shërbyesve publikë në përgjithësi. Ata janë të pakënaqur sepse në kuadër të shërbimit civil ka shumë sektorë që bëjnë punë profesionale dhe mbi bazën e Ligjit të profesioneve ata do të duhet të paguhen sikur sektori tjetër i shëndetësisë dhe i arsimit”, tha Zymberi.

    Paga mesatare e shërbyeseve civilë në Kosovë, sipas Zymberit, është 370 euro në muaj, kurse me ligjin e ri, disa nga shërbyesit civilë pagat mund të marrin një rritje për 40 euro në muaj.

    Kjo sindikatë edhe para nënshkrimit të Ligjit për pagat, më 2 shkurt të këtij viti, ka mbajtur disa greva, ndërkohë që kishte kërkuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të mos e ratifikojë Ligjin për paga.

    Zymberi tregon se sindikata kishte deponuar edhe një ankesë zyrtare në lidhje me Ligjin për pagat tek institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë.

    Përveç Sindikatës së Shërbyeseve Civilë, Avokati i Popullit në Kosovë, deri më tani ka pranuar edhe 17 ankesa tjera lidhur me Ligjin për pagat në sektorin publik, ku nuk përfshihen vetëm sindikatat, por edhe grupe ankuesish të ndryshëm të cilët konsiderojnë që Ligji për pagat ndikon negativisht në interesat e tyre.

    Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari duke thënë se “ankesat e paraqitura tek Avokati i Popullit janë të ndryshme, varësisht nga pozita dhe institucionet që kanë paraqitur ankesë, përmes së cilave shfaqen pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligjin për pagat në sektorin publik”, tha Jashari.

    Mursel Zymberi, ndërkaq thotë se trajtimi diskriminues i institucioneve shtetërore ndaj shërbyesve civilë do të ndikojë edhe në punën e sektorëve të tjerë.

    “Më këtë trajtim që i kanë bërë institucionet shtetërore shërbimit civil, sigurisht që ky shërbim nuk do të jetë në nivelin e detyrës. Nëse nuk e kemi shërbimin civil në nivel të detyrë, nuk mund të themi se kemi një shtet të mirëfilltë sepse as gjykata, as policia, prokuroria dhe as shëndetësia nuk do të mund të funksionojnë pa organizatë të mirëfilltë”, tha ai.

    “Pengesat këtu do të ndodhin sepse tashmë ka filluar të proklamohet nga gjykatat se pagat e tyre do të shkojnë deri në 2000 mijë euro, kurse zyrtari për shërbime sociale i cili jep raporte dhe mendime profesionale, do të ketë pagë 400 euro. Kjo nuk do të ndodhë, kjo s’do lejohet dhe sigurisht që nuk do të lejohet”, tha Zymberi.

    Sidoqoftë, në Ministrinë e Financave, zyrtarët e saj kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nga muaji dhjetor do të zbatohet Ligji për pagat dhe se pagat e kategorive të përfshira do të dalin me rritje nga dhjetori.

    Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë veta. Paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 ishte 573 euro.

    Sipas Ligjit të ri, paga mujore më e ulëta është ajo e shtëpiakut prej 322 euro, 621 euro është paga e mësimdhënësve të shkollës se mesme, profesori i universitetit do të marrë 1 505 euro, kryeprokurori 1 912 euro, kryeministri 2151 dhe presidenti i Kosovës nga muaji dhjetor do të marrë pagën mujore në vlerë prej 2390 eurosh.

    Kështu paraqiten pagat bazë dhe nuk përfshihen kompensimet shtesë, si puna jashtë orarit ose rrezikshmëria.

    Sipas ligjit të ri, paga bazë është ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të një funksioni apo pozite të caktuar. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë (1:10), të shpërndarë në gjashtëdhjetë e nëntë (69) nivele të koeficientëve.

    Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm presidenti i Republikës së Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

    Në koeficientet nga 1.85 deri 2.25 janë pozita të ndryshme të shërbyesve civilë, nga 2.5 deri në 5 janë përfshirë nga infermieri e deri te mjeku specialist.

    Ndërkaq, më poshtë në pozitat nga 1.7 deri në 2.5, përfshihen përfaqësues të sistemit arsimit, bashkë me edukatorët e kopshteve deri te drejtorët e shkollave të mesme./Front Online/

    Loja e madhe ka filluar nga 31 Janar dhe vazhdon deri me 2 Shkurt në Petrol Company
    Nga Rubrika
    Lajme03 Maj 2024
    Të shtunën e 4 majit ashtu si në mbarë botën edhe në Kosovë festohet Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve. Për ta shënuar këtë...
    Lajme03 Maj 2024
    Në fund të javës së ardhshme pritet që të përcaktohet agjenda e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe të ketë...
    Lajme03 Maj 2024
    Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla ka reaguar për gjuhën e përdorur nga deputeti Dimal Basha në studiot e RTK, duke e...
    Të tjera
    Sport03 Maj 2024
    Milot Rashica ka gjetur golin e pestë personal me fanellën e Besiktas në elitën e futbollit turk, në ndeshjen ku skuadra e...
    Lajme03 Maj 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar se keqbërësit kibernetikë çdo ditë tentojnë të kryejnë sulme kibernetike të llojeve të ndryshme, duke shpresuar apo...
    Bota/Rajoni03 Maj 2024
    "Unë politikan nuk jam, jam veprimtar, dhe objekivi ynë është më i larti, dhe VLEN-in nuk e kemi pasur konkurrent, dhe në...
    Lajme03 Maj 2024
    Drejtori i televizionit në Radio Televizionin e Kosovës, Rilind Gërvalla i  ka drejtuar një letër organizatës “Reporterët pa kufij”, e ku tha se...
    Lajme03 Maj 2024
    Një rugovast është emocionuar gjatë takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkruan Gazeta Express. Ai tha se është dridhur kur e...
    Lajme03 Maj 2024
    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuhën e përdorur të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha. Deputeti Dimal Basha e ka...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.