×
  • Lajme
  • Lajme

    Kompromis apo raund i ri i grindjeve- Çfarë mund të pritet nga dialogu në Bruksel?

    FrontOnline
    16 Gusht 2022

    Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës vazhdon këtë javë në Bruksel. Por autoritetet në Prishtinë dhe Beograd nuk presin shumë nga ky takim. Heqja dorë nga kërcënimet, është një prej rezultateve të mundshme.

    Takimi i ardhshëm në Bruksel i liderëve të Kosovës dhe Serbisë pritet me skepticizëm si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Pas rreth një viti heshtjeje dhe pas kërcënimeve të fundit mes palëve, ku janë përmendur edhe fjalët luftë, dhunë dhe konflikte, më e shumta që mund të arrihet në këto kushte është që palët të zotohen se do të heqin dorë nga retorika nxitëse. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti për zbatimin e marrëveshjeve.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar këto ditë për media të huaja se Serbia po kërcënon me rrënimin e stabilitetit dhe paqes në rajon. Ndërsa presidentja Vjosa Osmani-Sadriu ka përmendur disa herë edhe rrezikun e instrumentalizimit të Serbisë dhe serbëve në Kosovë nga forca të jashtme, në radhë të parë nga Rusia, për qëllime të saj.

    Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përdorur edhe fjalë dramatike në deklaratat për opinion, duke thënë se “po përgatisin likuidime të njerëzve tanë në veri të Kosovës“. Ai “luti” shqiptarët dhe në radhë të parë bashkësinë ndërkombëtare që të mos e lejojnë këtë, duke shtuar se “Serbia do të fitojë”.

    Pritjet nga dialogu

    “Po shkoj në Bruksel për të biseduar. Nuk besoj se do të ketë ndonjë rezultat, por po shkoj të flasim”, ka thënë Vuçiq. Sipas tij, shpresa e vetme për të arritur diçka më shumë është nëse vendet e Kuintit ushtrojnë presion politik ndaj palës shqiptare.

    Krerët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen ndaras në Bruskel edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili do t’i njohë ata me planet e aleancës në rast përshkallëzimi të gjendjes. Ndërsa Shërbimi Evropian për Çështjet e Jashtme (EEAS) u ka bërë thirrje në fundjavë të dyja palëve që të ndalojnë retorikën nxitëse dhe të jenë të përgjegjshme, që të mos ketë përshkallëzim të dhunës në rajon. Kjo ftesë ka shkaktuar reagime të ashpra në Beograd.

    Petar Petkoviq, përfaqësuesi serb në dialog, thotë se “apeli i pafytyrë për të dyja palët po i hedh benzinë ​​zjarrit dhe po inkurajon regjimin e Kurtit që të destabilizojë situatën në Kosovë dhe në rajon”.

    Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, e sheh këtë ftesë të palës evropiane “si një shaka të pakëndshme”. “Plot 175 ditë, Albin Kurti provokoi një konflikt të armatosur me serbët, në një vit që do të mbahet mend si viti në të cilin Kurti u privoi serbëve të drejtat më elementare njerëzore – duke i ndaluar të votojnë. Përveç një deklarate të kotë me shkrim, BE-ja nuk ka bërë absolutisht asgjë në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e kryeministres në Twitter. Ndërsa ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin thotë se „Beogradi vetëm po u përgjigjet marrëzive të Prishtinës dhe se nuk do të nisë aspak konflikte“.

    “Mendoj se dialogu ka hyrë në fazën e matjes së forcave mes palëve, kur secila palë ka më shumë kujdes që të mos përfitojë pala tjetër, sesa të nxjerrë vet ndonjë përfitim prej tij”, thotë profesori Ivo Viskoviq për DW. Sipas tij, kjo është një “qasje e gabuar, ku nuk do të ketë asnjë rezultati pozitiv. Gjërat janë futur në një rreth vicioz në veçanti kur bëhet fjalë për çështjet ekzistenciale“, pohon ai.

    Përderisa sipas disa burimeve, kryeminstri Kurti po përgatitet që në Bruksel të bisedohet për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si shtete, Vuçiq sërish do të insistojë që të bisedohet për Bashkësinë e komunave me shumicë serebe, thotë gazetari Milivoje Mihaljoviq për DW.

    “Bazuar në këtë, ne nuk mund të presim shumë nga ky raund dialogu”, thotë ai dhe shton: “Ajo që pres nga ky raund është largimi i kërcënimeve për konflikte atje”.

    Roli i Rusisë

    Burimet serbe thonë se “pala shqiptare po përpiqet të përfitojë nga situata më e favorshme gjeopolitike me lëvizjet e saj të fundit provokuese”. Për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, Serbia ka ngjallur dyshime në Perëndim dhe shihet si një lloj aleati i heshtur i Rusisë, të cilin Prishtina po përpiqet ta përdorë si avantazh të saj dhe të ndryshojë situatën në terren.

    Ivo Viskoviq thekson se “kjo nuk është asgjë e re në politikë” dhe se “pala shqiptare po përpiqet realisht të përfitojë nga ky moment i favorshëm”. Por ai nuk mendon se do të ketë ndonjë ndryshim të madh. E vetmja gjë që mund të jetë e pakëndshme për Serbinë është mundësia e pranimit që Kosova të anëtarësohet në organizata të ndryshme ndërkombëtare. “Atje Serbia ndoshta do të reagonte fuqishëm dhe gjërat do të ktheheshin sërish në fillim,” beson Viskoviq.

    Reagimet e opozitës

    Opozita serbe, por edhe analistë të shumtë në Beograd, paralajmërojnë se Aleksandar Vuçiq ka nënshkruar dokumente të shumta, duke filluar nga Marrëveshja e Brukselit dhe se pala shqiptare tani vetëm po tenton t’i zbatojë këto marrëveshje. Sipas këtyre interpretimeve, nuk është e qartë pse Serbia tani po fillon një dramë të tillë nëse i ka nënshkruar vetë këto dokumente dhe është pajtuar me to. Ndërsa disa të tjerë thonë se në Bruksel është nënshkruar edhe marrëveshja për krijimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe por as kjo nuk është zbatuar.

    Pas nënshkrimit, autoritetet në Kosovë kanë kërkuar që kjo marrëveshje të verifikohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka konstatuar se marrëveshja fillestare nuk mund të zbatohet, sepse në shumë pjesë të saj bie ndesh me Kushtetutën. Por pala serbe kërkon që ajo të implementohet në formën fillestare.

    Analisti Milivoje Mihajloviq thotë se “në Bruksel është nënshkruar marrëveshja dhe ajo duhet të zbatohet”. Kjo çështje, sipas tij, po përdoret për luftë të brendshme politike mes pozitës dhe opozitës në Kosovë. “Albin Kurti do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja, të cilat e forcojnë pozitën e tij. Deri më tani gjithmonë ka përfituar në zgjedhjet e Kosovës ai që është kritikuar nga Beogradi”, thekson Mihajloviq.

    Roli i BE

    Krerët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar ditët e fundit se ata angazhohen për një kompromis për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nga ana tjetër, shtrohet pyetja: A është i mundur kompromisi në kohën kur presidenti i Serbisë thotë, se “dialogu nuk ka më kuptim”.

    Profesori Ivo Viskoviq mendon se vazhdimi i gjërave sipas modelit të deritanishëm nuk sjell asgjë. “Bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë më ndryshe. Kompromisi është vërtet i vështirë, por mendoj se ai duhet të arrihet hap pas hapi. Vështirë se do të ketë hapa të mëdhenj”, pohon ish-diplomati. Ndërsa Mihajloviq mendon se BE nuk ka bërë asgjë për arritjen e kompromisit, ndonëse tërë kohën flet se duhet të ketë një kompromis.

    “Pala shqiptare nuk dëshiron të përmbushë asgjë, sepse askush nuk po i bën presion serioz asaj. Amerika do të mund ta bënte, por kurrë nuk do të krijojë një situatë konflikti mes shqiptarëve dhe trupave amerikane në terren. Ndërsa BE-ja po vepron vetëm si “dikush që merr me qira lokalet për diskutim, pra për grindje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe asgjë më shumë”, konstaton Mihajloviq./DW

    Njoftimet nga KEDS, vendet që do të mbesin nesër pa rrymë
    Nga Rubrika
    Lajme19 Maj 2024
    Helikopteri që transportonte presidentin e Iranit, Ebrahim Raisi, rezulton i zhdukur. Televizioni shtetëror iranian njoftoi se helikopteri me të cilin transportohej i...
    Lajme19 Maj 2024
    Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka thënë se është i gatshëm të organizojë një takim tjetër mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe...
    Lajme19 Maj 2024
    Letrën e para pak ditësh, ku Gjermania, Franca dhe Italia i thonë Kosovës që drafti që duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese...
    Të tjera
    Lajme19 Maj 2024
    Aktualisht numri i familjeve në Kosovë që duan të adoptojnë fëmijë është sa katërfishi i numrit të fëmijëve pa përkujdesje. Një dokument...
    Lajme19 Maj 2024
    Prokuroria publike e Schwyz-it dënoi kosovarin për hyrje të paligjshme, qëndrim të paautorizuar dhe punë pa leje me një gjobë prej 6800...
    Lajme19 Maj 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se sundimi i ligjit dhe siguria e qytetarëve të Kosovës është në...
    Bota/Rajoni19 Maj 2024
    Vjen reagimi i parë nga SHBA në lidhje me rrëzimin e helikopterit me të cilin udhëtonte presidenti i Iranit Ebrahim Raisi dhe...
    Lajme19 Maj 2024
    Nënsekretarja amerikane për Diplomaci Publike, Liz Allen, ka takuar presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë. Ambasada e SHBA-së në Kosovë, përmes një komunikate...
    Sport19 Maj 2024
    Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku, ka vazhduar me performancën e shkëlqyer në elitën e futbollit të Rusisë. Reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë, ka...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.