×
  • Lajme
  • Lajme

    Deficit e suficit i profesioneve në tregun e punës

    FrontOnline
    08 Gusht 2022

    “Jam lodhur duke kërkuar punë në profesionin tim”, thotë Egzon Ahmeti i cili ka kryer master në Juridik.

    Egzoni ka përfunduar studimet një vit më parë në Universitetin e Prishtinës dhe nga ajo kohë thotë se është në kërkim të një pune të rregullt në profesionin për të cilin ka studiuar.

    “Ka shumë juristë të diplomuar, kërkesa për punë është e madhe”, thotë Egzoni, i cili aktualisht është duke bërë një praktikë pune gjashtë muaj me pagesë në Departamentin për Punë Sociale në Viti.

    “Kisha pasur dëshirë të kem një punë të rregullt, jo çdo gjashtë muaj të aplikoj tek Agjencia e Punësimit – është maltretim”, thotë ai.

    Profesioni i juristit është në mesin e disa profesioneve që tash për tash nuk janë shumë të kërkuara në tregun e punës në Kosovë. Aktualisht, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës janë 3.799 studentë dhe në vitin akademik 2022/2023 janë pranuar edhe 500 studentë të rinj.

    Por, pa punë kurrë nuk ka mbetur Luljeta Caka, e cila është aftësuar në zanatin e rrobaqepësisë.

    “Jam punësuar menjëherë”, thotë ajo.

    Sektori i tekstilit, ai i përpunimit të drurit, metalit, i fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe ai digjitalizimit, janë profesione në mungesë për tregun e punës në Kosovë sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

    Këtë e konfirmon edhe Arieta Vula-Pozhegu nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit në Kosovë, e cila mbledh 1.700 ndërmarrje.

    “Nga mbi 1 mijë punëtorë të rinj çdo vit sa kanë nevojë kompanitë, vetëm 70 të rinj aftësohen në këtë profesional nga shkollat profesionale”, thotë ajo.

    Edhe Visar Jasiqi i kompanisë amerikane ‘Radix’ nga sektori i IT-së e cila ofron shërbimet për kompani të ndryshme në botë, thotë se kanë vështirësi për gjetjen e punëtorëve të profileve të këtij lëmi.

    “Kërkesa është shumë më e madhe sesa kapitali njerëzor i Kosovës i përgatitur në këtë fushë”, thotë ai.

    Hulumtimi i fundit i bërë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), tregon se një nga sfidat që përcjell Kosovën është mospërputhja mes nevojave të tregut të punës dhe profileve të të diplomuarve të rinj.

    Çka është duke bërë Ministria e Arsimit?

    Strategjia e arsimit 2022-2026, e cila është në finalizim e sipër nga Ministria e Arsimit ka vënë në pah se ofrimi i programeve të studimit në Kosovë, të cilat nuk reflektojnë nevojat reale të tregut të punës, mbetet mangësi strukturore e arsimit të lartë. Prandaj, një nga objektivat e Strategjisë është harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet dinamike të teknologjisë dhe tregut të punës.

    Në Strategjinë e Arsimit 2022-2026, thuhet se rreth 60 për qind e programeve studimore që ofrohen në Kosovë janë nga fusha e edukimit, arteve dhe shkencave humane, shkencave shoqërore dhe shërbimeve.

    Sipas strategjisë, shkalla e orientimit të studentëve në këto fusha është shumë e lartë në krahasim me dinamikën e tregut.
    Ndërkohë, orientimi i studentëve në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë që ndërlidhen edhe me profesionet që i kërkon tregu i punës, mbetet i ulët.

    Në Ministrinë e Arsimit i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se janë të angazhuar t’i plotësojnë kërkesat dhe nevojat e ekonomisë së vendit.

    Me qëllim të plotësimit të nevojave të tregut në fushën e teknologjisë së informacionit për vitin e ri shkollor, thonë se janë përfshirë disa profile të reja nga kjo fushë.

    Aftësimi i këtyre të rinjve në këto profile, sipas tyre, do të bëhet në institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional të Kosovës.

    A e zgjidhë problemin Strategjia e arsimit?

    Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit thotë se Kosova strategji të tilla të arsimit ka pasur edhe në të kaluarën, porse problemet nuk janë zgjidhur.
    Ai shton se Kosovës i duhet një strategji dalëse nga kriza në arsim, në të cilin, sipas tij, vendi është tani e sa vite.

    “Strategjia duhet të ketë një qëllim. Ai qëllim është që qytetari ta kuptoj se çfarë dobie ka nga ndryshimet që mund të bëhen nga fusha e arsimit. Pa e përhapur këtë vizion te qytetarët asnjë strategji nuk mund të jetë e suksesshme”, vlerëson Hyseni.

    Në Ministrinë e Arsimit thonë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë kanë mundësi të ofrimit të shumë profileve që kërkohen nga tregu i punës, por, sipas tyre, është vërejtur mungesë e interesimit të të rinjve.

    Disa profile që i kërkon tregu i punës dhe që nuk ka interesim të të rinjve në këto profesione sipas Ministrisë së Arsimit janë profilet si; përpunues të lëkurës, përpunues metali, xehetari/miniera, bujqësi, pylltari.

    Eksperti i arsimit Halim Hyseni, thotë se mosinteresimi i të rinjve për këto profile vjen për shkak se nxënësit duke filluar nga shkollimi fillor, do të duhej të orientoheshin në karrierë, gjë e cila siç thotë ai, nuk bëhet me sistemin arsimor të Kosovës.

    Sipas Hysenit, edhe niveli i lartë i papunësisë në Kosovë është për shkak të mos-harmonizimit të aftësimit profesional me tregun e punës.

    Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 20 për qind.

    Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se janë mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 360 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 95 mijë janë të papunë.

    Shqetësuese vazhdon të mbetet numri i qytetarëve joaktivë në tregun e punës.

    Sipas ASK-së, mbi 760 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

     

    Filloi aplikimi për gjeneratën e 10-të të KEDS Academy për nxënës dhe studentë të rinj
    Nga Rubrika
    Lajme18 Maj 2024
    Në Venecia të Italisë, mbrëmë i është bërë një pritje e jashtëzakonshme kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili ishte i...
    Lajme18 Maj 2024
    Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Një kërkesë e...
    Lajme18 Maj 2024
    Prishtina ka pesë strehimore, por vetëm dy prej tyre janë të gatshme për shfrytëzim me kapacitet për 3 mijë banorë. Prizreni i...
    Të tjera
    Lajme18 Maj 2024
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar Andrej Plenkoviqin, për mandatin e tretë si kryeministër i Kroacisë. Osmani, mes tjerash theksoi...
    Lajme18 Maj 2024
    Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare qytetarët nuk po i marrin të gjitha shërbimet. Mjekët, si dermatologët, pediatrit e internistët, sipas një...
    Bota/Rajoni18 Maj 2024
    Shqipëria, prej vitesh, vuan mungesën e fuqisë punëtore. Për ta lehtësuar këtë problem, Qeveria është në negociata me Filipinet për një marrëveshje...
    Sport18 Maj 2024
    Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk do të përballen sonte në meçin për titullin kampion të peshave të rënda. Kjo përballje pritet të...
    Lajme18 Maj 2024
    Policia e Kosovës ka konfirmuar se Enver Sekiraqa nuk është gjetur në shtëpi gjatë së premtes dhe të shtunës, pas vendimit të...
    Lajme18 Maj 2024
    Enver Sekiraqa, i cili më 3 maj 2024 u dënua nga shkalla e parë me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.