Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia.
E një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Papa Gjon Pali’ në Prishtinë, ku një patrullë e Policisë ka ndalur një veturë e që gjatë kontrollit te shoferi kanë gjetur substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
22-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.