×
  • Lifestyle
  • Lifestyle

    Pse lia e majmunëve po përhapet në Evropë dhe SHBA?

    FrontOnline
    20 Maj 2022

    Disa raste të lisë së majmunëve janë raportuar ose dyshohen në Britani, Portugali, Spanjë dhe Shtete të Bashkuara.

    Përhapja ka ndezur alarmin, sepse sëmundja virale, e cila bartet përmes kontakteve të ngushta dhe është zbuluar për herë të parë në majmunë, shfaqet kryesisht në pjesën perëndimore dhe qendrore të Afrikës, ndërsa vetëm herë pas here diku tjetër.

    “Shumë e pazakonshme”

    Lia e majmunëve është një virus që shkakton simptoma të temperaturës dhe puçrra të kuqe.

    Zakonisht është e lehtë, por ka dy variante kryesore: varianti i Kongos, i cili është më i rëndë – me vdekshmëri deri në 10 për qind – dhe varianti i Afrikës Perëndimore, i cili ka një shkallë të vdekshmërisë në rreth 1 për qind të rasteve.

    Rastet në Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar si variant i Afrikës Perëndimore.

    “Historikisht, ka pasur shumë pak raste të eksportuara. Ka ndodhur vetëm tetë herë në të kaluarën – përpara këtij viti”, thotë Jimmy Whitworth, profesor i shëndetit publik në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, duke shtuar se kjo “është shumë e pazakonshme”.

    Portugalia ka regjistruar pesë raste të konfirmuara, ndërsa Spanja po teston 23 raste të mundshme. Asnjëra prej tyre nuk kanë raportuar raste më parë.

    Shtetet e Bashkuara kanë raportuar, po ashtu, një rast.

    Transmetimi

    Virusi përhapet përmes kontaktit të ngushtë midis kafshëve dhe, më rrallë, midis njerëzve.

    Ai është zbuluar për herë të parë te majmunët në vitin 1958, prej nga ka edhe emrin. Megjithatë, brejtësit shihen tani si burimi kryesor midis kafshëve.

    Transmetimi, këtë herë, është duke i habitur ekspertët, sepse një numër i rasteve në Mbretërinë e Bashkuar – nëntë deri më 18 maj – nuk kanë asnjë lidhje të njohur me njëri-tjetrin.

    Vetëm rasti i parë, i raportuar më 6 maj, ka udhëtuar së voni në Nigeri.

    Duke qenë i tillë, ekspertët paralajmërojnë për transmetim më të gjerë, nëse rastet kalojnë të paraportuara.

    Paralajmërimi i Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar thotë se rastet e fundit kanë qenë kryesisht në mesin e burrave që janë vetidentifikuar si homoseksualë, biseksualë ose burra që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, dhe i këshillon ato grupe që të jenë të kujdesshme.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë tha këtë javë se shkencëtarët janë duke bërë disa studime, për të parë nëse viruset janë të lidhura.

    Përse tani?

    Një skenar i mundshëm pas rritjes së numrit të rasteve është rritja e udhëtimeve, pas heqjes së kufizimeve që ka imponuar pandemia COVID-19.

    “Teoria ime e punës është se ka shumë [raste] në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, udhëtimet kanë rifilluar dhe kjo është arsyeja përse shohim më shumë raste”, thotë Whitworth.

    Lia e majmunëve ka alarmuar virologët, sepse është në familjen e lisë, ndonëse shkakton sëmundje më pak të rënda.

    Lia është çrrënjosur me vaksinim në vitin 1980, dhe që atëherë infektimet kanë rënë gradualisht.

    Anne Rimoin, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Kalifornisë, thotë se vaksinimi kundër lisë mbron edhe kundër lisë së majmunëve, andaj rënia e shkallës së vaksinimit ka çuar në rritje të numrit të rasteve në zonat ku sëmundja është endemike.

    Ajo thotë se hetimi urgjent i rasteve të reja është i rëndësishëm, pasi “ato mund të sugjerojnë përhapje të reja ose ndryshime në virus”, por kjo “mbetet për t’u përcaktuar”.

    Ekspertët u bëjnë thirrje njerëzve që të mos bëjnë panik.

    “Kjo nuk do të shkaktojë epidemi mbarëkombëtare siç ka bërë COVID-19, por është shpërthim serioz i një sëmundjeje serioze – dhe ne duhet ta marrim seriozisht”, thotë Whitworth.

    Petrol Company zbret çmimet në Ditën e Verës: Benzinë 1.70 euro dhe Diesel 1.85 Euro për litër
    Nga Rubrika
    Lifestyle02 Maj 2024
    DASHI Për ju po fillon një fazë rikuperimi që do të zgjasë disa ditë. Muaji maj nuk ka nisur në mënyrën më...
    Lifestyle01 Maj 2024
    E ndërsa pijet pak të hidhura me më pak alkool pihen para vaktit, në fund të vaktit duhen shërbyer pije që do...
    Lifestyle01 Maj 2024
    Dashi Ndonëse do të keni keqkuptime të vogla që ju pengojnë, nuk duhet të dekurajoheni pasi në vendin e punës mund të...
    Të tjera
    Opinione02 Maj 2024
    Nga: David A. Andelman / CNN Për 44 vjet, herë pas here isha banor i Francës, ndonjëherë në formë të përhershme, më...
    Lajme02 Maj 2024
    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se raporti i fundit i Departmanetit Amerikan të Shtetit, e ka rrënuar propagandën nga shumica...
    Vip02 Maj 2024
    Këngëtarja Melinda Ademi është mjaft aktive në rrjetet e saj sociale, ku ndanë momente të ndryshme nga jeta e saj. Së fundmi...
    Lajme02 Maj 2024
    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se sot po debatojmë për një raport të rregullt të Departamentit Amerikan...
    Lajme02 Maj 2024
    Shefi i GP të PDK-së Abelard Tahiri, në seancën plenare ku është duke u shqyrtuar Projekt-rezoluta për adresimin e gjetjeve të Raportit...
    Lajme02 Maj 2024
    Tom Dodaj i arrestuar për shitjen e armës tek Granit Palva, dorasi i vrasjes së Liridona Ademajt do të mbrohet në liri....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.